
Duket se të jesh person publik, ka risqet e veta. Në këtë rast, akuza e modeles kosovare nga Kosova, Edita, drejtuar ndaj reperit me famë Noizy, se pasi ai e kishte lënë shtatzënë më pas e kishte braktisur, nuk ka kaluar aq lehtë për jetën private të këngëtarit. 22-vjeçarja pohonte në intervistën e saj javën e kaluar te “Panorama”, se ndihej shumë e lënduar, pasi nga indiferenca e këngëtarit ishte detyruar të abortonte fëmijën 6-javësh. Nga ana tjetër, 24-vjeçari që ka një vajzë 4- vjeçare nga lidhja e tij e dashurisë në Londër, direkt pas publikimit të kësaj interviste ka marrë një ultimatum nga ish e dashura, nëna e fëmijës së tyre. Thuhet se ajo tashmë ia ka hequr të drejtën që ai të takojë vajzën. Noizy, edhe pse shumë i ri për të qenë prind, e ka shijuar jashtë mase statusin e babait, duke kaluar shumë kohën me vajzën e tij Leandra, e cila aktualisht jeton në Londër me të ëmën. Por duket se ish e dashura e tij nuk ia toleron të tilla gjëra Noizy-t, ndërsa duhet të ruajë të pastër figurën e babait në sytë e së bijës. Gjithsesi, një reperi i shkon gjithçka dhe ndoshta inati do të zbutet dhe gjërat do të kthehen në normalitet. Deri para dy vitesh, askush nuk dinte më shumë për jetën private të Noizy-t, djalit të ardhur nga Londra për t’u bërë i famshëm si reper në Shqipëri. Shkaktoi habi të madhe për fansat e tij, kur ai dy vite më parë, bashkë me albumin e ri “Pak më ndryshe”, publikoi “single”-in “Little Lady”, një këngë kushtuar vajzës së tij, duke deklaruar në të njëjtën kohë se ishte babai i një vajze. Lidhjen me vajzën, nga e cila erdhi në jetë Leandra, ai e ka komentuar në intervista të ndryshme si historinë e tij të vërtetë të dashurisë, që i kishte ndodhur që në moshën 15-vjeçare. Ndërkohë, periudha pas famës është shoqëruar me shumë komente e lidhje të ndryshme me vajza të bukura, kryesisht miss-e e modele nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Nuk dihet tashmë se sa e vërtetë është një lidhje mes tij dhe Tunës, fakt ky i pohuar nga modelja Edita, e cila pretendonte se kishte pasur një lidhje me Noizy-n, por ai e kishte ndërprerë pa dhënë arsye, pasi është lidhur me Tunën.











