Ata paralajmërojnë se do të hidhen në protesta, nëse u mohohet kjo e drejtë. Më problematike situata paraqitet në Tiranë, ku bashkia jo vetëm që nuk pranon të rimbursojë taksimetrat, por nuk i njeh fare tipet e tyre të miratuara nga Drejtoria e Metrologjisë. Sindikata Shqiptare e Taksive e konsideron këtë masë shkeljeje flagrante të ligjit, në kurriz të këtij biznesi. “Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës na ka kërkuar që veç kopjes së mandat-pagesës, të dorëzojmë edhe faturën tatimore, e cila në vitin 2008 nuk praktikohej. Por edhe sikur të lëshohej kjo faturë, vendimi përkatës për procedurat e rimbursimit në listën e dokumenteve që kërkon për të përfituar rimbursim të kasave dhe taksimetrave, e lë faturën si alternativë të dytë. Ne zotërojmë mandat-pagesën, të gjithë dokumentet i kemi në rregull dhe na duket absurd ky qëndrim i bashkisë”, u shpreh kryetari i Sindikatës Shqiptare të Taksistëve, Gëzim Bardhi. Sipas tij, Bashkia e Tiranës refuzon të njohë 3 tipet e taksimetrave, të cilat janë të miratuar me vendime të posaçme. Pak ditë më parë, sindikata i ka dorëzuar edhe një shkresë Ministrisë së Financave, ku kërkon të zbatohen vendimet e qeverisë. Sasia e parave që taksistët do të përfitojnë nga rimbursimi është 30 mijë lekë. “Dokumenti kryesor për taksimetrat, që vërteton në mënyrë ligjore pajisjen me to, është fatura e pumbosjes, e cila lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Ky dokument është dorëzuar nga taksistët në drejtoritë e licencimit, në të gjitha bashkitë në territorin e republikës, por edhe pse është baza, jo vetëm që nuk merret parasysh, por na nxirren lloj-lloj justifikimesh për të mos na paguar”, shprehet sekretari i Sindikatës Shqiptare të Taksive të Shqipërisë, Xhavid Baraj. Sipas tij shkelet vendimi nr. 1065 për kriteret dhe procedurat e kryerjes së rimbursimit nga taksa e biznesit të vogël të pagesës për pajisjet fiskale dhe taksimetrat. Sipas vendimit, tatim-paguesi duhet të dorëzojë pranë zyrës së taksave të bashkisë, apo komunës 4 dokumente. “Problemi ne na lind me pikën e parë. Në vendim thuhet se duhet të dorëzohet kopja e mandat-pagesës së bërë për blerjen e pajisjes së parë fiskale, ose kuponi tatimor, i shqipëruar me kopjen e faturës së blerjes. Zyra e tatim-taksave në bashki na kërkon domosdoshmërisht faturën. Ndërkohë që sipas këtij vendimi, asnjë taksist nuk penalizohet ligjërisht, nëse nuk e ka kuponin”, thotë Baraj. Nga ana tjetër, kreu i Sindikatës së Taksistëve të Shqipërisë paralajmëron se në rast se rimbursimi nuk nis të bëhet deri në 1 mars, atëherë 4000 taksistë në të gjithë vendin do të hidhen në protesta. “Nuk do të lejojmë nëpunësit e bashkisë të futen në zyrat e tyre. Janë para që na takojnë më ligj. Biznesi ynë po vazhdon të masakrohet nga konkurrenca e paligjshme. Listat e të gjithë taksive, të pajisura me taksimetra janë pranë çdo bashkie që mbledhin taksat tona, pa u kujdesur aspak për mbrojtjen e biznesit tonë”, shprehet Bardhi. Edhe vendimi përkatës i qeverisë, që mban datën 28.12 .2010, përcakton se zyrat e taksave të bashkive bëjnë llogaritjen e detyrimit të kësteve të taksës.
Zirina Llambro











