Një votë!

May 17, 2011 | 10:08

LUTFI DERVISHI

Rezultati i ngushtë i zgjedhjeve në Tiranë dhe zvarritja disaditore deri në numërimin e fletës së fundit – dëshmoi para syve të të gjithë qytetarëve shqiptarë peshën e vërtetë që ka një votë. Një votë e vetme.  Ata votues që shkuan në qendrat e votimit, por nuk ndenjën për shkak të radhëve të gjata, dhjetëra të tjerë që zgjodhën të qëndrojnë indiferentë në këtë garë të jashtëzakonshme, mijëra të tjerë që nuk patën mundësi të votojnë në Tiranë, sot besoj kanë një mendim tjetër. Do të kishin dashur të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar, për të thënë zërin e tyre dhe për të qenë krenarë se me votën e tyre kanë vendosur jo vetëm për veten dhe familjen.
Fuqia e një vote ndryshon për mirë apo për keq drejtimin që merr kryeqyteti në katër vitet e ardhshme. Një votë e vetme ndryshon historinë e një lideri, historinë e një qyteti, historinë e një vendi.
Një votë këtë radhë ka marrë peshën e duhur edhe për shkak të transparencës maksimale dhe numërimit “live” në ekranet e televizorëve. Transparenca dhe mosbesimi reciprok që kanë palët për njëra-tjetrën ka dhënë një mësim të vlefshëm se nuk mund të bëhen numra me numrat! Nuk mund të tjetërsohet vullneti i shprehur në kutinë e votimit. Se votat duhen kërkuar para se të fillojë fushata çdo ditë me shërbimin që u ofron qytetarëve, mund t’i kërkosh gjatë fushatës dhe deri në heshtjen zgjedhore, por në momentin që vendosen vulat në kuti mund të luash me nervat e njëri-tjetrit dhe të qytetarëve, por nuk mund të luash me numrat. Numëruesit nuk janë magjistarë, por njerëz si ne të gjithë, që nuk meritojnë të rraskapiten për shkak të strategëve dhe teknicienëve partiakë.
Fuqia e një vote i ka dhënë një mësim të mirë edhe arrogancës së politikanëve. Në komunikimin me bashkëpunëtorët apo me qytetarë të zakonshëm, ata kanë marrë një mësim të jashtëzakonshëm nga gara e Tiranës – nuk duhet të jenë arrogantë, sepse mjafton edhe një votë e vetme e bashkëpunëtorit të ngushtë apo thjesht e një qytetari që të ndryshojë karrierën e politike, – të të dërgojë në hënë ose të të japë “librezën e pensionit”.
Ka pasur raste (komuna) në këto zgjedhje që fituesi është shpallur vetëm me një votë diferencë!
Në garën lokale të 8 majit, në mjaft qytete të rëndësishme të vendit, më shumë se një votë pro kandidatëve, ne pamë edhe një votë qartë kundër tyre.
Në Kavajë dhe Krumë fiton kandidati i Partisë Socialiste, qytete bastione të demokratëve, por në këshillat bashkiakë të dy qyteteve u votua në masën mbi 50% për Partinë Demokratike. Në Cërrik, kandidati i Partisë Demokratike fitoi drejtimin e Bashkisë, por Këshilli Bashkiak kontrollohet në mënyrë absolute nga të majtët. Këto pak raste thjesht tregojnë se janë zgjedhur kandidatët e gabuar dhe votuesit besnikë të partive e kanë ndëshkuar zgjedhjen e partisë. Me votë!
Fuqia e një vote besoj se do të bëjë të heshtin për një kohë të gjatë parashikuesit, fallxhorët, sondazhistët, ekspertët dhe gjithfarë astrologësh që folën për rezultatin e zgjedhjeve me sigurinë dhe qetësi profetike.
Media ka marrë një mësim nga mbulimi i procesit zgjedhor se më shumë duhet t’i besojë vetes, se politikanëve dhe duhet të filtrojë çdo mesazh publik që del nga goja e tyre. Në mjaft raste, në këto ditë të tensionuara që shoqëruan procesin e numërimit, shenja e vetme që mjaftonte t’i kuptoje se një deputet po gënjente ishte “hapja e gojës”!
Në këto ditë pamë se mosbesimi mes PD-së dhe PS-së është më i thellë se një humnerë dhe më i lartë se Himalajet. Furgonët e bardhë, tunelet, helikopterët dhe njësitë luftarake që do të asgjësonin “kutitë e këqija” – thjesht nuk u vërtetuan. Dhe në epokën ku kamerat e televizioneve nuk lënë rehat të dremisë për pak sekonda një komisioner të lodhur, historia me ndërrime dhe asgjësime kutish vlen vetëm për të provuar se ne më lehtë priremi të bëhemi halucinantë, sesa të besojmë gjëra që shohim me sytë tanë. Historitë “me të dëgjuar”, me “më the e të thashë” vetëm shtojnë mjegull dhe përhapin panik.
Thënia e Çërçillit, se kur e vërteta të veshë këpucët, gënjeshtra ka bërë gjysmën e xhiros së botës, u provua me saktësi të frikshme edhe në raportimet “live” nga terreni!
Në tryeza televizive, në fushatë dhe ditët që pasuan votimin, analizat nisin me epitete dhe më pas priteshin faktet! Në fillim i thuhet X-it maskara! Dhe më pas kërkohen faktet që të provohet se ai është maskara!? Logjika elementare kërkon të kesh faktet dhe më pas të arrish në përfundime! Thënia e fjalës së fundit në fillim mbetet kontributi më negativ në komunikimin publik!
Në këto zgjedhje pamë se pa praninë e ambasadorëve të huaj (duke veçuar peshën e ambasadorit amerikan), rrezikonim që të ruanim të padëmtuar një votë të vetme! Dhe mësimi është që ambasadorët duhet t’i falënderojmë që ofrojnë garanci për të mos filluar sherrin dhe nuk është mirë të orkestrojmë fushata kundër tyre kur përpiqen të zbusin një sherr dhe ta fusin procesin në shinat e institucioneve dhe ligjshmërisë. Në këto zgjedhje ambasadorët i ngritëm nga dreka (ua zumë bukën në fyt), iu prishëm edhe fundjavën për të garantuar se nuk preket asnjë votë e vetme. Liderët politikë, nëse nuk duan të skuqen më dhe të qaraviten te ambasadorët, duhet të nisin të sillen si ata!
Zgjedhjet lokale janë të “bukura”, edhe pse gjithkush nga forcat politike gjen arsye për të festuar. Feston PS që ka marrë timonin e bashkive të qyteteve kryesore të vendit, feston PD se ka fituar vota më shumë me aleancën e vet në këshilla bashkiakë, por feston PDIU se ka mbërritur një rezultat spektakolar me mbi 60 mijë vota. LSI është e kënaqur se tashmë për të “rrahin 120 mijë zemra”. Të majta do të shtonte dikush… Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos renditet partia e dytë e majtë në koalicionin e PS-së, me 52 mijë vota! PR krenohet me rezultatin historik mbi 70 mijë vota. Si demokristianët e zotit Ndoka, si demokristianët e partisë që drejton zoti Lesi, kanë arritur rezultatin e tyre më të mirë, së bashku 60 mijë vota. Pothuaj të gjithë kanë marrë vota dhe kanë se çfarë të festojnë. Por barazimi i kësaj vote, apo konvertimi për zgjedhje kombëtare thjesht nuk funksionon. Në zgjedhjet kombëtare zgjedhësit do të kenë vetëm një fletë në dorë dhe do të zgjedhin vetëm 140 deputetë. Në zgjedhje lokale zgjedhësit kanë votuar për mbi 5000 kandidatë…, ndaj ka vota për të gjithë. Projektimi i këtyre votave në vota kombëtare, as më shumë as më pak, do të thotë të matesh me hijen e mëngjesit!
Ashtu si në një garë të ashpër futbolli, që ndeshja nuk mbaron me bilbilin e arbitrit, por vijon me diskutimet dhe analizat, akuzat dhe kundërakuzat edhe këto zgjedhje do të vijojnë të diskutohen gjatë!
Fituesi i Tiranës (nëse konsumohet ankimi administrativ dhe ai gjyqësor) do të kurorëzohet, në rastin më të mirë, pas disa javësh. “Kutia e fundit” mbaroi dhe tani flitet për “kutinë e gabuar”! Çfarëdo qoftë verdikti legal për Tiranën, asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë mbi 50% të votave. Kryetari Bashkisë së Tiranës do të ushtrojë detyrën e tij duke pasur pas mbështetjen e afro 125 mijë votuesve dhe përballë do të ketë po aq votues! Gjysma ka të drejtën e gëzimit të fitores, gjysma tjetër do ta ketë të vështirë ta kapërdijë hidhërimin vetëm me fjalë ngushëlluese “nuk ka humbur askush”, apo “do t’u shërbej të gjithëve”. Kërkohet një gjest i fortë politik për të arritur te gjysma e votave që ke përballë!
Debati (s)a ishin këto zgjedhje lokale a politike do të vijojë. Ka liderë që mësojnë nga fitoret, ka të tjerë që mësojnë nga humbjet. Zakonisht, të ardhmen e fitojnë të dytët. Por, në këtë moment, partitë janë të dehura nga votat e shumta dhe kur të bëhen esëll, ndoshta do të kuptojnë fuqinë e një vote! Fuqinë e një qytetari. Fuqinë që vlen më shumë se muskujt e 1 apo 111 të fortëve dhe që është më e thellë se thellësia e xhepave të 1 apo 111 “biznesmenëve”.
Është një votë e vetme që të vë kryqin. Është një votë e vetme që të vë vizën!

© Panorama.al

Te lidhura