
Bashkia e Beratit heq nga puna këngët aren e mirënjohur të këngëve popullore, Floresha Dëbinja. E cilësuar si “bilbilja e këngëve popullore beratase”, Floresha Dëbinja pas një karriere të gjatë të aktivitetit saj, sot ndodhet në rrugë, pasi është shkurtuar nga puna. Dëbinja, me një karrierë të madhe si këngëtare donte një vit që të dilte në pension. Ajo punonte prej vitesh në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat. Vetë këngëtarja e njohur, Floresha Dëbinja, është shprehur për gazetën se: “Kam një jetë të tërë që i këndoj qytetit tim me shpirt e pasion për një kohë të gjatë të jetës sime”. Këngëtarja tregon se si ndihet këto ditë pasi mësoi faktin se largohet nga detyra. “Gjithë bashkëqytetarët e mi më kanë duartrokitur për këngët e bukura me taban popullor si dhe këngët e vjetra beratase. Pas një karriere të madhe pune vjen një ditë që pas një shtrydhjeje të madhe si limoni bashkia më hedh në rrugë, kur unë dua edhe një vit që të dal në pension. Edhe pse kam kërkuar nga drejtuesit e bashkisë që të mendojnë për mua ata kanë bërë të kundërtën, duke më hequr pa gjë të keqe. Prisja ndonjë dekoratë nga bashkia, ashtu si ka ndodhur me shoqet e mia nëpër rrethe të tjera. Mua jo vetëm që nuk më kanë vlerësuar, që kam kontribuar një jetë të tërë për Beratin e më gjerë, por më kanë flakur rrugëve”. Sipas këngëtares, nuk hidhet në rrugë një artist, kur do ta mbyllë punën sipas ligjit e të dalë në pension. “Megjithëse nuk përfundon këtu karriera e artistit, pasi artistët nuk kanë pleqëri por me talentin e tyre kontribuojnë për argëtimin e komunitetit. Edhe pse unë kërkova ndihmë e lotova në prezencë të Këshillit Bashkiak e kryetarit të bashkisë, nuk m’u dha asnjë përgjigje”, deklaroi Dëbinja. Zyrtarisht, Bashkia e Beratit ka deklaruar se shkurtimet vijnë për mungesë fondesh. Kryebashkiaku Fadil Nasufi, në një deklaratë të bërë dy ditë më para paralajmëroi shkrirjen e qendrës së kulturës në Berat. “Nuk ka sjellë asnjëherë të ardhura për bashkinë”, deklaroi Nasufi në mbledhjen e së mërkurës, ku i komunikoi dhe largimin nga detyra të këngëtares së njohur. Bashkë me të janë larguar dhe dy muzikantë të qendrës. Tashmë, në qendrën e Kulturës kanë mbetur vetëm pak punonjës, ndërsa nuk dihet se deri kur do të zgjasë afati i tyre i punësimit, pas paralajmërimit të bërë nga kryebashkiaku.
Më 1 janar, të larguar dhe 40 punonjës
Në fund të vitit, 40 punonjës të Bashkisë së Beratit do të largohen nga puna. Ky fakt u bë i ditur dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të së mërkurës, ku në rend të ditës ishte dhe miratimi i strukturës së organikës. Sipas kryebashkiakut Fadil Nasufi, shkurtimet po diktohen nga mungesa e fondeve apo probleme të tjera. Sipas tij, më tej shkurtimet do të vazhdojnë në nivel të administratës së Bashkisë.
BERAT/ DILAVER XHELILI











