Nju Jork, Berisha: PS, pjesë e reformave për BE

Sep 20, 2011 | 11:20

NJU JORK- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka përshëndetur nga Nju Jorku kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se ajo do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE.

Deklarata ëshë bërë gjatë takimit që Berisha zhvilloi me kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Joseph Crowley, të cilët ishin të pranishëm në punimet e Forumit të Investimeve SHBA – Shqipëri. Berisha vlerësoi qëndrimet e qeverisë amerikane në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, përfshirë zgjedhjet e fundit të zhvilluara.

Një pikë e rëndësishme e bisedës ishte cështja e Kosovës dhe njohjes së mëtejshme të saj. Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj.

Kongresmeni Engel e siguroi Berishën për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj.

Kryeministri, nga ana e tij, konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.

© Panorama.al

Te lidhura