Një gjimnaz franko-shqiptar për Tiranën

Sep 8, 2011 | 10:55
Jean-Pierre Le Goff

Shqipëria ka lidhje të forta arsimore dhe intelektuale me Francën. Një pjesë e mirë e intelektualëve më të njohur shqiptarë kanë jetuar e punuar në Francë. Ndërsa imazhi i Liceut Francez është ende i fortë për breza të tërë shqiptarësh. Por, tashmë, simbioza franko-shqiptare vjen me një dimension të ri. Një grup franko-shqiptar ka krijuar gjimnazin franko-shqiptar “Ernest Koliqi”. Njohjen me shkollën na e bën presidenti francez i saj, z. Jean-Pierre Le Goff, si dhe bashkëthemeluesi tjetër, Dr. Ermal Hasimja.Për më tepër, lexoni intervistën e z. Le Goff për gazetën “Panorama”.
Ku e ka zanafillën ideja e këtij gjimnazi franko-shqiptar?
Le GOFF: Në një takim me miq shqiptarë e francezë në Paris. Ideja u prezantua që në fillim në formën e një sfide profesionale e intelektuale, pasi u bë e qartë se nëse do të realizohej, duhej të ishte një shkollë serioze dhe cilësore. Propozimi fillestar u bë nga z. Ermal Hasimja. Pasioni, përvoja dhe entuziazmi i tij ishin ndoshta elementët më bindës për ne të tjerët.
Në Shqipëri ka plot shkolla publike e private, disa shumë të mira, disa shumë të dobëta. Si do të jetë “Ernest Koliqi”?
Le GOFF: Askush prej themeluesve nuk do t’i ishte futur kësaj pune thjesht për të krijuar një shkollë si të tjerat.

Godina e gjimnazit “Ernest Koliqi”

Shkolla nuk u referohet standardeve ekzistuese, por ka standardet e veta. Kjo do të thotë se për ne nuk është i rëndësishëm krahasimi me shkollat e tjera, por me objektivat tanë arsimorë. “Ernest Koliqi” do të jetë një shkollë serioze, rigoroze, cilësore, kërkuese dhe motivuese për të rinjtë. Kjo nuk do të thotë se do të jetë e mërzitshme apo një shkollë-burg. Një shkollë e mirë i vë nxënësit në pozita maksimale pune duke u injektuar pasionin për dijen, duke respektuar individualitetin dhe kreativitetin e tyre.
Çfarë ka marrë kjo shkollë nga modeli francez?
Le GOFF: Në radhë të parë frymën e mendimit kritik individual. Nxënësit duhet të nxiten të mendojnë vetë dhe t’i rezistojnë trysnisë për të mësuar përmendësh apo për të marrë thjesht informacion pa përftuar dije. Natyrisht, edhe idenë klasike franceze se shkolla nuk përgatit thjesht nxënës, por edhe qytetarë të përgjegjshëm.
Në çfarë gjuhe do të zhvillohen lëndët?
Le GOFF: Në vitin e parë në shqip, por zhvillohet edhe kursi i anglishtes intensive me mësues amerikanë. Në vitin e dytë nxënësit do të mund të marrin lëndë në anglisht, madje edhe në frëngjisht nëse dëshirojnë. Pra shqipja dhe anglishtja do të jenë gjuhët e punës, por gjithsesi, frëngjishtja do të jetë gjuhë e dytë, siç e parashikon edhe legjislacioni shqiptar.
Nëse një prind do t’ju pyeste se cilat janë garancitë për cilësinë e shkollës, si do të përgjigjeshit.
Le GOFF: Garancia e parë është qëllimi i shkollës. “Ernest Koliqi” është një shkollë me të cilën duam të krenohemi të gjithë. Një shkollë që vendos standarde. Garanci tjetër e fuqishme është stafi: qoftë francezë, shqiptarë apo amerikanë.

Një nga mjediset e brendshme të gjimnazit “Ernest Koliqi”

Të gjithë janë përzgjedhur me kujdes, në funksion të filozofisë sonë. Gjysma e tyre janë të huaj ose shqiptarë të shkolluar në universitete shumë të mira perëndimore, ndërsa pjesa tjetër janë mësues me përvojë të shkëlqyer në Shqipëri. Kemi krijuar mjedisin e duhur motivues për ta dhe besoj se kjo do të pasqyrohet tek ajo që do t’u japin nxënësve.
Nga ana tjetër, infrastruktura është shumë e përshtatshme: një ndërtesë 7-katëshe e dizajnuar si shkollë dhe jo e përshtatur nga mjedise të tjera, me bibliotekë të madhe, mjedise sportive, si dhe një mensë me kuzhinier francez. Shkolla ka garantuar edhe transportin.
Kush mund të vijë tek “Ernest Koliqi”?
Nxënës të talentuar, seriozë e ambiciozë. Ndoshta është e qartë tashmë, por gjithsesi, duhet thënë se kjo nuk është shkollë për dembelë. Gjithsesi, përveç vlerësimit të mesatares së shkollimit të mëparshëm, kandidatët kalojnë edhe një test filtrues paraprak.

Hasimja: Rigorozitet në vlerësim dhe mendim kritik

Ermal Hasimja

Në grupin e themeluesve, bashkë me kolegët francezë, është edhe Dr. Ermal Hasimja, pedagog në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, motori kryesor lokal i kësaj nisme. Por si do të ishte ndryshe nga të tjerët “Ernest Koliqi?”. “Shkollat shqiptare, publike dhe private, vuajnë nga probleme të shumta. Notat janë shpesh fiktive. Kjo mund t’iu pëlqejë disa prindërve fillimisht, por ky fiktivitet shndërrohet më vonë në pengesë madhore kur nxënësit përballen me universitetin e më pas me profesionin. Për më tepër, në Shqipëri mësuesit nuk u rezistojnë dhe aq shumë ndërhyrjeve për ndryshimin e notës. ‘Ernest Koliqi’ ka vlerësim dhe nota reale. Kjo u vlen në radhë të parë vetë nxënësve për t’i përgatitur me kulturën e punës dhe parimin se rezultatet merren vetëm me punë të merituar”, sqaron dr. Ermal Hasimja. Sipas tij, gjithashtu shkollat shqiptare vuajnë edhe probleme metodologjike. “Shpesh mësuesit kërkojnë dhe nxitin të mësuarit përmendësh ose thjesht riprodhimin e informacionit. Kjo i dëmton shumë nxënësit, i bën të paaftë për të studiuar realisht dhe për të menduar në mënyrë autonome. Problemet ndihen kur nxënësi mbaron gjimnazin dhe përballet me universitetin, e më vonë me profesionin. Gjimnazi ‘Ernest Koliqi’ zbaton një metodologji të qartë dhe rigoroze kundër të mësuarit përmendësh. Kontrolli i dijes dhe i gjithë komunikimi në klasë strukturoret mbi këtë parim të rëndësishëm. Madje është përfshirë në program edhe lënda e Logjikës”, thotë dr. Ermal Hasimja.

© Panorama.al

Te lidhura