Nëse do të thoshim se Zef Sqiroi, poet, historian dhe njeri politik i kohës, të paktën mes arbëreshëve, mbrojtësi, propaganduesi dhe shpirtgjalluesi më i madh i traditës kombëtare shqiptare, një pohim i tillë do të qe më se i justifikuar.
Megjithatë, nuk duam të ndalemi veç në meritat kombëtare të Zef Sqiroit politikan, por dhe frymëzuesi i asaj ndërmarrjeje madhështore mbështetëse ndaj aspiratave kombëtare që solli njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe futjen e saj në Ligën e Kombeve në vitin 1921. Nuk duam të ndalemi as në dhuntitë e tij të jashtëzakonshme si poet e shkrimtar, e as në veprat e tij që do të ngelen në historinë e literaturës shqiptare si pikat e saj më kulmore.
Mbi të gjitha këto, do të donim të theksonim se e gjithë vepra e tij si erudit dhe si poet, si shkrimtar dhe si përkthyes i shenjtë i gjuhës shqipe apo dhe si orator i zjarrtë i saj, u drejtua kah qartësimit, ruajtjes dhe ripohimit zhvillonjës të traditave autentike kombëtare; do të donim të theksonim gjithashtu, se duke vepruar kështu, ai u tregua i denjë për të marrë nga duart e De Radës flamurin e ringjalljes shpirtërore të Shqipërisë. Aq më tepër që vetë poeti i madh arbëresh – ashtu siç shprehet gjerësisht në autobiografinë e vet – e kish ndier në mënyrë të padyshimtë brenda vetes, si misionin e profanes hyjnore, se një ringjallje e tillë nuk mund të arrihej ndryshe veçse nën atë shenjë, që kish qenë shenjë edhe e vetë heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti. Kish ndier madje se dhe arti i tij duhet të ishte patjetër një instrument i kësaj arritjeje, edhe pse qortonte shpesh hidhnisht përvijimet e veta sentimentale, falë të cilave frymëzimi i tij poetik rrithte në shtratin e një klime të kulluar romantike, duke i lënë gjithmonë qëllimet e tij të mbrame në një horizont të largët. Është pikërisht ky fakti që shpjegon dëshirën e tij të vazhdueshme për t’i përtërirë e rikompozuar poezitë, pa qenë kurrë plotësisht i kënaqur me to e pa arritur kurrë në mbledhjen e tyre në një poemë të vetme. Po ndoshta kjo ishte pjesa që i kish caktuar Profania hyjnore: t’u fliste njerëzve të ahershëm me gjuhën e ahershme, vetëm për t’i hapur udhë me anë të autoritetit të tij, idesë së madhe të Shqipërisë fisnike të epopesë së Skënderbeut.
Që në fillim të shekullit XVIII, pjesërisht nën ndikimin e nacionalizmit, të ringjallur si rrymë në të gjithë Europën, e pjesërisht nën ndikimin e romantizmit, që i dhuroi aq shumë impuls letrar, kolonitë shqiptaro-arbëreshe të Mbretërisë së dy Siçilive, futen në periudhën e një zjarrmie të ethshme të jetës kulturore, çka manifestohet në ndërmarrje frymëgjera poetike (De Rada) e në orvatje te fuqishme në studimet shkencore të historisë dhe gjuhës shqipe (midis tyre dhe Sqiroi).
Po gjithsesi, nga pikëpamja e gjuhës së lëvruar dhe motiveve të stisura nga gurra popullore, estetikisht spikat më fort Zef Sqiroi, i cili me një aftësi të hollë artistike arriti ta pasurojë me një ndjeshmëri të re dhe moderne lirikën shqiptare, duke ruajtur gjithmonë me respekt orientimet e lëna nga De Rada dhe Naimi. Në këtë pikë do të qe me vend të hapnim një parantezë të shkurtër mbi raportin dhe marrëdhëniet letrare shqiptaro-arbëreshe, për të kaluar kështu në një tjetër dallim midis De Radës dhe Sqiroit. Këto marrëdhënie, gjer në fund të viteve ’50 të shekullit XIX, për të mos thënë edhe më këtej, ishin ende fillestare. Në fillim të viteve ’60, me miqësinë që De Rada dhe Dhimitër Kamarda lidhën me rilindës të ndryshëm shqiptarë, si Mitkoja, Jubani, Doçi, Kristoforidhi e ndonjë tjetër, kontaktet marrin udhë të mirë. Mirëpo nga fundi i shekullit, nevoja që ndienin për t’u kuptuar nga lexuesit e Shqipërisë, i bëri autorët arbëreshë, duke nisur nga Serembja dhe duke vazhduar sidomos me Sqiroin, ta kenë parasysh faktin se me gjuhën arkaike të kolonive të tyre nuk mund të njiheshin e të ndikonin në Shqipëri. Kështu, ata iu futën një përpjekjeje të re e të vërtetë heroike gjuhësore, e cila pati edhe pasoja të mëdha artistike. Madje, ndonjë arbëresh, si p.sh De Martino, nuk shkroi më as në dialektin e vendlindjes, por në shqipen e Shqipërisë.
Në këtë prirje, me një ndjesi të këndshme letrare Sqiroi shtyhet t’i përpunojë temat e poezisë më të moçme popullore të trashëguara nga paraardhësit e tij të shekullit XV e t’ia dalë mbanë me sukses në realizimin e risive formale, vetëm pasi t’i ketë çuar në përsosmëri të admirueshme skemat metrike tradicionale. Ai mbërrin rezultate të lakmueshme nëpërmjet kombinimeve leksikore bindëse që gjenden në të folmet e ndryshme, e i afrohet krijimit të një “koineje” shqiptare, depërton në zemër të kompleksit problematik shpirtëror të kombit e ofron pamje delikate në episode plot jetë, mbarsur me domethënie të thella në poemat e tij epiko-lirike.
Por dhuntitë më njerëzore të poezisë së tij i gjejmë në poemën polimetrike “Mino”, ku ai rrëfen vdekjen tragjike të njërit prej bijve të tij, veçanërisht në ato fragmente ku toni elegjiak u nënshtrohet miklimeve të evokimeve klasike e zbret papritmas në brazdën e vajeve tradicionale mortore, ku gjen shfrim dhe lehtësim dhimbja e tij prej babe.
Veçse ajo që duhet theksuar, është se magjia e tij nuk flatroi vetëm në këtë fushë. Më pak i ndjeshëm, ndoshta ndaj ngacmimeve dhe yshtjeve romantike, por dhe më i përmbajtur klasikisht, ai qe i shënjuar për t’u shndërruar në poetin më të madh të mendimit frymëzonjës ose e thënë ndryshe, të fjalës poetike. Formimi i tij kulturor, i degëzuar në interesa nga më të variueshmit, e bëri një njeri të rangut të parë, udhëheqës të aspiratave sociale të shqiptarëve, duke ia shoqëruar këtë prirje me një pohim të fuqishëm të një tradite që shpërhapte tek të gjithë dinjitetin e fisnikërisë bashkë me atë të përvuajtësisë e të një ngushëllimi të thellë të një jete religjioze të mbrujtur nga e vërteta, poezia dhe melodia; latine në aspiratat e saj kah unitetit dhe universalizimit të botës romane; bizantine në thellësinë dhe vetishmërinë e gjuhës teologjike dhe në dashurinë e asaj bote kristiano-orientale, në të cilën shpirti i tij ashtu si dhe i gjithë popullit të tij ndihej aq familjar. Pavarësisht se i besimit ortodoks, ai u shfaq një laik i thekur deri në atë pikë sa t’i paraprinte – pa nevojën e mbështetjes s’atëhershme klerikale – asaj hapjeje ndaj njohjes së vlerave autentike të çdo religjioni, që vite më vonë shërbeu si baza për zhvillimin e ekumenizmit.
Po a u vlerësua gjatë gjithë kohës si i tillë?
Emri dhe vepra e tij për mëmëdheun e vet antik ish në mënyrë konstante dhe goxha të vlefshme, e njohur dhe e nderuar nga të gjithë shqiptarët e kohës së vet. Ndërkohë që në epokën e komunizmit, emri i tij ra në një heshtje vërtet kokërroçe nën pretekstin se pat “përshëndetur” një bashkim të Shqipërisë me Italinë, e se në vitet e fundit të jetës ishte emëruar si fashist.
Për të qenë të saktë, Sqiroi, ashtu si të gjithë arbëreshët e kohës së tij, apo dhe të tjerët para dhe pas tij, u shfaq gjithmonë si një ndër propaganduesit më të flaktë të pavarësisë së Shqipërisë; kështu që s’mund të besohet se ai mund të binte në kontradiksion me këtë parim, pse për të garantuar pikërisht pavarësinë e Shqipërisë nga rreziku serb, grek apo malazez, mendoi – ashtu siç menduan edhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, një dekadë pas vdekjes së tij – për një aleancë më të ngushtë me Italinë.
“Është shumë e lehtë dhe sipërfaqësore të gjykohet në bazë të ngjarjeve të mëvonshme; aq më tepër që nuk dihet kurrë nëse kritikët e sotëm do të arrijnë t’i shpëtojnë dot kritikës së nesërme”. Ja, kështu shprehej Valentini me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të lindjes së poetit të madh, atij që në festën e madhe të pavarësisë së Shqipërisë më 1965-n, komuniteti arbëresh e akademik italian, në rrugën “Gjergj Kastrioti’, të qytezës Piana në Itali, ku banonte familja e Skirojve, i zbuloi një pllakë përkujtimore në të cilën qe shkruar:
Te kjo shpi – i madhi Arbërsh – Zef Sqiroi
– Poet dhe shkrimtar – tue punuar natë e ditë –
– nderoi gluhën farën e horën t’ënë – (1865 – 1927)
Ishte kremtimi më i bukur i një përvjetori pavarësie në përkujtim të poetit, që në poemën e tij “Këthimi” e këndoi me vargje fluturuese atë ditë të madhe. Në këtë pikë do të qe interesante të tregonim edhe historinë e zbulimit dhe botimit të kësaj poeme, bazuar në kujtimet e dhëna për të nga Karl Gurakuqi.
“Më 1940-n, u gjenda për disa ditë në Pianë, në shtëpinë e dy vëllezërve Sqiro, dr. Xhovani dhe dr. Tommazo, ku u njoha edhe me tre bijtë e poetit, Zefin, Gjergjin dhe Gjinin. Në mbrëmje, Dr Xhovani, më i madhi, nisi të më lexonte në dorëshkrim veprën postume “Këthmi” të të vëllait. Në lexim e sipër, ai mallëngjehej, lëshonte fletët mbi tryezë, fshinte sytë e rimur nga lotët, e duke psherëtirë shikonte fotografinë e vëllait mbi mur, nën një famur kuq e zi të qëndisur bukur. “Mëkat që kjo vepër nuk është botuar ende. Porsa të kthehem në Tiranë, do t’i flas për këtë punë ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, i cili, jam i sigurt se do t’ia gjejë mënyrën e botimit”.
Këtë premtim i dha Gurakuqi familjes së poetit, mirëpo ngjarjet e mëvonshme në Shqipëri nuk lejuan konkretizimin e dëshirës së tij e të ministrit Koliqi, në pritje të kohëve më të përshtatshme. Vetëm pas 48 vitesh nga hartimi i saj (kënga e fundit u shkrua më 28 Gusht 1917) dhe 25 vjet pas takimit të Gurakuqit me familjen e autorit, vepra e tij më e madhe e gjeti dritën e botimit, po nën kujdesin e Koliqit (i cili disa vite më parë kish nxjerrë në shtyp, në bashkëpunim edhe me prof. Gradilonen, ribotimin e kryeveprës deradiane “Milosao”), e me një parathënie të bukur shkruar nga prof. Zef Sqiroi i ri.
Në këtë këndvështrim, ajo çka na duket më se e sigurt për t’u pohuar, është fakti se për një njeri që i ka dhënë atdheut të vet, kryevepra të një rangu të tillë krijimesh të angazhuara si poemat “Te dheu i huaj” apo “Këthimi”, është gjithmonë e ligjshme dhe e lejueshme një masë e caktuar reflektimi mbi mangësinë e pashmangshme të largpamësisë njerëzore, e cila mund të kundërshtohet, po s’duhet të pengojë admirimin dhe njohjen e mbizotërimit të vlerave pozitive brenda personalitetit të tij.
Ndoshta nuk qe e pamundur që ai të arrinte po të njëjtën gjë i mbyllur brenda një kulle të argjendtë e përmbi çfarëdolloj zgjedhje politike; Por megjithatë, duhet gjithmonë të pyetet nëse, pa një ndërmarrje faktike e luftarake si ajo që gjalloi tërë jetën dhe veprën e tij, ai do të kishte po atë stimul që e nxiti të bënte ato gjëra të mëdha që arriti. Ndihmesë pozitive në këtë ndërmarrje nga ana e forcave politike, ai nuk pati; mundi vetëm të shfrytëzojë drejt një liri fjale, qoftë edhe nga pikëpamja sociale, që i lë të shtangur ata që e lexojnë sot këngën e parë të poemës “Te dheu i huaj”.
Vetëm ai që me anë të këtij çelësi interpretativ shtrohet të lexojë dhe “Këthimin”, kryeveprën e tij më të vërtetë poetike, do të arrijë të njohë e të kuptojë se kjo poemë që, falë ndryshimeve historike që i zhveshën premisat konkrete politike, ngeli e pambaruar si poema e shenjtë e një doktrine të lartë, është në thelb kryevepra e poezisë filozofike dhe religjioze shqiptare, është një poemë e cila për nga shtrirja dhe thellësia e doktrinës që përfaqëson, për nga kthjelltësia, fuqia shprehëse, shkreptima dhe epërsia marramendëse e gjuhës së përdorur, është për shqiptarët ajo çka është për italianët “Komedia hyjnore” e Dantes. Madje, përveç kësaj, “Këthimit” duhet t’i njihet – akoma dhe më shumë se çdo gjë tjetër – parësia në rang botëror si poemë e ekumenizmit, ku çdo e vërtetë filozofike dhe religjioze arrin të shprehet ashtu siç mund të konceptohet më mirë, brenda ambientit të vet, të marrë, të çliruar nga lënda bazë, e pastaj të ripunuar si një diamant, të ngallmuar për të shkëlqyer fisnikërisht në kurorën e mrekullueshme të katolicizmit më ortodoks. Ja, falë tij, Shqipëria e vogël dhe e madhe mori një vend të merituar, në mos nderi, në historinë e ekumenizmit botëror.
“E ka pasur, por unë do të thosha edhe se e ka, sepse meritat nuk fshihen nga faqja e dheut siç fshihet fama”, pohon Valentini. Megjithatë, do të doja të pyesja: të gjitha këto merita, a do të mbeten vallë të vakëta apo duke u vazhduar me po të njëjtën energji dhe me po të njëjtin efikasitet, do të arrijnë të shumëfishohen në të ardhmen?
Po! Veç me një kusht: që këto vlera të traditës shqiptare që kanë konfiguruar aktivitetin e shqiptarëve përgjatë gjithë historisë, nëpër këto drejtime e me këto impulse karakteristike të ruhen përjetë. “Është një detyrë që u takon veçanërisht atyre të rinjve, që kanë vërshuar aq të shumtë në thirrje të magjisë së flakës së ekumenizmit. E kjo sepse nuk mund t’i japësh kontribut ekumenizmit, duke i shuar vlerat e veçanta kombëtare, por duke i fuqizuar dhe integruar ato. Ashtu siç i takon çdo shqiptari t’i ruajë apo t’i ringjallë – nën shembullin e një De Rade a të një Sqiroi – traditat e shenjta të stërgjyshërve të vet, për t’ia bërë më pas dhuratë botës.
© Panorama.al












