“Nuk ka joshje me integritetin territorial dhe kombëtar”- Blushi: Ministri Ferit Hoxha ishte kryenegociatori, më tha “Berisha shiti detin” dhe që…!

May 25, 2026 | 21:47

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, tha sot në studion e emisionit “Studio 24” në televizionin “News24” se marrëveshjen e detit në vitin 2009 kur ishte gazetar ia kishte dhënë ministri i sotëm i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili e kishte nënshkruar vetë si kryenegociator, por bëri përgjegjës si “shitës të detit” ish-kryeministrin Sali Berisha.

blushi

Deklarata u bë gjatë emisionit me temë “Kufiri që ndezi Tiranën dhe Athinën”, pas vizitës së ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias sot në Tiranë për marrëveshjen e detit dhe çështje të tjera.

Ai e cilësoi ministrin Hoxha si “tradhtar të kombit” që duhej hetuar, teksa ngriti alarmin se sot në cilësinë e ministrit mund të bëjë përsëri tradhti me integritetin kombëtar, pasi është ministër i Jashtëm.

“Për fat të keq shqiptarët janë njoftuar nga media greke, Rama ka zgjedhur të mos bëjë transparencën, edhe pse bëhet fjalë për integritetin e territorit shqiptar. Nuk ka joshje në raport me integritetin territorial dhe kombëtar të Shqipërisë. Ne e dimë historinë, ajo nis në vitin 2009, është pak vulgare ta them por një batakçi që sot është ministër i Jashtëm dhe atëherë ishte kryenegociator i marrëveshjes, që ma dha mua si gazetar atë marrëveshje me orientimin se unë e mësova më vonë, se Sali Berisha ka shitur detin. Kur ta thotë një zyrtar i lartë i ministrisë së kryeministri ka shitur territorin kjo për çdo gazetar është lajm”, tregoi deputeti opozitar.

Më tej Blushi shpjegoi edhe detajet dhe se si Hoxha i kishte kërkuar që të mos e tregonte burimin në atë kohë, që të mos zbulohej si personi që kishte ndarë lajmin e marrëveshjes së detit.

“Ai ma dha mua marrëveshjen si gazetar, ndërkohë që ishte firmosës vetë i marrëveshjes si kryenegociator, e kam fjalën për ministrin aktual Ferit Hoxha që më kërkoi të mos e tregoja burimin në atë kohë dhe unë e respektova si gazetar. Por tekstin se Sali Berisha ka shitur detin ma ka dhënë Ferit Hoxha, sepse unë nuk e njihja. Orientimi për atë takim ishte i qartë, se Berisha shiti detin, nuk e kisha idenë se kush ishte kryenegociator apo kush ishte pas saj. Madje gjatë negociatave zoti Hoxha më thoshte se negociatorët ishin të gjithë tradhtarë, vetëm ai nuk më dilte kurrkund. Madje më vonë dikush më tha një ambasador që nuk ia përmend emrin e më tha të falenderoj që më tregove se me çfarë batakçiu paskam punuar”, u shpreh ligjvënësi opozitar.

Blushi vijoi narrativën e tij duke thënë se në atë kohë ka pasur edhe padi nga PS dhe sot që është zbuluar se kush e kishte firmosur atë marrëveshje duhet të kallëzohej ministri Hoxha. Blushi tha se kryeministri Rama qëndron pas marrëveshjes aktuale dhe po bën lojëra të dyfishta apo të trefishta.

“Fakti është që ai që negocioi marrëveshjen, ai e denoncoi te unë, te media, Saimir Tahiri dhe PS e kanë paditur marrëveshjen, pra është paditur Ferit Hoxha për tradhti kombëtare, nga Edi Rama sepse PS është Edi Rama. E them për të kuptuar se kë kemi sot ministër të Jashtëm dhe për kë ministria e dhe qeveria ka hyrë në marrëveshje përsëri. Nuk ka çështje më të rëndësishme se integriteti territorial. Imagjinoni tani se me kë po negociojmë. Ndaj është kthyer në skenë debate edhe me ish-presidentin meta, për lojërat e dyfishta dhe të trefishta të Edi Ramës”, tha deputeti i PL.

© Panorama.al

Te lidhura