Një superekonomist për Italinë, po Shqipëria?

Nov 14, 2011 | 9:11

PAJTIM MELANI

E premtja e bardhë mund të konsiderohet pa frikë dita e fundit e punës e javës që lamë pas jo vetëm për Italinë, por për gjithë eurozonën. Dominuesit e politikës dhe ekonomisë në Europë e jo vetëm, Gjermania dhe Franca, kanë arritur të “europianizojnë” jo vetëm Greqinë, por edhe Italinë, duke vendosur në krye të qeverive respektive dy liderë të Brukselit, sigurisht njëri grek e tjetri italian nga origjina, siç e kërkojnë kushtetutat.
Super-Mario-Monti
Ndërkohë që në futboll nofka ‘super” i shkon një të natyralizuari si italian, Balotelli, në ekonomi “The economist” ia bashkëngjit profesorit të ekonomisë, ish-komisionerit për Konkurrencën, Mario Monti. Ta dëgjosh live professor Montin, të reflekton një diferencë të madhe mes Shqipërisë dhe Evropës, mes universiteteve shqiptare dhe atyre europiane, mes ekonomistëve shqiptarë dhe atyre evropianë, mes udhëheqësve tanë të shkolluar në një sistem komunist pa njohuritë më minimale për lirinë e tregut dhe një strategu të politikave të konkurrencës në Europë që siguron një treg funksional, konkurrues dhe me mirëqenie për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.
Kryeministri i fundit i Italisë u lind më 19 mars 1943 dhe ka qenë për dy mandate komisioner europian i tregut të brendshëm dhe konkurrencës para se të zgjidhej rektor dhe president i universitetit “Bocconi”. Mario Monti ka diploma në ekonomik dhe menaxhim nga i njëjti universitet, ndërkohë që studimet pasuniversitare do t’i vazhdonte në Universitetin e Yale-s, nën mbikëqyrjen e nobelistit James Tobin.
Duhet theksuar se Monti është përzgjedhur si nga e majta, ashtu dhe e djathta italiane për të shërbyer si komisioner duke pasur në këtë mënyrë besimin e Berluskonit, Prodit dhe D’Alema-s e do të mbahet mend për hetimin dhe gjobën ndaj gjigantit Mikrosoft dhe moslejimin e bashkimit të gjigantëve të energjisë, General Electric dhe Honeywell.  Monti u quajt super-Mario, pasi të premten ai u përzgjodh si pasuesi i Berluskonit dhe senatorët italianë shpresojnë se ai do shpëtojë Italinë nga falimentimi, euron nga kolapsi dhe ekonominë botërore nga recensioni. Monti e gjen ekonominë italiane në krizë me një diferencë borxhi, krahasuar me Gjermaninë, prej 4.6 %, dhe me interesat e boneve më shumë se 7 për qind.
Teknokrat apo politikan
Pas dështimeve spektakolare të politikanëve në Greqi e Itali, Bashkimi Europian i ka zëvendësuar kryeministrat respektivë me dy ekonomistë, teknokratë që kanë mbështetje të gjerë nga dy krahët e politikës. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman van Rompuy, në takimin e fundit me Berluskonin tha se Italia ka nevojë për reforma dhe jo për zgjedhje, por qeveria e teknokratit Monti pritet të jetë afatshkurtër, gjë e zakonshme për qeveritë italiane. Çarja e së djathtës mund të shkurtojë edhe më tej jetëgjatësinë e qeverisë së super-Marios, ndërkohë që reformat pritet të kenë efekte të forta në cilësinë e jetës së italianëve.
Shqipëria vs Greqisë dhe Italisë?
Teknokratët duket se janë zgjidhja e vetme në kohë krizash për vendet e trazuara nga kriza globale dhe pasojat e saj, ndërsa politikanët mbretërojnë në kohë progresi. Shembulli i Greqisë, ku pas dështimit të radhës të Nea Democratia-s, qeverisja i mbeti në derë Papandreut për t’u përballur me valën e gjerë dhe të pandërprerë të protestave, por dhe me detyrimin për të ndjekur reformat me efekte antipopullore për grekët, që ishin mësuar të jetonin me paratë e europianëve e të thyenin pjatat në çdo fundjavë, ku shpenzonin rrogat e së premtes për t’ia filluar të hënën nga e para. Rasti i Italisë është i ndryshëm, por konkluzioni i njëjtë, asnjë politikan (që për rregull mendon për afatin e shkurtër) nuk mund të ndërmarrë masa antipopullore si reformat e shkurtimit të shpenzimeve, uljes së pagave apo rritjes së taksave. E përndryshe, teknicienët e përzgjedhur vijnë nga bota akademike, janë të respektuar gjerësisht në popull dhe nga dy krahët e politikës, si dhe kanë mbështetjen absolute të Brukselit të zhgënjyer nga mashtrimet e Berluskonit dhe gafat referendare të Papandreut. Po në Shqipëri, çfarë ka ndodhur me liderët politikë dhe ata ekzekutivë? Nga Enver Hoxha që s’kishte haberin për ekonominë deri në ditët e sotme, Shqipëria ka pasur disa qeveri me kryeministër teknicien, por shumë larg kalibrit të Montit. Edhe kur kryeministri ka qenë politikan dhe ekonomist për nga formimi bazë, ka qenë shumë larg botës akademike, madje me njohuri të ekonomisë së centralizuar dhe të papërditësuara me teoritë ekonomike të dy dekadave të fundit. Një farë inferioriteti ndaj profesorëve të shquar të ekonomisë e kupton lehtë te liderët shqiptarë në sjelljen e tyre, që në të shumtën e rasteve nuk i thërrasin në qeverisje dhe në hartimin e strategjive të zhvillimit. Profesorët dhe akademikët nuk janë vetëm për rastet ekstreme, kur politikanët e të dyja krahëve kanë dështuar, por mund të afrohen në skenën politike që nga inicimi dhe zhvillimi i strategjive ekonomike, por dhe për zbatimin praktik që të mos presim ndonjë tragjedi greke apo komedi italiane për të pasur teknicienët në politika zbatuese.

© Panorama.al

Te lidhura