Njësia 5, kutitë e picave barazojnë ato të votimit

May 14, 2011 | 11:22
Deputetët e PS dje në KZAZ-në Nr.49 në Njësinë Nr.5 në Tiranë

Disa numërojnë. Disa vëzhgojnë. Të tjerë monitorojnë, raportojnë, debatojnë. Por ka edhe nga ata që flasin me vete… Shkolla “Vasil Shanto”, ku po numërohen votat e fundit për Tiranën, është vendi i dy fjalëve: Rama-Basha.Vendi ku e gjithë Shqipëria ka numëruar dje pas çdo vote të shfaqur në ekran. Ndërsa më poshtë mund të mësoni atë çfarë nuk patë dot…
Mesdita
Aty ku shkruhet me të kuqe “Mirë se vini nxënës të dashur!” deputetët mbajnë radhë për të hyrë brenda. Demokratë dhe socialistë tregojnë dokumentet e identifikimit para forcave të rendit, ndërsa ora ka kaluar 14:00. Duket se janë zgjuar paksa vonë dje, përveç socialistes Eglantina Gjermeni, e cila e ka nisur ditën me mëngjes në këtë qendër dhe po aty e përfundoi deri në mesnatë. Ajo mund të quhet edhe “heroina” e PS-së në KZAZ-në Nr. 49, pasi nuk është parë të largohet më shumë se 5 minuta, teksa ka ngrënë një sanduiç të improvizuar brenda ambienteve të shkollës. E patrukuar dhe pa taka, Gjermeni ka mbajtur nën vëzhgim dhe kontroll çdo zhvillim aty brenda, edhe pse publikisht janë përpjekur të flasin të tjerë, si deputeti Fatmir Toçi apo Erion Braçe. Ky i fundit, edhe pse është parë vetëm dy minuta gjithsej pranë KZAZ-së, doli më

Deputetja Vokshi dje në Njësinë Nr.5

pas në një konferencë për shtyp, ku akuzoi komisionerët e Partisë Demokratike si keqbërës dhe që janë çuar aty posaçërisht për të deformuar rezultatin. Braçe u kërkoi komisionerëve të djathtë, Avni Hasa (nënkomisar), Andi Toma (Drejtoria e Rrugëve), Ervin Minarolli (Drejtoria e Transportit), Martin Biba (nëndrejtor i Sigurisë për portet dhe aeroportet) dhe Lirim Prendi (inspektor antikorrupsioni) që të çoheshin nga tryeza dhe të ndërprisnin numërimin. Ata nuk ia prishën qejfin deputetit socialist. U çuan vërtet nga tryeza, lanë në mes numërimin dhe… nisën të hanin të uritur picat e porositura nga jashtë, së bashku me vëzhguesit e Partisë Demokratike. Ndonjë copë e provuan edhe deputetët e tjerë, si Genc Ruli dhe Albana Vokshi, të cilët edhe ata kanë ndenjur me orë të gjata në këtë njësi, ndërsa Gent Strazimiri, Mesila Doda dhe Gert Bogdani u mjaftuan me një “ju bëftë mirë”. Më pas ata stivuan njëra sipër tjetrës kutitë bosh të picave, ashtu siç matanë prisnin të stivuara kutitë me vota për t’u numëruar…
Pasdite
Pritja për numërimin e votave u bë e zakonshme në KZAZ-në 49, ashtu si edhe mbeturinat aty. Kartonë të shqyer më katërsh u bënë “kolltukët” e preferuar të personave brenda, ndërsa shishet e ujit të boshatisura përdoreshin si toptha për të lozur gjatë pritjes. Ata më të hutuarit i përdornin edhe si mjet antistres, duke i shtypur, drejtuar, fryrë, edhe pse më parë i kishin shkelur… Pranë tyre, letra çokollatash, patatinash, karamelesh e gjithfarë mbeturinash “që të do zemra”. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ajri rëndohej çdo moment. Për nga temperatura mund të të dukej vetja në sauna; për nga pisllëku, në KZAZ-në Nr. 49! Kulmi arriti kur u bllokuan banjat në orët e vona të pasdites dhe u bë thuajse e pamundur të numërohej, me gjithë prezencën e ambasadores angleze, drejtorit të OSBE-së dhe dhjetëra vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë. Nën erën kundërmuese të banjave dhe tymit të duhanit, në orën 19:30 komisionerët morën vendimin e përkohshëm për të nxjerrë jashtë vëzhguesit vendorë dhe deputetët, duke lënë brenda vetëm vëzhguesit e huaj dhe median. U hapën dyert, ndërsa kamerat u fokusuan mbi kutitë… Brenda u qetësua situata, ndërsa jashtë u ndez. Deputetët në korridor dhe oborr, të revoltuar, kërkonin me nxitim rikthimin, ndërsa përtej kangjellave, militantë të të dyja partive, i thërrisnin me zë të lartë ata, duke i pyetur nëse kishin nevojë për ndihmë. Pesë kordonë me policë përpiqeshin që të qetësonin turmën, e cila në orët e vona të mbrëmjes kishte rrethuar të gjithë shkollën.
Mbrëmja
Minutë pas minute, vëzhguesit vendas dhe deputetët u rikthyen brenda, por këta të fundit u shtuan në numër. Mbi 20 deputetë socialistë dhe ish-personalitete të tjera të së majtës depërtuan në oborrin e shkollës, duke zënë një qoshe aty. Ngjitur me ta, të ndarë vetëm nga një xham, erdhën njëkohësisht edhe forcat e së djathtës në Kuvend; tetë deputetë dhe figura të tjera të PD-së. Parlamentarët shkëmbeheshin herë pas here me njëri-tjetrin, por jo fjalët. Ndërsa mes të vetëve flisnin për numra, vota, ngrinin zërin për fitore, kur dikush kalonte aty nga kampi tjetër, gjithçka heshtte. Ndërkaq, brenda gjithçka nisi të bëhet edhe më e zhurmshme. Në orët e vona të mbrëmjes numërimi filloi sërish, por edhe kritikat për vonesat e tij. Ettore Sequi, ambasadori i BE-së në Tiranë, u rikthye, ashtu si një natë më parë. Po ashtu edhe ambasadori amerikan, Arvizu, “zbarkoi” aty, e bashkë me të, pakënaqësitë për një proces kaq të gjatë. Një proces që më shumë po kontestohet, sesa numërohet…

Deputetët dhe zyrtarët dje te Njësia 5

Nga PS

  • Eglantina Gjermeni
  • Besnik Bare
  • Tom Doshi
  • Paulin Sterkaj
  • Pirro Lutaj
  • Arben Ahmetaj
  • Ded Ndrecaj
  • Armando Subashi
  • Alfred Dalipi
  • Saimir Tahiri
  • Fatmir Toçi
  • Pandeli Majko
  • Asllan Dogjani
  • Ermonela Felaj
  • Luiza Xhuvani
  • Elisa Spiropali
  • Taulant Balla
  • Olta Xhaçka
  • Eduard Shalesi
  • Erion Braçe
  • Dritan Prifti
  • Spartak Ngjela
  • Ardit Kaja

Nga PD

  • Genc Ruli
  • Albana Vokshi
  • Fatbardh Kadilli
  • Gent Strazimiri
  • Mesila Doda
  • Gert Bogdani
  • Ndue Paluca
  • Ilir Rusmali
  • Viktor Gumi
  • Petrit Vasili
  • Erisa Xhixho
  • Zana Guxholli
  • Juela Meçani
  • Xhelal Mziu

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura