TIRANË- “Të hapur për shqyrtimin e cdo nisme dhe inisiative që synon përsosjen e standardeve demokratike, por nuk do të lejojmë asnjë tentativë që synon bllokimin e mëtejshëm të procedurave integruese të vendit në BE”. Kështu i është përgjigjur kryeparlamentarja, Jozefina Topalli interesimit të medias për mënyrën se si do të priten nismat e bëra publike nga ana e PS-së e që pritet te depozitohen në Kuvend.
“Asnjë njeri në botë kur s’ka dicka në dorë nuk mund të rrëzojë. Si kryetare e Kuvendit duhet të them që Kuvendi është i hapur dhe mirëpret cdo inisiativë që con në përsosjen e standardeve, një fiksim kam, standardet, e vetmja gjë ku jam xheloze janë pikërisht standardet. Ne mirëpresim për të shqyrtuar dhe diskutuar cdo nismë ngado që të vijë. Nuk dua të spekuloj hipoteza që mund të ngrihen në ambiente të ndryshme, kur ta kem në dorë do e krahasoj me modelet demokratike, dua transparencën dhe model është Kongresi Amerikan”- tha ajo.
Pyetur për deklarën e PS-së për tërheqjen e drafteve të bëra sa për t’i hedhur hi syve Brukselit, që Rama i cilësoi arnime, Topalli ka reaguar duke thënë se në këtë mënyrë nuk kemi të bëjmë me kurs te ri, por me një bllokim. “Bllokimi dhe bojkoti ka dëmtuar integrimin, humbën dy vite, koha nuk pret, nuk të fal më për bllokim. Nëse dikush kërkon që mes kursit të vjetër të bllokojë sërish kjo do ishte shumë e rëndë dhe do mbajë përgjegjësi. Ligjet nuk janë as arma as zhele, për to duhet pasur më shumë respekt”- tha ajo.











