“Nuk mund të legjitimohet mbrojtja e Belinda Ballukut”- Gazetari: Ajo ka qenë e qetë në publik, por është verbëruar nga paratë e korrupsionit! Dyshohet se ka përdorur pajisje përgjuese

Dec 16, 2025 | 21:58

Gazetari Almer Toska, i ftuar sot në emisionin “Studio24” në News24, komentoi zhvillimet lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur dyshime të forta për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama dhe tensionet brenda mazhorancës.

toska

Sipas Toskës, Balluku dyshohet se ka ushtruar presion ndaj Ramës përmes komunikimeve që ajo pretendohet se zotëron, ndërsa shtoi se ajo është përdorur nga kryeministri për të firmosur vendime qeveritare, duke marrë mbi vete riskun e vendimmarrjes.

Gazetari ngriti gjithashtu pretendime për kontraktimin e kompanive që disponojnë pajisje përgjimi, përfshirë IMSI Catcher, si dhe për shqetësime të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me këto dyshime dhe me lidhje të mundshme me krimin e organizuar.

Ai theksoi se mbrojtja politike e Ballukut nuk mund të legjitimohet, ndërsa akuzat e ngritura prej tij mbeten pretendime personale dhe nuk janë të konfirmuara nga organet e drejtësisë.

Almer Toska: Pyeteni Ramën kur ka firmosur për herë të fundit një vendim qeverie. Shumicën e vendimeve i ka firmosur Belinda Balluku. Rama e ka zgjedhur atë si njeriun që firmoste në emër të tij dhe merrte mbi vete riskun e vendimmarrjeve që lidhen me përfitime financiare. Ky rol ka pasur një çmim dhe ky çmim po del sot.

Ekzistojnë indicie që Balluku ka ushtruar presion dhe shantazh ndaj Edi Ramës, përmes komunikimeve që ajo dyshohet se i zotëron me kryeministrin dhe persona pranë tij.

Ka dyshime serioze se Balluku ka kontraktuar një kompani që ka përdorur pajisje përgjimi, përfshirë IMSI Catcher, gjë që ka shqetësuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Ndërkombëtarët janë të informuar edhe për pretendimet mbi lidhje të saj me krimin e organizuar.

Nuk është rastësi që sot kanë rënë dy grupe rivale brenda Partisë Socialiste. Kur dy grupet që përplaseshin fort në PS, Agasi dhe Balluku, kanë rënë në të njëjtën ditë. Kur sot Balluku hapte shishen e shampanjës kur i ra kundërshtari, ra edhe vetë sot pasdite.

Nuk mund të legjitimohet mbrojtja e Belinda Ballukut. Ajo ka qenë e qetë në publik, por është verbëruar nga paratë e korrupsionit dhe përfitimet financiare janë në shifra shumë të larta.

© Panorama.al

Te lidhura