Nuk ka investime, nis ulja e deficitit

Sep 22, 2011 | 11:03

Masat që mori qev-eria për të ndalur investimet duke mos lidhur asnjë kontratë dhe duke mos tenderuar projekte të reja, kanë dhënë sinjalet e para tek ulja e deficitit në buxhet. Treguesit fiskalë për 8-mujorin e këtij viti, të publikuar nga Ministria e Financave, japin më qartë edhe ecurinë në zërat e buxhetit.
Deficiti
Nëse në korrik deficiti buxhetor arriti 30.7 miliardë lekë, një nivel ky mjaft i lartë krahasuar me një vit më parë, për muajin gusht vërehet një ulje e deficitit duke shënuar vlerën 30.3 miliardë lekë. Edhe pse një ulje modeste në nivelin e deficitit me vetëm 400 milionë lekë, duket se është një shenjë e mjaftueshme për të treguar se ndalimi i prokurimeve të reja po jep efektin e tij duke i kursyer ca para arkës së shtetit. Ndërkaq, deficiti buxhetor mbetet dukshëm i lartë këtë vit krahasuar me një vit më parë, duke marrë si bazë 8-mujorin. Nëse deri në fund të gushtit të 2010-s deficiti ishte 23.1 miliardë lekë, në fund të gushtit të këtij viti, niveli i deficitit ishte plot 7 miliardë lekë më i lartë. Ulja e moderuar e deficitit duket se ecën në të njëjtin kah me thirrjet e institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat kanë këmbëngulur për një tkurrje të deficitit dhe kthimit të tij në një përqindje më të pranueshme. Deri në fund të vitit qeveria ka planifikuar një deficit në vlerën 46.8 miliardë lekë dhe nga kjo totale, financimi për 8-mujorin ka shënuar një realizim prej 64.8 për qind të planit.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Në periudhën janar-gusht të këtij viti, në arkën e shtetit kanë shkuar rreth 210 miliardë lekë, me një realizim 61 për qind të planit, ndërkohë që deri në fund të vitit, me buxhetin e rishikuar parashikohen që të mblidhen 344 miliardë lekë. Kurse në kahun e shpenzimeve janë realizuar 241 miliardë lekë dhe deri në fund parashikohen 390 miliardë lekë. Realizimi i shpenzimeve të deritanishme përfaqëson 61 për qind të planit të synuar. Krahasuar me vjet, në zërin e të ardhurave janë realizuar 4 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kurse në zërin e shpenzimeve, në fund të 8-mujorit 2011 rezulton një rritje prej 12 miliardë lekësh.

Treguesit fiskale te 8-mujorit

Privatizimet, tejkalohet parashikimi
Është ndër të paktat raste kur parashikimi i qeverisë për një zë është tejkaluar që në mes të vitit, dhe kjo i përket zërit të privatizimeve dhe dividendit. Financimi i deficitit është bërë në një shumë modeste nga privatizimet, të cilat në planin vjetor parashikoheshin të arrinin vlerën 300 milionë lekë, ndërkohë që ky parashikim është tejkaluar duke arritur nivelin 337 milionë lekë.

NERTILA MAHO

 

© Panorama.al

Te lidhura