Një “Zhizel” si dhuratë për të gjithë

Dec 26, 2011 | 9:26

ANILA BRAHO (VASJARI)

Të marrësh si dhuratë për fundvitin magjinë e një spektakli baleti, nuk është dhe aq e zakonshme. Teatri i Operës dhe Baletit e bëri të mundur këtë me “Zhizel”, një monument tradicional i artit të kërcimit në sensin më klasik të fjalës. Një kryevepër autentike e romantizmit, që edhe pse jemi një shekull e gjysmë larg nga vendosja për herë të parë në skenë (28 qershor 1841 në Opera “Academie Royal de la Musique” me titull origjinal “Giselle ou Les Vilis”), vazhdon të magjepsë ende publikun e gjithë botës.
“Zhizel”, sikur t’a përkufizonim ndryshe, fare mirë mund të quhej “manifesti i një gjenerate artistësh të rinj që kërkojnë një vend në botën e ëndrrave”. Romantizmi lindi heronj pasionalë, por të palumtur, vagabondë të rinj të shpirtit dhe himnizoi gruan ideale, duke e kthyer në një engjëll dhe mit bukurie. Kjo është vendosja e një raporti të ri mes njeriut dhe realitetit, njeriut dhe natyrës, ku toka u zëvendësua me qiellin, realiteti me misterin… Nën dritën e hënës vrapojnë fantazmat e irracionales, duke bërë që të triumfojë një tjetër harmoni, ku gjithçka lind dhe vdes në qiell dhe asgjë më në tokë. Nën këtë qiell romantizmi e “lindi” edhe Zhizelin e tij poeti, shkrimtari dhe kritiku Theophil Gautier, një nga më brilantët e rilindjes romantike franceze. Ai e shkroi këtë libret në bashkëpunim me Vernoy de Saint-Georges, frymëzuar nga libri i Heinrich Heine “D’Allemagne” ku tregohet legjenda e Vilisave (zanave), shpirtrave të palumtur të vajzave të reja që janë tradhtuar dhe kanë vdekur para martesës. Ato natën dalin nga varret e tyre në kërkim të hakmarrjes për ata që nuk patën respekt në të gjallë të tyre. Por edhe një lirikë e Victor Hygo tek tregimet “Orientales” do të sëmbonte shpirtin romantik të Gautier për vajzat e bukura që fryma u ndërpritej në mes nga një fat i pamëshirshëm, nga një valle e hequr pa pushim gjer në agim, gjer në frymën e fundit. Romantiku i madh i bashkon këto dy fabula të magjishme në një të vetme, duke i dhënë jetë “Zhizelit”. Dhe mbi muzikën e Adolph Adam dhe koreografinë e Jean Coralli e Jules Perot, “Zhizeli” nga ëndërr do të kthehej në art. Tamam kështu vjen “Zhizel” edhe në Teatrin e Operës dhe të Baletit këtë fundvit: një krijim romantik që idealizon dashurinë dhe mallëngjen shpirtrat, prototip i një modeli perfekt të bashkimit mes reales dhe ëndrrës, mes jetës normale dhe asaj të një bote tjetër të banuar nga shpirtra dhe krijesa të ajrit. Por “Zhizel” është dhe një kryevepër artistike ku kërcimi, muzika dhe poezia ngjizen bashkë dhe bëhen pikënisje për një Zhizel të kohëve moderne. “Zhizel” është romantike, por si të gjitha kryeveprat është kryeneçe, kërkestare, e lodhshme për ta “nënshtruar”. E tillë ka qenë edhe për Enada Hoxhën e Albrechtin e saj, Gerd Vaso. Duke përjetuar në dukje dy momente të ndryshme mes dy akteve (realen dhe të mbinatyrshmen), Zhizel kërkon ekzistencën e njëkohshme të lirizmit dhe dramacitetit perfekt të interpretueses së saj. Emocion në aktin e parë dhe bagazh teknik absolut në aktin e dytë. Zhizel është heroinë dhe viktimë në të njëjtën kohë. Duke “jetuar” realen në aktin e parë, Enada është një Zhizel bindëse, e lumtur dhe naive. Çdo gjë ka dritë në aktin e parë: që me hapjen e siparit, spektatori bëhet banor i ngjyrave, jetës, freskisë së ambientit fshatar, kërcime të tij plot jetë dhe hare. Protagonistja është e dashuruar dhe ajo nuk druhet t’ia përcjellë botës dashurinë për jetën, pa ditur që diçka e mënxyrtë do të ndodhë në jetën e saj. Aksioni pantomimik është i realizuar, mdaj brenda të cilit nuk mund të mos shquash dy momente brilante, ai ku emocioni i përgjigjet partiturës së Adam, ku Enada-Zhizel dhe Zhizeli-Enadë, pyet lulen margaritë, petal për petal, për të njohur fatin e saj, dhe momenti tjetër, kësaj here dramatik, i  zhgënjimit të protagonistes që kalon në humbjen e arsyes dhe jetës. Ky moment tepër delikat kërkon një aftësi të madhe interpretuese. “Zhizel” është një nga impenjimet më të mëdha koreografike sa i takon mjeshtërisë së aktorit dhe që pretendon një gjuhë emocionale të përkujdesur në çdo detaj dhe, në qoftë se do të duam të bëjmë një renditje virtuozizëm teknik-emocion, pa dyshim që emocioni do të zinte vendin e parë. Tjetër atmosferë do të bjerë nën dritën e hënës së aktit të dytë. Një gjendje tej natyrores dhe një ndjesi shpirtërore që muzika e Adam dhe krijimi koreografik i sjellin nëpërmjet këtyre vajzave, bijëza të ajrit, që pushtojnë skenën. Gjithmonë ka një tis magjie hëna, por e projektuar mbi ato krijesa të brishta, emocioni bëhet më i thellë. Eleganca e veshjeve të bardha të Vilisave, lëvizjet e duarve që flasin, simetria e figurave koreografike i largon më tepër nga një botë tokësore. Këta shpirtra të tradhtuar dalin natën për të ndëshkuar, duke i detyruar të kërcejnë vallen e vdekjes, udhëtarëve të natës. Ky fat ndryshon vetëm për “atë”, për Albrecht, i falur nga Zhizel. Dashuria triumfon…. Albrecht nuk vdes, por mbetet i vetëm me dhimbjen e tij. Bindëse performanca teknike dhe interpretative e dy protagonistëve të saj, Hoxha-Vaso. Bindëse harmonia dhe simbioza që ata krijuan gjatë të dy akteve. Enada (Zhizel), e pjekur teknikisht, ka në zotërim rolin dhe është e ngrohtë në sentimentin e saj. Vaso (Albrecht) nuk e humb nga sytë dhe duket që kërcen çdo moment për të. Princ elegant, ai kërkon ta vazhdojë këtë lirizëm që muzika dhe koreografia i dhurojnë aktit të dytë që është një esencë e baletit romantik. Një shfaqje baleti kërkon përkushtim dhe punë në grup, në të gjitha linjat e saj, që nga protagonistët, solistët e deri tek trupa e baletit që e përballoi me sukses këtë vepër. E freskët dhe e përkushtuar Rovena Shqevi në “pas de deux” e fshatares dhe kërcimin e gjallë me Evis Nallbanin; Greta Hushi solli një Mirtë të realizuar, ashtu si dhe kolegu i saj Dion Gjika me karakterin e zbërthyer deri në detaje të Hansit. Gjithë ky mozaik lëvizjesh dhe tingujsh u vendos në skenografinë dhe kostumet elegante të Taulant Pustinës. Por, pa dyshim që “qershia mbi tortë” e kësaj kryevepre botërore ishin nxënësit e Shkollës së Baletit, që me përformancën e tyre në krah të profesionistëve të trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit na dhanë shpresën e madhe se një gjeneratë të talentuarish po i vjen baletit shqiptar. Dhe në fund, një kompliment i veçantë për këtë produkt artistik dinjitoz, i takon baletmaestrit Agron Aliaj, që me përkushtim, dashuri dhe një ndjeshmëri artistike që vetëm ai di ta ketë, e solli si një dhuratë për të gjithë në këtë fundvit.
(* Pedagoge pranë Akademisë së Baletit)

© Panorama.al

Te lidhura