Banderolat “O sa mirë me qenë shqiptar”, “Një komb, një Kombëtare” te tifozët kuqezi, “Krenaria pa kufi, gjithmonë kuq e zi”, pak me tutje, te njëzetëshja me tifozët nga Tetova e përballë tyre njëzetëshja me Plisat e Prishtinës dhe Fanaticsat e Tironës…
Mijëra e mijëra shqiptarë që kanë ardhur të mbështesin Kombëtaren e tyre. Kjo është pamja mahnitëse që të ofronte momenti i parë para fillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Francës.
Është pa diskutim një ndjesi e veçantë dhe menjëherë përfshihesh nga energjia dhe entuziazmi kur sheh lojtarët e Kombëtares sonë të luajnë si të barabartë përballë një herë kampionëve të botës. Të duartrokasësh gjigantin e pakalueshëm Cana në qendër të mbrojtjes, të riun Hyka, që më në fund i jepet shansi t’i japë frymëmarrje Kombëtares (e që tregon se është koha për më shumë vizion dhe investim në futboll, sidomos në përgatitjen e të rinjve për të ardhmen), apo sulmuesin Bogdani (natyrshëm nuk mund ta lë pa përmendur), i cili bën që stadiumi të brohorasë: GOL!!!
Por, rruga për të ardhur në këto pamje është e gjatë, e vështirë dhe, për shumë, e pamundur. Nuk e kam fjalën këtu për 45 minutat e para të lodhshme, plot ankth dhe me dy gola dizavantazh. Por për ditët përpara ndeshjes, kur çdo tifoz, sportdashës apo shqiptar që thjesht mbështet Kombëtaren, e kishte të vështirë, thuajse të pamundur për të shkuar në stadium për të parë ndeshjen.
Së pari, biletat për ndeshjen me Francën u bënë si “Molla e ndalueme” e Migjenit. Kudo që pyesje, përgjigjja ishte e njëjtë: “Nuk ka. I ka bllokuar Federata”. Justifikim interesant. “Kanë ardhur shumë gazetarë të huaj”. A thua se ndeshja luhej në stadiumin e Kastriotit, ku një faqe është shkëmb e pjesa tjetër ka shumë pak vende!
Më në fund, kur mbërriti edhe gazetari i fundit i huaj, edhe tifozi i pesëdhjetë i Francës…, biletat dolën në qarkullim edhe për tifozët e Kombëtares (vetëm ato mbrapa porte ama)!
Është e vërtetë që Shqipëria këto vitet e fundit ka bërë shumë përpara dhe është zhvilluar ndjeshëm. Është e vërtetë që paga jonë mesatare lë pas të gjitha vendet e rajonit dhe disa vende të Bashkimit Europian. Është e vërtetë që aspirojmë të arrijmë integrimin në familjen europiane, por kjo nuk do të thotë që biletën për të parë Kombëtaren tonë ta paguajmë më shumë se një europian, e për të parë Shqipëri – Francë të paguajmë më shtrenjtë se një francez!
Për një shqiptar, qoftë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia (sepse më mijëra kishin ardhur), është e vështirë për të përballuar një biletë në tribunë 100 000 lekë të vjetër, apo qoftë edhe te karshia 30 000 lekë të vjetër. Çmimet zyrtare këto, se në treg të zi shkoi në stratosferë!!! E as mos të të shkojë në mendje të marrësh me vete djalin, vajzën apo bashkëshorten, sepse të shkon një ndeshje sa një iPhone!
Nuk kam pasur rastin të shoh ndonjë ndeshje në stadiumet europiane, por kam pasur shansin të shoh skuadrat europiane në turnetë e tyre verore në Amerikë. Ajax Amsterdam vs. New England Revolution, 30 dollarë bileta (dhe në një stadium të vërtetë, ku nuk ke nevojë të marrësh ACE apo gazetë me vete, se ndryshe nuk ulesh dot në stolat e stadiumit…, pa përmendur të gjitha kushtet e tjera). Por, jam i sigurt se edhe në Europë mund të shohësh skuadrat e mëdha të futbollit me më pak se 70 euro (100 000 lekë të vjetër).
Në çdo rast, problemi për mendimin tim nuk është vetëm te çmimi i lartë, por dhe tek ata që e vendosin atë çmim. Ata thjesht përfitojnë nga besnikëria e shqiptarëve dhe tifozëve që marrin mundimin të bëjnë edhe kilometra të tërë për të ardhur për të parë Kombëtaren dhe, kurrsesi, nuk mund t’i lënë shkallët e stadiumit bosh!
Kjo nuk mund të ndodhë, kurrsesi!
Sepse në fund të fundit nuk ka gjë më të bukur sesa kur sheh në një stadium një komb që mbështet një kombëtare, që brohoret për një gol kuqezi!!!
© Panorama.al












