Një ambasador aspak danez

Jan 8, 2012 | 12:03

EDI LESI

Në Shqipëri ka një vlerësim të përgjithshëm për Danimarkën, si përfaqësuese emblematike e cilësisë në të gjitha drejtimet e jetës. Aq sa, shpesh, kur kërkohet të çmohet diçka, ose në të kundërtën, të përçmohet, përdoren krahasimet me standardet daneze.  “Pse, në Danimarkë jemi këtu?!” – thuhet rëndom kur kërkojmë që diçka të jetë me të vërtetë e arrirë. Mirëpo, për paradoks, është vetë ambasadori danez në Tiranë që na e përmbys pak këtë model të perfektes duke na çuditur me intervistën e fundit që ka dhënë në mediat shqiptare. Ambasadori danez jep receta dhe ndërhyn në çdo gjë, aq sa nuk dihet më se në emër të kujt flet ai. A flet si përfaqësues i një shteti, si shqiptar, si analist i majtë, si politikan, apo si demiurg. Çfarë tagri ka, vallë, ky diplomat që na tregon se si duhet ta zgjedhim Presidentin, çfarë duhet të bëjmë me kabllogramet e WikiLeaks-it, si duhet ta ndërtojmë sheshin “Skënderbej” etj.
Ka ndodhur një ngatërresë fatale me sa duket me përfaqësuesin danez Karsten Jansen, pas marrjes së Presidencës së BE-së më 1 janar të këtij viti nga Kopenhaga zyrtare. Ai ndoshta mendon se me këtë rast ka marrë Presidencën e Shqipërisë, jo në kuptimin e ofiqit, se dhe President i Shqipërisë po të ishte, nuk do të futej kaq thellë në detaje, pasi nuk e lejon Kushtetuta, por të Presidencës së vendit tonë si përgjegjësi koloniale.
Fillimisht, ambasadori danez e nis duke fyer dhe akuzuar të gjithë politikanët, çka për hir të së vërtetës, është bërë një klishe që nuk nxit më keqardhjen e askujt, duke dhënë pretencën e tij se ata nuk kanë Shqipërinë dhe shqiptarët në qendër të vëmendjes. Më tej, z. Jansen fyen dhe popullin shqiptar që, sipas tij, vazhdon t’i zgjedhë këta përfaqësues. Shqiptarët kanë hyrë në vitin e 100-të të pavarësisë së tyre dhe ata kanë një shekull që kanë fituar të drejtën për të marrë vendime siç e gjykojnë ata vetë. Edhe tokë vikingësh po të ishim sot, me siguri ambasadorit danez do t’i takonte të ishte më i kujdesshëm në sugjerimet e tij. Ambasadori danez e quan zgjedhjen e ardhshme të Presidentit si test për demokracinë. Në fakt, ky është një zmadhim i padiskutueshëm i kësaj situate. Zgjedhja e Presidentit është një moment i rëndësishëm për vendin, por jo një test për demokracinë, pasi kemi të bëjmë me një procedurë të përcaktuar qartë në Kushtetutë, dhe me ndryshimet tejet konsensuale që janë bërë në ligjin themelor, ky moment nuk paraqet në vetvete asnjë lloj prove për të ardhmen e tonë. Ambasadori danez shprehet se ndërhyrja e Bashkisë në sheshin “Skënderbej” është e njëanshme dhe e minutës së fundit. Por, më shumë se kaq, z. Jansen, që duket se ka talent për metafora, e quan rehabilitimin e sheshit njësoj si të ndryshosh buzëqeshjen e Mona Lizës dhe ta kthesh atë në ngërdheshje.  Me siguri që ambasadori danez nuk ka votuar më 8 maj të vitit që kaloi për zgjedhjet lokale në Tiranë, por është e sigurt që pas kësaj interviste ai e tregoi votën e tij. Ai u shpreh qartë se është mbështetës i Bashkisë së mëparshme. Nuk i intereson shumë atij se sa vuajtën qytetarët e Tiranës, më shumë se dy vjet, në rrathët e ferrit dantesk të krijuar nga trafiku monstruoz i bllokimit të sheshit, nyjës kryesore të qarkullimit në kryeqytet. Meqenëse ka pasion pikturën dhe rilindësit italianë, Jansen duhet të ndërmendet për një hop, se nëse Da Vinçi do të kishte jetuar qoftë edhe një javë në atë katrahurë që solli sheshi, ai me siguri nuk do ta kishte bërë Mona Lizën të buzëqeshur, por të trishtuar, gjithë pluhur, të stresuar dhe me shenjat e dëshpërimit njerëzor prej faktit se Bashkia ku ti jeton nuk do t’ia dijë për cilësinë e jetës tënde.
Ambasadori danez na çudit edhe më shumë kur thotë se bojkoti i opozitës nuk e bllokoi statusin e vendit kandidat për në BE. Jansen ndoshta ka vendosur të replikojë me vonesë me zotin Fyle, apo të tjerë përfaqësues të lartë të BE-së, të cilët më shumë se një herë janë shprehur qartazi se bojkoti i opozitës dhe qëndrimi i saj radikal i kushtuan vendit mosmarrjen e statusit të kandidatit për në BE. Akoma më shumë, Jansen e çmon bojkotin e opozitës duke thënë se kjo solli shpluhurosjen e disa problemeve të fshehura prej kohësh. Pak si joeuropiane kjo deklaratë, po të kujtojmë zërat e përsëritur kundër bojkotit të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian, ku Danimarka që paguan diplomatin Jansen është anëtare aktive.
Ambasadori Jansen gjen kohë të flasë edhe për WikiLeaks-in, sado një temë tashmë e dalë mode, duke thënë se kabllogramet duheshin shqyrtuar me seriozitet. Për kabllogramet ka folur vetë ambasadori amerikan dhe ka thënë të kundërtën e kësaj që ka merak z. Jansen.
Kështu pra e ka nisur Presidencën e BE-së në Shqipëri ambasadori Jansen. Këto janë, në fakt, qëndrime të çuditshme, të kontestueshme, të njëanshme, joprofesionale dhe aspak diplomatike. Me një fjalë, qëndrime aspak daneze, duke pasur parasysh standardet e vendit nga vjen z. Jansen. Mund të themi me plot gojën pas kësaj interviste, se z. Jansen është një ambasador aspak danez. Në fakt, ka një thënie shqiptare në kësi rastesh. “Ha një lugë çorbë të prishur diku, dhe tërë jetën do të vjellësh”. Me gjithë këto të vjella, për fakt të keq, vaktet e prishura që ka ngrënë zoti Jansen duhet të kenë qenë të shumta, në mos vazhdojnë ende.

© Panorama.al

Te lidhura