Nora Klosi: “Ju tregoj Blendin që njoh vetëm unë”

Nov 27, 2011 | 11:14
NORA DHE ARONI, GJATE FESTES SE DITELINDJES

Bashkëshortja e Blendi Klosit, deputetit të Partisë Socialiste, rrëfehet pas lindjes së djalit. Çfarë ka ndryshuar në jetën e saj pas ardhjes në jetë të Aronit, si po e përjeton mëmësinë, interesi për politikën dhe komenti mbi qasjen e fundit letrare të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Një karrierë në “shina” të sigurta dhe realizimi profesional si producente ekzekutive në Tv Klan. Nora Klosi flet për “Unë Gruaja” .

Jeta e saj nuk është më ajo e para. Shumëçka ka ndryshuar pas të bërit nënë. Çdo angazhim i ditës, çdo takim apo organizim pune vendoset me përparësi kryesore fëmijën, mandej të tjerat. Nora Klosi e ka kuptuar rëndësinë e të qenët nënë, fill pas takimit “mishtor” me të voglin. Por, me gjithë frikërat e fillimit dhe mungesën e eksperiencës në këtë fazë të re të jetës, ndihmesa e mamasë së saj jo vetëm e ka shpëtuar, por mirëfilli ka ripozicionuar rolin e pazëvendësueshëm që kanë gjyshet në jetën e nipit apo mbesës. Ngase me angazhimin e përditshëm politik të të shoqit, 29-vjeçarja e njeh symbyllur terrenin përreth dhe shansin e reduktuar e të pasurit në krah të Blendit, në rastet e ndonjë temperature të lartë apo gripi stinor të Aronit 1-vjeçar. Dhe mes përpjekjeve për të mos i dramatizuar situatat, apo për të mos bërë gruan “viktimë” që i bën të gjitha vetë, ajo ka gjetur ekuilibrat duke organizuar oraret, në mënyrë që secili nga bashkëshortët të jetë mjaftueshëm i përfshirë në punën e tij. Në ato pak orë të qëndrimit të Blendit në shtëpi, boshti i diskutimeve rrotullohet vetëm kah Aroni i vogël. Gjithçka tjetër që ka lidhje me punën në televizion, apo ca më tepër me politikën, lihen jashtë pragut të shtëpisë. Në këtë intervistë, Nora Klosi kthehet pas në kohë, një vit më parë kur në jetë erdhi Aroni, kujton të qarën e parë të bebes, praninë e Blendit në sallën e lindjes, përfshirjen e beftë të të shoqit në grevën e urisë së Partisë Socialiste, sakaq interesin për politikën dhe përmbushjen profesionale. Nora tregon të tjera detaje interesante rreth jetës së saj si nënë dhe si bashkëshorte.
Pak ditë më parë, Aroni i vogël mbushi 1 vjeç. Si e festuat?
Organizuam një festë me fëmijë, ku kishim ftuar disa miq të përbashkët, prindër me fëmijë e shoqëri tonën. Ishte një ambient i këndshëm, i zbukuruar me tullumbace e klounë. Një atmosferë që iu përshtat fëmijëve, sigurisht jo të moshës së Aronit, sepse ai është vetëm 1 vjeç. Besoj se ishte një ditëlindje që ai do ta kujtojë kur të rritet.
Nora, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde pas ardhjes në jetë të djalit?

Nora dhe Blendi Klosi, ditën e dasmës

Gjithçka ka ndryshuar. Aq sa ndonjëherë, më duket sikur janë dy Nora, dy jetë jo të ngjashme me njëra-tjetrën. Me lindjen e tim biri, ditët e mia janë më intensive, dhe mundohem të organizoj çdo takim apo orar në favor të Aronit. Kur bëhesh prind, përgjegjësitë rriten dhe kursi i jetës të ndryshon plotësisht. Aron… tingëllon një gjetje, në mos versioni i përmbysur i emrit tuaj. E kujt ishte ideja?
Është e vërtetë, që emri i djalit, Aron, është versioni mbrapsht i germave të emrit tim. Përpara lindjes së tij kishim hulumtuar shumë me Blendin në internet, apo në librat për fëmijë. Dhe Aron ishte emri i parë në listë e, përpos përkimit të germave me emrin tim, ishte vendim i Blendit që djali të quhej kështu. Për mua ishte absolutisht vlerësim fakti që Blendi nuk shfaqi asnjë shenjë egoizmi si prind, apo si bashkëshort për të kombinuar germat e emrave tanë, apo për të vendosur një tjetër version të tij të preferuar.
Përpara se të vinte në jetë, si e përfytyronit?
Që të jem e sinqertë, gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë nuk kam menduar fare për procesin e lindjes, për dhimbjet e lindjes apo vështirësitë. Nuk kam menduar as faktin se kujt do t’i ngjante djali. Nuk doja të mendoja kësi gjërash, të cilat nuk i kisha të përjetuara. Por, njëherësh doja që situatat të vinin natyrshëm. E mora gjithçka me shumë thjeshtësi dhe sportivitet.
Kishit një lindje natyrale?
Po, ishte një lindje natyrale. Falë zotit, nuk pata vështirësi, me sa duket edhe Aroni më ndihmoi shumë. Shkova në maternitet vetëm dy orë përpara se të lindja dhe, nën kujdesin e mjekut Halim Kosova, por edhe të stafit, gjithçka shkoi mbarë. Përpara se të nisesha për në maternitet, nuk mendoja për emocionet apo për dhimbjet e lindjes, sepse kisha mendjen se mos harroja gjësend pa marrë me vete në çantë. Gjithçka atë ditë ishte emocion, edhe prania e Blendit gjatë gjithë kohës në maternitet.
Bashkëshorti yt ishte i pranishëm në sallën e lindjes?

Familja Klosi, në dtëlindjen e parë të Aronit

Ishte gjatë gjithë kohës aty me mua. Edhe në çastin kur filluan dhimbjet e para, edhe kur më shtruan në sallën e lindjes, edhe gjatë momentit të ardhjes në jetë të djalit. Blendi ishte në çdo çast pranë meje. As e kishim menduar më parë, dhe as e kishim planifikuar si zgjedhje. Erdhi ashtu natyrshëm… si lindja e Aronit. Ajo ditë ishte e mbushur me emocione, por nuk do ta harroj momentin kur ma vendosën djalin në kraharor. Të qarën e parë të tij dhe lotët e mi nga emocionet drithëruese. Për një çast, e shikoja atë krijesë të vogël dhe mendoja si do të ndryshonte jeta jonë nga prania e tij.
Shtatzënia juaj kaloi jo pa ngarkesa emocionale, fakti që ajo përkoi edhe me përfshirjen e Blendit në grevën e urisë së Partisë Socialiste. Pak retrospektivë në përjetimet emocionale tuat, dhe frikën për shkak të sëmundjes së diabetit prej së cilës vuan bashkëshorti…
Për shkak edhe të shtatzënisë, femrat bëhen më të ndjeshme. Kam qarë shumë, pafundësisht shumë atë periudhë. Isha vetëm tremuajshe, dhe ajo ishte faza e formimit të djalit, që u shoqërua me aq shumë ngarkesë emocionale nga ana ime. Të shohim kur të rritet Aroni, nëse do ketë trashëguar ndopak pjesën delikate të ndjeshmërisë dhe të të qarit. Vendimi i përfshirjes së tij në grevën e urisë ishte vendim i tij. Blendi e ka shumë pasion politikën, dhe nuk mund të bëjë pa të. Vendimin e përfshirjes në grevën e urisë e mori gjatë mbledhjes së rëndësishme të Partisë Socialiste. Sigurisht që unë e mbështeta, por nuk e kisha menduar që do të ishte aq e vështirë për t’u përballuar. Shkoja e takoja përditë Blendin në çadër, e ai përpiqej të më qetësonte, duke më thënë se ishte mirë. Meraku im ishte edhe sëmundja e diabetit, ndonëse ajo është në gradë të lehtë, por e vuaja shumë atë situatë. Ka qenë një përjetim i tmerrshëm, plot ankthe dhe frikë.
Aroni lindi si një fëmijë i shëndetshëm, por cilat ishin frikërat e një nëne të re?
Nuk e di çfarë do të bëja pa ndihmën e mamasë sime. Vetëm disa minuta pasi linda djalin, ajo erdhi për të më parë në maternitet, dhe prej asaj dite nuk është ndarë për asnjë moment nga Aroni. Muajt e parë të rritjes dhe angazhimit me djalin kanë qenë sfilitës, por edhe të mbushur me frikë. Deri tre muajt e parë nuk e kam larë tim bir, këtë gjë e ka bërë mamaja ime. Unë vetëm asistoja duke e ndihmuar. Kisha frikë të tmerrshme se mos më binte nga dora ose se nuk e mbaja mirë. Ndërsa gjatë gjithë kohës që ai flinte, unë qëndroja zgjuar për ta parë nëse merrte frymë apo jo. Përvoja sigurisht që luan rol të rëndësishëm, por me ndihmesën e pazëvendësueshme të nënës sime të dyja ia kemi dalë mbanë.
Duket se i keni hyrë pak në hak jetës së mamasë suaj…
E vuaj këtë pjesë, sepse i kam ndryshuar tërësisht jetën. Ajo nuk ka më kohë të lirë për veten, apo për të konsumuar një kafe me mikeshat e saj, sepse i duhet të kujdeset për Aronin. Megjithëse i kam hyrë në hak, besoj se i kam dhënë edhe një motiv të fortë, një nip të dëshiruar që i ka zbukuruar jetën. Dhe them se ajo e bën me kënaqësi këtë pjesë.
Po Blendi sa bashkëpunues ka qenë në drejtim të rritjes së djalit?
Tre muajt e parë, Aroni vetëm ka qarë, ndaj gjumin e bënim me turne. Zgjoheshim me radhë për ta mbajtur në krahë dhe vetëm kështu i vogli qetësohej. Nuk di ta shpjegoj, por në krahët e Blendit Aroni nuk qan kurrë. Ata të dy argëtohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Sa i takon pjesës së ndërrimit të pelenave apo ushqyerjes së djalit, Blendi nuk di t’i bëjë kësi gjërash. Me gjithë ndihmesën që ai mund të ofrojë, pjesa e rritjes së fëmijës kryesisht i përket nënës. Ashtu siç e kam ushqyer djalin me  qumësht gjiri deri në 10 muaj, e mandej gjithë proceset normale të rritjes së tij.
Çfarë ka ndryshuar tek Blendi, pas ardhjes në jetë të djalit?
Blendi është bërë shumë i ndjeshëm dhe kuptoj se Aroni i ka zbukuruar jetën atij. Luajnë së bashku, qeshin të dy, ndërsa gjatë ditës interesi parësor është kundrejt të voglit, nëse është mirë me shëndet, është ushqyer etj. Blendi është njeri i qetë, është pozitiv dhe një individ që nuk mendon asnjëherë keq për askënd. Na jep pa fund dashuri. Ai mund të mos jetë gjithë ditën prezent me ne, por vëmendja me telefonata, SMS, me fotografi nuk mungon kurrë. Prania e djalit në çiftin tonë na ka dhënë më shumë forcë dhe besim te vetja.
Mendoni se angazhimi i tij politik i merr më shumë kohë seç duhet?
Ndodh përditë që ai të mos jetë i pranishëm në shtëpi, për shkak të angazhimit politik, por edhe rolit të tij në Partinë Socialiste. U bëmë gjashtë vjet bashkë dhe unë jam mësuar me këtë ritëm. Deri në momentin që lindi djali, kësi mungesash nuk më bënin përshtypje, sepse dhe unë isha gjithë ditën e angazhuar me punë në televizionin “Klan”. Por, me lindjen e djalit, mundohem të mos e pengoj, duke i kërkuar me ngulm që të lërë punën dhe të jetë pranë djalit. Përpiqem të mos bëhem pengesë, duke mos ia dramatizuar situatat, edhe kur Aroni ka temperaturë të lehtë, grip stinor, apo grindje të forta e të qara për shkak të daljes së dhëmbëve. Këto situata janë normale për një fëmijë të moshës së tij. Duke mos i bërë “viktimën” apo femrën këmbëngulëse që me çdo kusht kërkon bashkëshortin në shtëpi, i lë atij më shumë hapësirë për t’u marrë më streset e problemet e situatave politike. Mundohem të menaxhoj oraret dhe situatat, në mënyrë që secili të jetë i pranishëm në angazhimet respektive profesionale.
Sa vend zënë diskutimet politike në familje?
Aq pak kohë sa qëndrojmë së bashku në shtëpi, nuk kemi mundësi të diskutojmë për politikën. Politika i përket Blendit, ndërsa interesi im ndaj saj nuk ekziston, sepse mjafton një politikan nën një çati, dy janë tepër. Në shtëpi unë njoh Blendin tjetër, jashtë kostumit zyrtar. Në ambientin familjar është Blendi i çlirët, i shkujdesur, baba i vëmendshëm ndaj të birit, është bashkëshorti im. Sidomos në këtë periudhë të vështirë me plot zhvillime të reja në Partinë Socialiste, politika e nervozon dhe ai nuk tenton të na përfshijë në stresin e politikës.
Megjithatë, besoj se nuk ka kaluar pa vëmendje qasja e fundit e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për t’u prezantuar si autor i librit “Kurban”. Cili është komenti yt?
Me Aronin e vogël nëpër shtëpi, që në çdo çast kërkon përkujdesje dhe vëmendje, nuk më mbetet kohë e lirë për të lexuar libra. Di vetëm që Edi Rama shkruan llahtar bukur, ndërsa kur shprehet mediatikisht ka një oratori të jashtëzakonshme. Për njerëzit që besojnë atë që ai thotë, Edi Rama thotë pikërisht ato gjëra që veshi i një individi do të dëgjojë. Sigurisht që jo të gjithë besojnë apo mendojnë si ai. Gjithnjë emocionohem nga fjalimet e tij dhe këtë ia shpreh shpesh edhe Blendit. Sa i përket librit, im shoq më ka lexuar disa paragrafë të shkurtër, të cilët i kemi komentuar të dy për stilin e të shkruarit apo për mesazhin që ato përcjellin.
A ka një paragraf që të ka mbetur në mendje?
Po, janë disa pjesë interesante që Rama ia “kushton” Berishës (qesh). Kur të më krijohet mundësia për ta lexuar nga rreshti i parë tek i fundit, mbase do mundem të bëj një analizë apo koment të detajuar të “Kurban”-it të Ramës.
Po ndërkohë je edhe producente televizive në Tv Klan, çka do të thotë se jeni e angazhuar non stop…
Çdo fazë e jetës ka vështirësitë, njëherësh edhe bukurinë e saj. Të bërit nënë më ka ndryshuar tërësisht, më ka bërë më të ndjeshme, aq sa çdo orë e ditës organizohet në favor të djalit. Jeta bashkëshortore me Blendin më ka dhënë shumë kënaqësi, kam pranë bashkëshortin dhe babanë e dëshiruar për fëmijën tim. Përpos të gjithave, angazhimi profesional dhe puna ime e përditshme në Tv Klan është një aspekt i rëndësishëm i jetës. Kam mbi tetë vjet që punoj në këtë televizion. Përpara lindjes së Aronit punoja nga mëngjesi në darkë, dëshira për punën dhe vullneti i fortë më shtynin drejt ideve të reja, organizimeve dhe koordinimeve të detajuara në spektakle apo emisione që realizoja si drejtoreshë ekzekutive e tyre. Në këmbim marr shumë kënaqësi, sidomos kur shoh transmetimet apo suksesin që këto formate kanë tek audienca. Ndihem më shumë se e realizuar, qoftë në aspektin profesional, si nënë apo si bashkëshorte.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura