Sot opinioni botëror po pret me ditë armëpushimin në Ukrainë dhe shmangien e luftës SHBA-Iran, pika jo larg njëra-tjetrës gjeografikisht, por me efekte në tërë planetin. Nuk është një shtrirje dore tërësisht paqësore, ajo e Presidentit Trump që të jemi të sinqertë, se oferta e tij bazohet në forcë ushtarake dhe epërsi ekonomike, por ka me vete shpresën për paqe të popullatave ku lufta ndodh ose pritet të fillojë. Një risi kjo nga të rrallat në histori në mos unike, ngaqë precedenti më 1945 kur prisnim zbarkimin, ai ndodhi dhe u ndal nga ata që kishim mbi krye. Sot ndryshojnë kushtet dhe duan, s’duan qeveritë, ‘mënyra amerikane e jetesës’ për ta shprehur përmbledhtazi, kaq e kritikuar nga miq e armiq të saj, po fiton terren dita-ditës, e kundërshtuar përherë e më dobët. Historia po i blaton superfuqisë përtejatlantike rolin e paqevënësit.
A është ky një zhvillim i natyrshëm, apo i sforcuar, kjo ka të bëjë me perceptimin e një numër shtetesh që janë kujtuar vonë të jenë plotësisht të përgjegjshëm. Kurse në Shtetet e Bashkuara na dalin ndryshime dramatike si askund, me racizma që kulmojnë dhe bien, prohibicionizma që dështojnë sakaq, radikalizma majtiste që zhbihen si aliene ndaj stilit amerikan, me krizën e 1929-‘33 dhe energjinë e paparë si u përballua, me dy luftërat botërore, që me gjakun e derdhur e zhdukën përgjithmonë dëshirën për izolacionizëm, një tablo zhvillimesh ku ftohja e sotme me Evropën të habit për vendosmërinë e saj. Ajo dëshmon për një maturim të raportit ku SHBA nuk bëjnë më shaka, por kërkojnë nga BE të pranojë kryesimin amerikan në NATO si kërkesë të kohës, dmth., mbi bazën që e dikton gjeostrategjia e re, për një aksion të shpejtë të qendrës në Uashington. Ndodhemi pra, në rrugën pa kthim të zbehjes së njësive të vogla për t’i lënë vend formës së re të një perandorie lloji të ri, siç ndodh periodikisht në histori. Njësitë që e kundërshtojnë këtë proces, le të provojnë pasojat dhe kjo po ndodh pozitivisht me marrëveshjen Meloni-Merz. Thellë-thellë politika e re amerikane synon të integrojë konfliktet ose ndryshmëritë brenda botës së ‘Parë’ në një strategji të tillë, që ruan një ngjashmëri/afërsi perëndimore ende të gjallë dhe e konsolidon atë. Që ajo, me përqendrim ekonomik-ushtarak të mund të diktojë kushte restit të botës, ku sundojnë të tjera rregulla e zakone.
Ka në fakt mjaft prepotencë te kjo ofertë: Bota e ‘Parë’ ka bërë ligjin me forcë e egërsi për disa shekuj dhe të qenët e fortë sot nuk do të thotë edhe tagër për të diktuar sërish. Mirëpo, derisa ajo ka edhe aftësinë për t’u vetamenduar edhe kundra bëmave të saj çnjerëzore, që e kanë përçarë më fort se çdo sektor tjetër të planetit, i lind kjo e drejtë si e një ‘pacienti’ që ka përvetësuar më mirë kursin e riaftësimit me vuajtje dhe modesti. Modeli që ofron për t’u adoptuar gjerësisht (me të cilin po kënaqen edhe milionat e imigrantëve nga të katërta anët në brigjet e Amerikës) e bën të aftë të garojë me më kredi se sa modelet kinez o rus, që nuk ngrenë ndonjë entuziazëm sa të grumbullojnë radha në ambasadat e tyre për viza qëndrimi. Nëse ‘Bota e Parë’ e gëzon këtë avantazh, merita u takon SHBA dhe shumë më pak Evropës. Krejt e verifikueshme është që 13 kolonitë e Bregut Lindor u shkëputën nga metropoli i tyre britanik me luftë dhe më pas patën kohë të meditojnë në terma gjithëkohorë për kushtetutën e tyre, aq sa ajo kartë, të duket një monument ekuilibrash të pushteteve që s’ka nevojë për amendim në kohëra.
Amerikës i janë vrarë tre presidentë, por nga atentatorë, jo me sëpatë nga shteti as me giotinë njëri me tjetrin, ose të linçuar nga turma e zemëruar, o të vetëvrarë mbas një çmendurie kombëtare që s’mund të ketë të dytë. Dallimi pra është i tillë sa i heq Evropës të drejtën për të sugjeruar një opsion çfarëdo, pa bërë më parë një pendesë të thellë, për të cilën është aktualisht e paaftë. Ajo i ktheu kurrizin traditës së saj më të vyer si një plang prishës që gjen kënaqësi dhe mbetet te tharku i derrave duke e harruar shtëpinë atnore nga kjo dashuri që ka shtënë në lëndët e dushkut modern. Të mos harrojmë pra edhe këtë dinamikë që ndan dy degët e NATO-s. Ngacmimet majtiste në kontinentin e ri patën dhe kanë prejardhje europiane dhe jo aq të llojit social, por më fort atij seksual dhe ateist dhe është pa masë më fajtor ai që ka mohuar kulme të humanizmit si Caterina da Siena, të Zhan d’Ark dhe Simone Weil, se ai që ka trashëguar skllavërinë prej kolonistëve anglezë dhe e ka hedhur tej atë përmjet një lufte civile të udhëhequr nga një lider republikan, që u bë dhe dëshmor i saj. Themelimi me frymë më të lartë e Republikës Amerikane i jep asaj shoqërie një prestigj që kontraston me çdo superfuqi tjetër dhe garanton autoritetin e saj të shtrihet mbi çdo opsion jashtë saj, qoftë ai i bazuar mbi shenjtërinë e sovranitetit, që dora-dorës u banalizua aq sa t’u bëhet koperturë kriminelëve dhe të vërë në dyshim sistemin demokratik.
Bëhet e ngutshme pra dalja e saj në komandë të ‘Botës së Parë’. Qetësia olimpike e Kushtetutës Amerikane dhe disa pika të tjera të palëvizshme, si katër presidentë të gdhendur në shkëmb, Statuja e Lirisë në hyrje të Nju Jorkut qëndrojnë atje si garanci e patundur që edhe pse imigracioni ndërpritet, siguria e popujve ka për mbrojtës kapacitetin e superfuqisë mes dy oqeaneve që të kontrollojnë rreziqet që u kanosen prej fuqive të tjera fort të larguara nga respekti i ligjit. Është ky fakt i dalë nga historia e përbashkët si një monitor që të hiqen nga mesi rivendikimet e vjetruara evropiane, ku nxjerr kokën edhe ai nga humbja e nazizmit! Shembulli i Presidentit Wilson me 14 pikat tregon se aktet më të rëndësishme të asaj republike kanë bazë dhe fuqi të gjithhershme, kurse politika e ditës e saj mund të gabojë edhe trashë kur Perëndimi të cilin mbron, i nxjerr qysh në nisje gjithfarë pykash dhe s’flet si një zë i vetëm. Si dhe e kundërta: kur pjesëtari i BE toleron për delikatesë mbrapshtitë historike të fqinjit pranë, e bën tërë Perëndimin të dobët psikologjikisht kundrejt superfuqive monolite që s’bëhen merak për krimet e veta, por përhapin pa kursim ato të perëndimorëve. Është për këtë që duhen kujtuar e mbajtur lart figurat e lartpërmendura, të Caterina da Siena, Zhanë d’Ark, Simone Weil për të thënë tre shembuj nga e tërë struktura e mijëra kolosëve të kulturës, artit dhe paqes që ato simbolizojnë.
Perëndimi o është i vlefshëm si ruajtës i traditave, morale dhe të devocionit, në mos bëhet rreziku më i madh i vetes! Aberracionet e dy shekujve të fundit në masa njerivrasëse të paprecedentë e kanë çuar zilinë e humbësve majtistë në atë gradë sa të sulmojnë deri suksesin evident, bërtitës, të partive të djathta, veç me shpifje! Oponenti sot po merr tipare bizare si për të theksuar që autonomia në emër të arsyes, shpejt bie në pozita mllefi, që mohojnë pikërisht arsyen! Kurse mendimi pozitiv që s’ka nevojë të shtiret as të nxehet, sepse i ka realizimet në dorë, të dukshme dhe vepruese, ravizohet tek ofertat e Trump, që si një Amerikë e djathtë tipi të ri, realizon një bashkërendim brenda-perëndimor, me respektin për specifikën kulturore të tjetrit dhe reduktim me punë dhe ndihma të varfërisë jashtë tij.
Ky sistemim do të reduktojë në maksimum bjerrjen e humbjeve burokratike, siç u kuptua qysh prej bashkimit tresh të qymyrit e çelikut, një tërësi akordesh që pastaj, me fuqinë e përqendruar tek NATO, të sjellë edhe pjesën tjetër të Evropës dhe të botës të identifikohen në paqedashje. Një strategji me ngacmime, prova e gabime, e bazuar në tiparet karakteriale të ‘Botës së Parë’, grabitëse dhe vetëvrasëse në kulm, por edhe me një shtysë së brendshmi për rishikim e pendesë. Do jetë ajo që do të trokasë te tjetri për të korrigjuar të kryerën, në mënyrë që paqja të arrihet me një kriter unik dhe perëndimor, që nënkupton mopajtimin e saj me defektin në çdo lëmë, shtet, art, organizim, shkencë, me armë dyshimin dhe me pikarritje zbulimin.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












