Një argjentinas nderon Italinë në Slloveni

Mar 26, 2011 | 11:15

Tiago Mota shënon golin e Italisë në transfertën e vështirë mbrëmë në Slloveni. Argjentinasi me prejardhje italiane dhe së fundmi i pajisur edhe me pasaportë të këtij vendi, shënoi në minutën e 73-të të pjesës së dytë, pas shumë rasteve të humbura nga djemtë e drejtuar nga Çezare Prandeli. Duhet pranuar se Italia ka treguar se “Prandeli” ka ndryshuar thuajse në 90 për qind të asaj që doli nga Botërorit i 2010-s. Në portë ishte legjendari Bufon, ndërsa katërshja e mbrojtjes përbëhej nga Maxhio, Bonuçi, Kielini dhe Balzareti. Mesfusha ndahej nga Montolivo, Mota, Akuilani dhe Mauri, ndërsa në sulm luajtën nga minuta e parë dyshja Kasano-Pacini. “Axurrët” e nisën lojën në sulm që nga minuta e parë dhe rrezikuan disa herë portën e mbrojtur nga Handanoviç. Nga 11-shja titullare stonoi vetëm Mauri, i cili u zëvendësua nga pjesën e dytë nga Noçerino. Me këtë fitore Italia konsolidoi vendin e parë me 13 pikë, e ndjekur nga Sllovenia me 7 pikë, Serbia po 7 pikë, Estonia 6 pikë, Irlanda e Veriut me 5 pikë dhe Ishujt Faroe me një pikë.

© Panorama.al

Te lidhura