Nuk paraqitet Bulku, gjykata pushon padinë ndaj Myftarajt

Dec 20, 2011 | 13:32
Deputetja Rajmonda Bulku

TIRANE – Gjykata e Tiranës pushoi dje padinë e aktores dhe deputetes Rajmonda Bulku, e cila akuzoi për shpifje gazetarin Kastriot Myftaraj. Gazetari Myftaraj u akuzua nga Bulku pas një shkrimi në një të përditshme dhe thënieve të tij në një program televiziv, ku supozonte se shkrimtari Ismail Kadare ka pasur një raport dashurie me Rajmonda Bulkun në kohën kur ajo ushtronte profesionin e aktores së filmave shqiptarë. Gjykata deklaroi dje pushimin e padisë, ndërsa shkak për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor u bë mungesa e paditëses Bulku në sallën e gjyqit. Në orën 11:30 të ditës së djeshme, në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm gazetari Myftaraj. Pala paditëse, në këtë proces aktorja dhe deputetja Bulku, nuk ishte e pranishme në seancë, ndonëse kishin marrë dijeni për orën dhe datën e seancës. Në këto kushte, kryesuesi i seancës, gjyqtari Sokol Tona, në bazë të dispozitave në fuqi, vendosi pushimin e gjykimit. Kjo seancë ishte e dyta në radhë ku paditësja Bulku nuk paraqitej. Në seancën e kaluar, atë të datës 5 dhjetor, Bulku kishte paraqitur një kërkesë për shtyrje të seancës. Mospraninë ajo e argumentonte para gjykatës me angazhimet në funksion të detyrës së deputetes në Kuvendin e Shqipërisë. Atë ditë në

Kastriot Myftaraj

Parlament shqyrtohej projektbuxheti i vitit 2012 dhe, për pasojë, deputetja e sqaronte gjykatën me një letër se duhej të ishte e pranishme në seancën plenare. Padia e Rajmonda Bulkut kundër gazetarit Kastriot Myftaraj u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 7 nëntor të këtij viti. “Hamendësimet dalin nga një mendje e sëmurë si ajo e të akuzuarit Kastriot Myftaraj në një shkrim të botuar nga një e përditshme, thënie që janë shpifje të kryera prej tyre botërisht në dëmin tim, pasi lidhjet që përpiqen të krijojnë të akuzuarit me atë shkrim nuk kanë të bëjnë fare as me jetën time si aktore dhe as me jetën time intime. Thëniet e mësipërme, për të cilat edhe të akuzuarit e dinë mirë që nuk janë të vërteta, janë bërë me qëllim për të cenuar, midis të tjerash, edhe nderin e personalitetin tim”, thuhej në kërkesë-padinë e nënshkruar nga Bulku. ar.ba

GJYKATA
Trupi gjykues në Gjykatën e Tiranës ka zbatuar procedurën gjyqësore për paditë civile dje në momentin kur deklaroi pushimin e padisë ndaj gazetarit Kastriot Myftaraj. Sipas ligjit, padia civile mbyllet në rast se në ndonjë nga seancat ankuesi nuk paraqitet pa lajmëruar gjykatën dhe pa justifikuar mungesën e tij.

© Panorama.al

Te lidhura