Një javë i varur në vilë, zbulohet kufoma

Sep 7, 2011 | 11:19
Shtëpia ku u gjet viktima

DURRES – Trupi i pajetë i një burri u gjet dje i varur në ambientet e një vile trekatëshe, në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit. Viktima u zbulua nga banorët e zonës, të cilët kanë vënë në dijeni edhe uniformat blu. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se banesa trekatëshe është e pabanuar, pasi pronarët e saj prej vitesh janë vendosur në Itali. Prej katër-pesë ditësh në këtë rrugë nuk mund të kaloje dot, pasi mbante erë shumë të keqe, madje edhe tavolinat e lokalit i kemi futur brenda, pasi këtu në kopsht nuk mund të qëndroje dot prej kutërbimit. “Fillimisht menduam se do të ketë ngordhur ndonjë kafshë dhe kafshët e tjera e kanë futur në thellësi të banesës. Ndërsa sot, në vilën ngjitur po punonin disa punëtorë dhe më pyetën se çfarë ishte kjo erë e keqe. Me këtë erë nuk mund të punohet, tha njëri prej tyre, dhe u nis të kontrollonte nëpër dhomat e vilës ngjitur, kur vetëm pas dy-tri minutash më thërriti dhe më tha se paskan varur një njeri. Menjëherë lajmëruam policinë”, deklaron Agron Musaj, pronar i lokalit përballë banesës ku u gjet trupi i pajetë, varur me lidhëse këpucësh. Policia ka deklaruar se viktima ishte rreth 35 vjeç, 176 cm i gjatë, me pantallona të zeza dhe një bluze me mëngë të shkurtra ngjyrë blu. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur 1 javë më parë. Deri në mbrëmje në policinë e Durrësit nuk pati asnjë të interesuar për familjar të zhdukur me këto të dhëna. Por edhe banorët e zonës në të cilën u gjend i varur viktima thonë se nuk është banor i kësaj zone, madje e kanë parë për herë të parë.               l.m

© Panorama.al

Te lidhura