Nuni: Ankesa për zvarritjen e gjykimeve në çështjet e pronave

Mar 16, 2011 | 11:54

Avokatja e Popullit në detyrë, Florina Nuni, raportoi dje në Komisionin e Ligjeve në Kuvend mbi raportin e punës përgjatë vitit 2010. Ajo nënvizoi se gjatë vitit të kaluar janë trajtuar gjithsej 3264 ankesa, kërkesa dhe njoftime. Numrin kryesor të tyre e zënë ankesat për çështjen e pronësisë, zvarritjes së vendimeve gjyqësore, por edhe për çështje të tjera. “Vendin kryesor e zënë ato me objekt për zvarritje të padrejta dhe të pajustifikuara të gjykimeve, pra për shkelje të procedurave gjyqësore, si për çështje civile, ashtu edhe për çështje penale. Në zyrën tonë, edhe gjatë këtij viti, janë paraqitur ankesa ndaj vendimeve gjyqësore, duke ngritur pretendime të ndryshme se ato janë vendime të padrejta dhe të pabazuara në ligj, ose janë marrë me veprime korruptive nga gjyqtarë të veçante”, tha Nuni. Ajo tha më tej se ankesat e individëve ndaj veprimtarisë së prokurorive të rretheve gjyqësore kanë konsistuar në moskryerjen e hetimeve të gjithanshme, zvarritjen e pajustifikuar të hetimeve, moskthimin e përgjigjes apo kthimin me vonesë të memorieve apo kërkesave me shkrim. “Mbetet problem mosmarrja në konsideratë e kërkesave të palëve për caktim eksperti, sidomos për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, shtoi ajo. Një tjetër çështje ishte edhe mosekzekutimi në kohë i vendimeve të Gjyqësorit. “Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se, megjithëse numri i ankesave të shtetasve për torturë dhe keqtrajtim nga punonjësit e policisë gjatë vitit 2010 ka qenë më i vogël se në vitet paraardhëse, përsëri ky ngelet një problem i cili ka nevojë për angazhim më të madh, sepse përbën një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të individit. Gjatë trajtimit të rasteve nga ana jonë nuk është konstatuar asnjë rast në të cilin drejtuesit e organeve të policisë të bëjnë denoncime kur konstatojnë kryerjen nga ana e vartësve të tyre të kësaj shkeljeje të rëndë”, tha Nuni. Ndërkaq, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, relator i këtij raporti, kërkoi që Avokati i Popullit të specifikojë rastet me shembuj konkretë. Ai ngriti edhe çështjen e pronësisë, ku ka pasur mëse 117 raste ankesash nga qytetarët.

© Panorama.al

Te lidhura