Instituti Shqiptar i Medias, Front Line Club, dhe Akademia e Filmit&Multimedias Marubi organizon projeksionin e filmit dokumentar investigativ “Armiqtë e Popullit”. “Enemies of the People” (Armiqtë e Popullit) i regjisorëve Rob Lemkin dhe Thet Sambath, është prodhim i vitit 2009, 93 min, në anglisht me subtitrat në shqip. “Khmer Rouge” drejtuan atë që cilësohet si një nga regjimet më brutalë të shekullit XX. Megjithatë, Fushat Vrastare të Kamboxhias mbeten të pashpjeguara. Deri tani. Në filmin “Armiqtë e popullit”, burrat dhe gratë që kryen masakrat – nga ushtarët e këmbësorisë e deri te udhëheqësi ideologjik i partisë, Nuon Chea, ose Vëllai Numër Dy – thyejnë një heshtje 30-vjeçare për të dhënë dëshmi të padëgjuara apo të papara deri sot. Thet Sambath, një nga gazetarët investigativë më të mirë në Kamboxhia, ka mundur të depërtojë në Khmer Rouge, pas një dekade pune. Sambath ka një mision personal: ai ka humbur edhe familjen e vet në Fushat Vrastare. Filmi është udhëtimi i tij për të parë jo se si vdiqën, por përse vdiqën. Ai dëgjon dhe kupton për herë të parë historinë e vërtetë të tragjedisë së vendit të tij.











