UPDATE- Në mbledhjen e radhës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka patur debate mes përfaqësuesit të PS-së dhe kreut të KQZ-së, Arben Ristani lidhur me saktësinë e të dhënave të KQZ-së. Sipas përfaqësuesit të PS-së, Genci Gjonçaj të dhënat duhet të pasqyrohen ashtu siç janë dhe jo në interes të atij që garon.
Çdo sjellje tjetër nuk është korrekte, tha ai.
Kreu i KQZ-së replikoi duke i quajtur gënjeshtra deklarimet e përfaqësuesit të PS-së.
“Kërkoni të hidhni baltë. KQZ ka dhënë vetëm të dhëna të sakta, në rast se dyshon, unë do të jap këtë mundësi, së bashku me komisionin unë do t’ju jap mundësinë të shkoni tek databaze. Në rast se keni gënjyer, njëri nga ne do dalë të japë shpjegime publikisht.”- tha Ristani
Edhe përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kërkoi nga Genci Gjonçaj që përpara se të bëhej verifikimi, të thuhej fillimisht ku është bërë gabimi.
Ndërkohë përfaqësuesi i PS-së në KQZ i drejtoi komisionit dy kërkesa, së pari të ndalohet praktika e dhënies së shifrave jo korrekte, dhe së dyti të vihet në funksion i gjithë sistemi i të dhënave që vijnë në KQZ nga KZAZ-te.
Nderkohe raportohet se procesi i numerimit po shkon normalisht, me perjashtim te 8 vendnumerimeve ku eshte ndeprere numerimi, per shkak te lodhjes se numeruesve, por sipas te dhenave te KQZ-se numerimi do te rifilloje shume shpejt.
***
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani ka kërkuar të lejohen vëzhguesit e partive të vogla në procesin e numërimit.
Në mbledhjen e sotme në drekë, Ristani ka njoftuar se ka shumë sinjalizime dhe ankesa nga partitë e vogla që shprehin shqetësim për moslejimin në procesin e numërimit.
“Të merren masa, të njoftohen urgjnet KZAZ-të përkatëse dhe të lejohen vëzhguesit e përcaktuar nga këto subjekte politike”- ka thënë Ristani.
Sipas tij, shqetësimet janë shumë të drejta dhe atyre nuk duhet t’u shkelet asnjë e drejtë që ua përcakton ligji.
© Panorama.al











