“Një miliarder rus që lufton infertilitetin global!”- Wall Street Journal: Pavel Durov, donator aktiv sperme, mund të ketë mbi 100 fëmijë! Si bëhet “rekrutimi” i nënave?

Dec 24, 2025 | 10:47

Ka edhe një miliarder tjetër që, ashtu si Elon Musk, është i fiksuar pas idesë së riprodhimit sa më shumë, për të kundërshtuar rënien e lindshmërisë në vendet perëndimore dhe që mbështet të njëjtën ide, të njohur si “pronatalizëm”, shumë e përhapur mes elitave të pasura. Por këtë herë bëhet fjalë për një rus, Pavel Durov, 41 vjeç, themeluesi i aplikacionit të mesazheve të enkriptuara Telegram, shumë i dashur për ata që kanë diçka për të fshehur.

pavel Durov

I lindur në Shën Petersburg, Durov është një “koleksionist” shtetësish dhe banon në zonën e lirë të Dubait. Jeton i vetmuar, është vegan dhe vishet gjithmonë me të zeza. Ka një pasuri prej rreth 15 miliardë dollarësh, por nuk zotëron prona, sepse siç thotë vetë, “ajo që zotëron, në fund të zotëron ty”.

Edhe ai, ashtu si miliarderi amerikan Musk, është i bindur për rënien e Perëndimit dhe për kërcënimet ndaj lirive personale, të imponuara nga shteti dhe nga korporatat private.

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, zyrtarisht ka 13 fëmijë nga katër gra të ndryshme. Megjithatë, sipas një hetimi të Wall Street Journal, numri mund të jetë shumë më i madh. Tani, i njëjti gazetë ekonomike tregon se edhe Pavel Durov po përpiqet të “popullojë Tokën” me pasardhësit e tij.

Sipas një postimi të publikuar vetë nga Durov vitin e kaluar në platformën e tij, ai mund të ketë tashmë rreth njëqind fëmijë biologjikë, përveç gjashtë që mbajnë mbiemrin e tij, të lindur nga tre partnere të ndryshme.

Që nga viti 2010, siç rrëfen vetë, Durov është një donator aktiv sperme në 12 vende. Ky “pasion” nisi pasi bëri një donacion të parë për një shoqe. Edhe pse jeton në Dubai, në vitin 2024 ai ka rifilluar aktivitetin në Rusi, duke rekrutuar nëna të mundshme “të shëndetshme dhe me pamje të mirë” përmes njoftimeve në rrjetet sociale. Ftesa është të paraqiten në klinikën AltraVita në Moskë dhe të gjitha shpenzimet i mbulon ai.

Gratë joshen edhe me premtimin se fëmijëve të tij biologjikë do t’u lërë një pjesë të trashëgimisë, të barabartë për të gjithë dhe bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme, pasi pasuria neto e Durovit vlerësohet nga Forbes në rreth 17 miliardë dollarë. Siç pritej, deklaratat e tij kanë shkaktuar një lumë kërkesash nga gratë ruse. “U paraqitën shumë gra në formë të shkëlqyer fizike, të arsimuara dhe të bukura”, ka treguar për Wall Street Journal një ish-mjek i klinikës, duke shtuar edhe ndërlikimet ligjore. “Ato duan të kenë një fëmijë nga një lloj i caktuar burri. E konsiderojnë atë figurë atërore si personin e duhur”.

Ndërkohë, janë tashmë të shumta familjet që pretendojnë se kanë në shtëpi pasardhës të tij. Durov shprehet i kënaqur: “Nëse do të konstatohet se ata fëmijë kanë ADN-në time, një ditë të largët, do t’u lë atyre një pjesë të pasurisë sime”.

“Një botë e errët dhe distopike po vjen drejt nesh”, ka shkruar Durov në tetor, duke iu referuar masave si identifikimi dixhital, verifikimi i moshës në internet dhe arrestimet për deklarata të publikuara në rrjetet sociale. Sipas tij, bota po shkon drejt një “vetëshkatërrimi moral, intelektual, ekonomik dhe madje edhe biologjik”.

“Shpërndarësi” kryesor i spermës së Durovit është klinika e fertilitetit AltraVita, e specializuar në shërbime për oligarkë rusë dhe klientë ndërkombëtarë, duke premtuar embrione të “përzgjedhura” përmes ekzaminimeve gjenetike për të identifikuar sëmundjet. Klinika është themeluar nga gjenetisti Sergey Yakovenko, mik i vjetër i Durovit dhe studiues edhe i klonimit njerëzor. Thuhet se ka qenë pikërisht ai që e ka bindur Durovin.

“Mungesa e spermatozoideve të shëndetshme është një problem serioz në mbarë botën dhe jam krenar që kam bërë pjesën time për ta lehtësuar”, ka shkruar Durov. Ky postim tërhoqi edhe vëmendjen e “rivalit” Musk, i cili iu përgjigj me shaka, duke e krahasuar me Çingis Khanin dhe duke cituar në mënyrë indirekte një studim sipas të cilit të paktën 16 milionë njerëz në botë janë pasardhës të tij nga shekulli XIII.

Artikulli i WSJ
Artikulli i WSJ

© Panorama.al

Te lidhura