Një pagë shpërblim për 9350 mjekë

Dec 28, 2011 | 12:51

“Bonuset, sipas performancës. Ja rrethet që përfitojnë më shumë”

Shpërblim deri në një pagë për 9350 punonjës së qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Sipas rretheve, rezulton se përfitojnë më shumë punonjësit e rretheve të Beratit, Dibrës, Durrësit, Fierit, Korçës, Vlorës, Tiranës, të cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë e performancës. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka vendosur të ndajë bonuset për personelin mbi bazën e realizimit të indikatorëve të performancës. Dje, Këshilli Administrativ i ISKSH-së miratoi kontratat e reja për 2012-n me 416 qendrat shëndetësore në vend. Pas mbledhjes, gjatë një konference për shtyp, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, bëri me dije detajet e kësaj kontrate si dhe mënyrën si do të shpërblehen mjekët. “Në zbatim të politikave të qeverisë, e cila e konsideron sektor prioritar atë të shëndetësisë, si dhe nisur nga treguesit e mirë të performancës, punonjësit e qendrave shëndetësore do të përfitojnë deri në një pagë financim shtesë në këtë fundviti, në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe bonusit”, tha Hana.
Treguesit e performancës
Ajo shtoi se mbështetur në realizimin e pritshëm të treguesve për vitin 2011, rezulton se 416 qendrat shëndetësore përfitojnë edhe deri në një pagë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë. “Numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes në shkallë republike është realizuar në masën 90%, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 50%”, tha Hana. Referuar të dhënave rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 80%, nga 307 qendra shëndetësore. Ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 50% nga mbi 168 qendra shëndetësore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qendrat shëndetësore, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, kanë arritur të tërheqin rreth 70 milionë lekë më shumë, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit kanë tërhequr 158 milionë lekë më shumë.
Për 6-mujorin e dytë të këtij viti parashikohet të shpërndahen rreth 310 milionë lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të QSH, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, sanitare, shoferë, ekonomiste. “Fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në pjesën më të madhe të llogarive bankare të QSH, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit dhjetor”, tha Hana.

Shpërblimet
Përfitojnë shpërblime

• 2200 mjekë të qendrave shëndetësore
• 6600 infermiere të qendrave shëndetësore
• 750 veta personel mbështetës

Pagat e personelit
• Mjekë në zonat qendrore,  53 mijë lekë
• Mjekë në zonat e thella , 82 mijë lekë
• Mjek specialist,  51 500 – 54 500 lekë
• Infermierët  35 000 – 38 000 lekë

Treguesit e cilësisë:
• Numri i planifikuar i vizitave: Realizuar në 90%
• Bonusi: Realizuar në  50%
• Performanca: Realizuar  mbi 80%

Në krahasim me 2010
Janë tërhequr nga poliklinikat:
• 70 milionë lekë më shumë nga vizitat
• 158 milionë lekë më shumë nga bonusi

Kontratat e reja për mjekët
Vëmendja më e madhe në kontratat me qendrat shëndetësore për vitin 2012 iu kushtua elementeve që ndikojnë në konsolidimin e menaxhimit të qendrës shëndetësore. Kështu, menaxhimi i regjistrit elektronik të pacientëve që tashmë është një realitet në qendrat shëndetësore, do të jetë përgjegjësi e qendrës, e cila do të përditësojë të dhënat e pacientëve. Gjithashtu, procesi i transferimit të pacientëve nga një mjek te një tjetër, ose nga një QSH në një tjetër do të jetë më i thjeshtë për pacientët. Me qëllim përgjigjen në kohë ndaj ankesave dhe problemeve të pacientëve, që depozitohen në kutinë e ankesave, e cila është e pranishme në çdo qendër, është vendosur si detyrim që kutia të hapet një herë në javë.

Reforma në shërbimin parësor
Reforma në shërbimin shëndetësor parësor, e nisur në vitin 2007, po jep frytet e saj sa i takon pagesës së personelit mjekësor. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, për të pestin vit radhazi shpërblehet në bazë të punës së kryer dhe cilësisë së shërbimit që u ofron pacientëve. “Një nga qëllimet kryesore të ISKSH-së që në krye të herës së reformës në parësor, ka qenë motivimi i personelit shëndetësor për një shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve”, tha Hana.

416 qendra
shëndetësore ka në të gjithë vendin në sistemin parësor. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor lidhi dje kontratat e reja me këto qendra. Vëmendja më e madhe në kontrata për vitin 2012 iu kushtua elementeve që ndikojnë në konsolidimin e menaxhimit të qendrës shëndetësore.

Vasili: Për fundvit, urgjencat 24 orë
“Festat, kujdes nga ushqimi dhe alkooli”

Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Kujdes nga mbiushqyerja e alkooli i tepërt për festat e fundvitit. Jo vetëm që mund t’i prishni atmosferën vetes dhe të gjithë atyre që ju rrethojnë, por mund të përfundoni edhe në urgjencë. Thirrje qytetarëve u ka bërë dje edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili gjatë një konference për shtyp bëri me dije masat që do të merren për festa. Sipas tij, është dhënë urdhër i prerë që urgjencat të qëndrojnë të hapura 24 orë, ku do të punohet me personel të shtuar. Në qendër të Tiranës, ku pritet të zhvillohen në mesnatë festimet kryesore, do të qëndrojnë dhe dy autoambulanca. “Shërbimi ka marrë urdhër të prerë të ketë një gatishmëri të përforcuar lidhur me dhënien e këtij shërbimi që nga qendrat spitalore universitare të Tiranës deri të spitalet rajonale”, tha Vasili. Sipas tij, këto shërbime do të jenë të përforcuara me personel, të tëra farmacitë e qendrave të urgjencës kanë rifreskuar rezervat e tyre për të pasur në dispozicion të gjithë rezervën medikamentoze të domosdoshme. “Ka pasur një verifikim të aparaturave, të cilat japin ndihmën e parë në mënyrë që funksionimi i tyre të jetë tërësisht i plotë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë. Mjekët këshillojnë të gjithë të sëmurët kronikë të kenë kujdes nga mbiushqyerja dhe të rinjtë nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Për më të vegjlit këshillohet që të bëjnë kujdes nga fishekzjarrët, pasi nga përvoja e viteve të shkuara prej tyre janë plagosur shumë persona.

© Panorama.al

Te lidhura