1.
Ditën kur Vaclav Havel do të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit të Çekosllovakisë, do të shikoja orën e famshme astrologjie të Pragës lëvizjen e diellit dhe hënës, vallëzimin e dhjetëra figurave të tjera mekanike që përcjellin ndërrimin e orës.
Havel jepte dorëheqje sepse shteti, President i të cilit ishte, po zhbëhej me marrëveshjen e liderëve të Çekisë dhe Sllovakisë, Klaus dhe Meçjar, prijësve të shteteve të ardhshme të pavarura.
Në atmosferën e qytetit ndihej aq tension, sa mund të prodhojnë figurat vallëzuese të Orës astrologjike. Turistët vazhdonin të fotografonin lëvizjen – po të dilte vetë Haveli në ballkonin e Bashkisë e ta shpallte dorëheqjen, turistët do ta fotografonin sikur edhe orën; ndoshta do ta konsideronin si pjesë të një rituali që ndodh zakonisht në mesditën e vendeve ish-komuniste të Europës Qendrore.
Në mbrëmje, e duke ikur nga një darkë monotone zyrtare, do të gjendem me kostum e kravatë në një natë të ngrohtë të Pragës, me obligimin e vendosur që më herët që pas të vizituarit të shtëpisë ku kishte jetuar Franz Kafka, të vizitoja ndonjërën prej birrarive të famshme të qytetit.
U ula në vendin e vetëm të lirë të njërës prej birrarive të vjetra të qytetit; ishin tavolina të gjata, me bankat e veta, dhe uleshe ku mundje. Dy fytyrat pranë meje hetuan se nuk i dija adetet e birrarisë. Më thanë që të ulesha pa pyetur dhe më thanë se birra do të vijë së shpejti, pa pyetur fare për të, e shënuar pastaj në një copë letër që të rri pranë.
Me birrën e parë u thashë prej nga jam, ata bënë me krye në shenjë keqardhjeje. Ajo ishte nga Zelanda e Re, kishte ardhur në Pragë për të bërë një xhiro nëpër Europë, me shpresë se do të gjente një punë që do t’ia vazhdonte qëndrimin. Ai kishte ardhur nga Çikagoja, me shpresë se do të gjente një rast të mirë biznesi.
Me birrën e dytë ai më shpjegoi se i kishte rënë në mend se ky vend nuk ka traditë picerie dhe se të gjithë këta turistë që vijnë kërkojnë të hanë nga një copë picë para se të vazhdojnë shtegtimin nëpër qytet. Ajo më shpjegoi se e la gjysmëprofesionin e arsimtares private të anglishtes (edhe ashtu, kush mund ta kuptonte theksin e saj neozelandez?) dhe iu bashkua atij në biznesin e ri, atë të Chicago Pizza.
Biseda e birrës së tretë zgjati shumë. Ai tha se e kishte takuar Kafkën me qindra herë; se e takonte përditë kur shkonte në ndonjërën prej zyrave komunale për t’u pajisur me ndonjë licencë a leje të nevojshme për hapjen e picerisë. Një aventurë gjashtëmujore e çonte prej njërës në zyrën tjetër, “nga çdonjëra më dilte i njëjti njeri, personazh i Franz Kafkës, duke më shpjeguar pse është e pamundur të kryhet puna sot”.
Pas të gjitha lejeve, vulave e taksave administrative, Chicago Pizza ishte gati për t’u hapur. Ai vendosi që këtë ta bënte fundjavën e parë, dhe natyrisht, “ku ka kombinim më të mirë se sa pica dhe birra? Mora telefonin e fabrikës së birrës, porosita një kamion dhe ata më thanë që është në rregull, se e kanë marrë porosinë dhe se kamioni i parë mund të niset në javën e tretë të janarit të vitit të ardhshëm!”.
Atij desh i ra pika, shkoi me veturë në fabrikë për ta vërtetuar këtë informatë dhe ata i thanë se plani i prodhimit për këtë vit ishte shitur; se porosia e tij kishte hyrë në planin e prodhimit të vitit të ardhshëm. Ah, po, i kishin thënë “mos kërkoni në fabrika të tjera, se të gjitha e kanë përmbushur planin për këtë vit”.
Dhe ai, dhe ajo kishin dalë për të blerë birra nëpër shitoret e qytetit me një taksi, e kishin hapur picerinë (“pica më e mirë në këtë anë të Atlantikut”, thoshte ai), kishin shitur aq pica sa kishte birra dhe para se të mbaronte orari zyrtar i punës, kishin ardhur në këtë birrari për të festuar, e me koincidencën e dëshmuar nga historia, edhe për të më rrëfyer aventurën e tyre.
Dorëheqja e Havelit – prijësit të “Revolucionit të mëndafshtë”, për shumë vjet ndërgjegjes demokratike të popullit të shtypur – zgjati si temë dramatike sa edhe shkuma e birrës së katërt, përfundimtare.
2.
Ia tregoj këtë rrëfim një mikut tonë të përbashkët, ndërsa nisem për në Pallatin Presidencial, ku takohem me Presidentin Havel, i vetëdijshëm edhe për historinë e dikurshme të këtij disidenti, të cilit i qe privuar e drejta për vend pune tjetër, pos ngarkuesit të fuçive të birrave në një fabrikë lokale, e cila deri vonë duhet të ketë planin e vet vjetor të prodhimit. Të struktë.
Shumëçka ka ndryshuar. Ai është bërë President i Çekisë dhe, si i tillë, jo vetëm forcë motorike për hyrje të vendit të tij në NATO, por edhe zë i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës. Unë vij, me ftesë të tij, nga një vend i çliruar, por me shumë vështirësi funksionimi – prej shërbimeve publike deri tek institucionet e shtetit.
Bëjmë bisedë të thelluar për problemet e Kosovës, me ripërsëritjen e tij se është i gatshëm të ndihmojë edhe më tutje.
Salla është e madhe, një barok i theksuar, i gatshëm për një klaviaturë të mirë Moxarti. Ka shumë dritë nga jashtë, që i thekson ngjyrat e arta të karrigeve, në një moment e ndriçon edhe hallkën e bakrit që e mban Presidenti në dorën e majtë, njërën prej atyre që mbanin rokerët në kohën e tyre, të viteve shtatëdhjetë.
Prej kohësh e di se është ithtar i Frank Zappës dhe se kemi shije të ndryshme sa i përket rokut.
Mendoj, duke dalë nga Pallati, se a mund t’ia ketë dhënë vetë Zappa hallkën, apo këtë e kishte që në kohën e komunizmit, si formë rezistence? Apo se tash e mban në formë rezistence tjetër?
Nëse është kështu, ndaj çkahit mund të rezistojë sot në vendin e tij Havel, pyes mikun tonë të përbashkët?
– Mediokritetit, – më thotë. – Ai vuan në Pallatin e tij, ndërsa sheh se si tretet energjia e Revolucionit, se si po humben kauzat.












