Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e 105 vjetorit të shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Rama tha se ceremonia u zhvillua në kushte paradoksi, pasi kryetari i bashkisë mungon.
Kujtojmë se kreybashkiaku Erion Veliaj u arrestu dje me urdhër të SPAK-ut.
Lidhur me arrestimin e Veliajt, Rama tha se kontrata e kryetarit të zgjedhur nga qytetarët është ndërprerë nga dikush që ai vetë nuk e njeh as me fytyrë.
“Kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marri pa gjyq dhe ta mbylli në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua, se llogari përpara kujt jep”, tha Rama, teksa theksoi se ai nuk e di nëse Erioni është i pafajshëm, ose jo.
Rama: Sot jemi këtu për të kremtuar një përvjetor, 105 vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë i zgjedhur nga çerek milion zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës sonë politike me qytetarët e Tiranës.
Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht dhe sinqerisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë, kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë.
Unë nuk e di dhe nuk më takon mua ta them nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij siç ndaj çdo individi, nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por është dhe një detyrim ndaj të gjithë atyre që e kanë zgjedhur në mënyrë që të bëhen që të dyja, edhe puna për kontratën me zgjedhësit, edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë deri në fund, në një proces të rregullt me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar në të gjitha shkallët e gjykimit fajin ose pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër.
Për hir të vërtetës, ne deri më sot kemi zgjedhur që të mos komentojmë. Kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi. Është mbyllur në shtëpi në një qytet në skaj të Shqipërisë ku burimet njerëzore nuk janë të pafundme dhe i është ndaluar të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq, pa gjyq.
Mund të vazhdoj edhe me raste të tjera, i kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur që koha dhe reflektimi i brendshëm i institucioneve më të reja, domosdoshmëria për të pajtuar përpjekjet për drejtësi me standardet europiane të drejtësisë duhet të bëjnë të tyren pa pasur nevojë që ne të flasim.
Mirëpo ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë pa lëkundjen e mbështetur nga ne për të hetuar dhe për të çuar përpara drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur t’i japësh mundësinë të ushtrohet dhe të gjithë kohën që ndërkohë hetohet dhe gjykohet.
Nuk dua të sjell shembuj nga Europa ku duam të integrohemi, por dua të them që paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu.
Thënë të gjitha këto, e përsëris që ne nuk kemi asnjë diskutim në domosdoshmërinë për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korrupsionit.
Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele me dhjetëra e dhjetëra faqe anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.
Më vjen keq, nuk e pretendoj që në këtë çfarë do them jam neutral apo i pavarur apo i zhveshur nga interesi sepse në fund të fundit, jam udhëheqësi, kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit 3 muaj përpara zgjedhjeve.
Pra jemi në një situatë shumë delikate, jo për ne, në aspektin politik, jo për ne, në aspektin e raportit tonë me drejtësinë dhe e përsëris nuk më takon mua dhe nuk na takon ne dhe nuk kanë për ta dëgjuar njerëzit që ne të themi nëse Erioni është i fajshëm apo i pafajshëm. Kjo është e drejtësisë.
Por që ne do të ngremë shumë pyetje dhe shumë pikëpyetje, jo për këtë rast, por për shumë raste të tjera në vijim, duke e mbështetur drejtësinë, duke mbështetur pavarësinë e saj, por njëkohësisht duke kërkuar të drejta.
Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar, e dini këtë? Jam dëshmitar për intimidim të personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia përpara rënies së regjimit. Jam futur në makinën e policisë, jam çuar në një repart a rajon çfarë ishte se unë si di mirë këto, në mos gaboj aty ku ka qenë Prokuroria e Tiranës, nuk e di nëse është aty akoma dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndieja që po tradhtoja babain. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati, që është punonjës në shtet duke i thënë: mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje fare me fajësinë apo pafajësinë e Erionit.
Arrestimi i Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua rreth orës 14:00 të së hënës (10 shkurt), pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.
Veliaj u filmua teksa dilte nga dera e Bashkisë me një dosje gri në dorë, i shoqëruar në distancë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Veliaj akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një skemë me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, që sipas SPAK është vërtetuar në nëntë raste.
© Panorama.al











