“Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë e Europës”, theksoi Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur deklaratave që presidenti amerikan drejtoi ndaj kontinentit.
“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet, nuk është puna jonë [e Brukselit] të vendosim se kush do të jetë udhëheqësi i një vendi, por është vendimi i popullit të atij vendi”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian. “Kjo është sovraniteti i votuesve dhe duhet të mbrohet”, tha ajo gjatë një interviste në gala-n e Politico-s për 28 figurat më me ndikim në Bruksel.
E pyetur për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-ve, e publikuar javën e kaluar dhe që shkaktoi tronditje në Europë, Von der Leyen tha se “pa asnjë dyshim, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë”.
Dokumenti i Sigurisë argumenton se Europa përballet me një “shuarje të kulturës” brenda 20 viteve të ardhshme, një tezë e përdorur nga liderë të ekstremit të djathtë në BE, si kryeministri hungarez Viktor Orbán, si edhe nga Rusia.
Përveç kësaj, dokumenti kritikon përpjekjet e vendeve europiane për të kufizuar partitë e ekstremit të djathtë, duke i quajtur këto veprime “censurë politike”, ndërsa bën thirrje për “kultivim të rezistencës ndaj kursit aktual të Europës brenda kombeve europiane”.
Vetëm të martën Trump e përshkroi Europën si një grup kombesh në shpërbërje, me udhëheqës “njerëz të dobët”. “Mendoj se janë të dobët, që nuk dinë ç’bëjnë. Europa nuk di ç’të bëjë”, u shpreh ai.
Sipas Von der Leyen, ky është një nga arsyet pse BE ka propozuar “Mburojën e Demokracisë”, një mjet për luftimin e ndërhyrjeve të huaja në internet, ndërhyrje që duken qartë gjatë proceseve zgjedhore.
Megjithatë, ajo tha se ka pasur gjithmonë “marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi” me presidentët amerikanë, dhe “kjo vlen edhe sot”. Por shtoi se Europa duhet të fokusohet te vetja, jo të krahasohet me të tjerët.
“Me gjithë zemër jam një mbështetëse e flaktë e bashkëpunimit transatlantik. Por çfarë është më e rëndësishmja? Që jemi krenarë që i përkasim Bashkimit Europian, që njohim forcën tonë dhe përballemi me sfidat që kemi”, tha ajo.
Ajo shtoi: “Sigurisht, marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar. Pse? Sepse po ndryshojmë edhe ne. Dhe është thelbësore ta kemi parasysh: cila është pozita jonë? Cila është forca jonë? Le të punojmë mbi këto. Le të jemi krenarë për to. Le të mbrojmë një Europë të bashkuar. Ky është detyrimi ynë… të shohim veten dhe të jemi krenarë për veten”, përfundoi shefja e Komisionit Europian, mes duartrokitjeve të publikut.
© Panorama.al












