“Vetem nje Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Europian është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim”. Keshtu eshte shprehur Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi gjate fjales se mbajtur në Nju Jork, ne Samitin e Liderëve të Ballkanit.
“Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga ne. Mirëpo, suksesi është i garantuar nëse të gjitha shtetet punojnë së bashku për të adresuar sfidat, për të ndërtuar konsensus të përbashkët për çështjet e interesit vital”, ka thënë ai.
Gjatë këtij procesi, sipas tij, të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të përqafojnë dhe të çmojnë kulturat e njëri-tjetrit dhe duhet të bashkëpunojnë fuqimisht me njëri-tjetrin për zhvillim të përbashkët dhe prosperitet – “për të ardhmen e përbashkët në BE dhe në NATO”.
“Ndërsa, Bashkimi Europian, pa hezitim duhet t’i mbajë dyert e hapura për të gjitha vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin, sepse vetëm kështu do të përmbyllet vizioni i Europës së bashkuar e në paqe, parim ky mbi të cilin është ndërtuar BE”, theksoi Kryeministri Thaçi.
Duke i bërë një vështrim rrugëtimit të Kosovës gjatë më se tre vjetëve nga shpallja e pavarësisë, Thaçi tha se vendi ynë tashmë është njohur nga 84 shtete anëtare të Kombeve te Bashkuara, prej tyre nga shtetet më të fuqishme në botë, duke përfshirë SHBA’në dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të NATO’s, Këshillit të Europës, Organizatës së Konferencës Islamike etj, që reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron sundimi i ligjit. (Ekspress)
© Panorama.al











