Një lexim për Blushin dhe Ramën

Dec 6, 2011 | 10:49

AGIM BAÇI

Kryesia e sapozgjedhur e socialistëve ka, pa dyshim, disa risi, edhe pse në pamje të parë thuajse me pak ndryshime në afrimet e largimet e emrave që e kanë përfaqësuar vitet e fundit. Së pari, që pas zgjedhjes së Ramës në krye të PS-së, kjo duket e vetmja Kryesi e zgjedhur me arsyetim politik, ndryshe nga të tjerat, ku Rama thuajse i kooptoi emrat duke paralajmëruar paraprakisht se do ta parazgjidhte stafin e s’do të priste votat e delegatëve. Ndryshimi, në fakt, u paralajmërua publikisht një natë përpara mbledhjes së Kryesisë, me daljen publike të Ben Blushit, kundërshtarit më fin të Ramës në tri-katër vitet e fundit, në një intervistë ku thuajse u artikuluan shumica e kritikave publike ndaj kreut socialist. Madje, u artikulua edhe lajmi i përmendur në disa raste, për shkuarjen deri në krijimin e një partie nga anëtarët e LMN-së nëse Rama nuk do të ndryshonte qëndrim, ose nuk do të tërhiqej nga taktika individuale e drejtimit të PS-së. Por dalja publike, me tone të hapura kritike për disa vendime politike të Ramës, qofshin këto për rikandidimin në Tiranë apo bojkotin e Kuvendit, në fakt ishin një mënyrë e Blushit për të treguar se rikthimi aktiv në partneritet me lëvizjet e Ramës nuk bëhej si një ushtar i këtij të fundit, por si një partner. Duke i thënë një natë përpara mbledhjes së Asamblesë, ai përgatiti në të njëjtën kohë të zgjedhurit prej Ramës në vitet e fundit, se nuk do të ishin më vetëm ata përfaqësuesit e zërit socialist, siç kish bërë gjatë kësaj kohe Rama me ata që i prezantoi për 2-3 vite me radhë si zëri dhe fytyra e socialistëve. Por, Blushi, në fakt, ishe edhe makiazhi më i fortë publik në këtë moment politik për ndryshimet që ka premtuar Rama në vendimet e tij politike, duke nisur nga kërkesa ndjesë për disa vendime që kish marrë me veten e tij, ku përfshihej edhe rikandidimi i tij në Tiranë. Për më tepër, Blushi i ridha mundësinë Ramës që një ditë më pas, në mbledhjen e Asamblesë, të tërhiqej edhe nga ajo gjysmë ftesë publike që i bëri disa ditë më parë Ilir Metës, për një mundësi ribashkimi politik. Ndërkaq, thënia publike e disa kritikave nga Blushi, duke treguar njëkohësisht edhe fuqinë e atyre që njiheshin si Lëvizja e Mendimit Ndryshe, u tregua edhe në votim për Kryesinë, ku i sakrifikuari i vetëm mbeti Kastriot Islami, ndërsa të tjerët u riintegruan në formatin e kërkuar. Pa dyshim që kjo kthesë tashmë është hapur teorikisht, pasi në praktikë duhen më së paku disa kohë për të parë rezultatin. Hapi i parë për të treguar tërheqjen e tij është modeli se si Rama do të prezantojë në publik qëndrimet e socialistëve, ku disa prej figurave më publike të deritanishme kanë kërkuar hapur përjashtime të Harasanit, Islamit, apo edhe duke nënkuptuar masat që mund të merreshin ndaj Malajt, i cili më shumë se kundërshtarët e tjerë, nisi t’i thoshte idetë e tij kundërshtuese me kreun socialist edhe në forumet në rrethe apo në debat të hapur me publikun. Në të njëjtën kohë, Ramës i duhet të tregojë se e ka kuptuar që PS nuk është Bashkia që ai drejtoi për 12 vjet, ku disa hapa pranoheshin thjesht se i kishte të punësuar. Duke rihapur derën për ata që nuk mundi t’i kishte partnerë për dy zgjedhjet e fundit, të vitit 2009 dhe 2011, Ramës i duhet të bëjë disa sforcime politike për të cilat deri më tani nuk ka treguar se ka ditur t’i bëjë. Por, i detyruar për të pasur sa më shumë partnerë, së pari brenda partisë e më pas në koalicione të mundshme, Rama do të duhet të veshë një kostum tjetër politik. E, për më tepër, që ky ndryshim është në një korridor me piketa të përcaktuara – Gramoz Ruçit të palëvizshëm, që përfaqëson atë që ai nuk mundet të ndryshojë në atë që ka gjetur në PS, dhe të kooptuarve nga vetë ai, të cilëve tashmë duhet t’u japë bashkërisht leksionin e bashkëjetesës, për të cilën edhe ai vetë nuk ka treguar se ka qenë deri sot aq i gatshëm. Gjithsesi, sipas asaj që tha Harasani, Rama shpërndau karamele. Se me çfarë shijeje, mbetet të presim ta mësojmë nga ata që i morën.

© Panorama.al

Te lidhura