Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një konferencë me gazetarët, ka komentuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe kërkesën e PD-së që emigrantët që disponojnë dokumente të huaja të mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Për kërkesën e PD-së, Celibashi tha se “si Komisioneri Shtetëror, nuk lexoj asgjë në Kodin Zgjedhor për të ndërmarrë asnjë lloj iniciative”.
Pyetje: Kërkesa e PD për votimin me dokumente të huaja, duke ia lënë përgjegjësinë KQZ për zgjidhje. A do të ketë një nismë për Komisioni Rregullator?
“Për komisionerin ka përfunduar, për aq sa unë shoh në Kodin Zgjedhor, çdo detyrim për të paraqitur akte normative për shqyrtim nga Komisioni Rregullator, apo për të miratuar akte të karakterit normues, sa i përket votimit nga jashtë.
Gjithsesi kjo nuk përjashton.. Komisioni Rregullator është i pavarur nga KQZ dhe mund të bëjë dhe vlerësojë nëse ka nevojë për të bërë ndryshime në rregullat e votimit nga jashtë.
Si Komisioner Shtetëror, nuk lexoj asgjë në Kodin Zgjedhor për të ndërmarrë asnjë lloj iniciative”, tha Celibashi.
Sa i përket regjistrimeve të emigrantëve në PER, komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se numri i refuzimeve është i lartë, teksa u bëri thirrje të ndjekin udhëzimet e KQZ.
“Relativisht i lartë numri që u është refuzuar kërkesa, por konfirmoj dhe siguroj që të gjitha këto refuzime janë të përligjura dhe vijnë si rrjedhojë e paraqitjes së kërkesës nga këta zgjedhës me çfarë ligji parashikon dhe KQZ ka kërkuar.
U kërkoj votuesve nga jashtë, që para nisjes së procesit të regjistrit është të konsultohen me linjën e ndihmës apo të marrin udhëzimet që ne japim, për të minimizuar sa të jetë e mundur nr e kërkesave që refuzohen.
Procesi nuk është i komplikuar. Nëse respektohet udhëzimet me siguri nuk do të ketë asnjë kërkesë të refuzuar. Ne i kemi ezauruar të gjithë mënyrat dhe format për të adresuar këto problematika. Kemi ndërtuar edhe një sistem të komunikimit të drejtpërdrejtë. Mund të zhvillohet një takim online me operatorët e KQZ-së”, tha ai.
Gjithashtu Celibashi bëri me dije se me 25 shkurt afati i fundit për depozitimin e kërkesave të partive politikë për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, ndërsa më 7 mars përfundon afati për regjistrim e kërkesave të koalicioneve.
“Data 25 shkurt përfundon afati i fundit për depozitimin e kërkesave të partive politikë për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor dhe i komuniteteve nismëtare. Është data e fundit për të paraqitur këto kërkesa.
Do të kemi edhe një komunikim tjetër, për partitë politike që t’i bëjmë me dije, për këtë ndryshim edhe pse ligji është publik.
Në 7 mars përfundon afati për regjistrim e kërkesave të koalicioneve”, tha komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
© Panorama.al











