Me gjithë problemet financiare dhe shtyrjen e datave, po zhvillohet në Durrës edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan, i cili organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit”. Festivalin e hapi shfaqja “Ne-Ku-Ndër”, e “Abanian Dance Theatre”, me koreografi të Gjergj Prevazit. Shfaqja, e mbështetur në krijimtarinë poetike të Migjenit dhe Kim Mehmetit zhvendosi problematikat shqiptare të viteve ’30 në kohët e sotme, duke gërshetuar interpretimin e 9 balerinëve me aktrimin e Ema Andreas. Si çdo vit, festivali e ka qendrën e vet në Durrës, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, por nuk do të mungojnë edhe shfaqjet e organizuara gjatë kësaj periudhe në Akademinë e Arteve dhe Teatrin e Metropolit në Tiranë. Pjesëmarrës në këtë edicion janë trupa nga Greqia, Zvicra, Sllovenia, Izraeli dhe Franca, të cilat do të sjellin 10 shfaqje në Durrës dhe në Tiranë. Kompanitë e huaja teatrore vijnë me disa nga prodhimet më të mira të viteve 2009-2011. Festivali, i cili mbështetet nga Bashkia e qytetit të Durrësit do të vijojë deri në datën 17 shtator.











