
Predikues të urrejtjes kundër amerikanëve kanë kërkuar të adoptojnë fëmijët e kreut të Al Kaedës dhe të kujdesen për tri gratë e tij.Oferta e parë ishte bërë nga mullahu i Pakistanit, Maulana Abdul Aziz, i cili udhëhoqi një sulm në xhami në vitin 2007, ku u vranë 87 persona. Aziz ka kërkuar të nderojë “sheikun e terrorit” të vrarë nga amerikanët, duke trajnuar fëmijët e tij si luftëtarë të shenjtë të betuar, për t’u hakmarrë për vdekjen e tij. Një ofertë rivale ka mbërritur nga një prej drejtuesit e degës së Al-Kaedës në Jemen, Sheik Rashad Mohamed Saed Ismael. Gratë e Bin Ladenit aktualisht po mbahen në Pakistan nga shërbimet sekrete të këtij vendi, duke u marrë në pyetje.
“Një bashkëshort i sinqertë”
Lideri i Al-Kaedës përshkruhej nga vjehrrit e tij, prindërit e gruas më të re jemenase, si një bashkëshort i sinqertë dhe ajo, si një grua e fortë, por jo fundamentaliste. Osama bin Laden, ishte martuar me Amal Ahmed al-Sadah, në vitin 1999. Për herë të parë familja e saj ka folur për të treguar se 29-vjeçarja nga Jemeni, kishte refuzuar shansin të linte burrin e saj, duke thënë se me mirë ishte vendosur të “martirizohej” përkrah tij. Sadah ishte plagosur në pulpën e këmbës gjatë aksionit amerikan që i vrau bashkëshortin. Ajo jetonte prej rreth pesë vitesh në Abutabad, bashkë me dy gra të tjera dhe dhjetëra fëmijë, të cilët ishin bijtë apo nipërit e Osamës. Aty përfshihet edhe e bija e saj, Safiya, e lindur pak para sulmeve të 11 shtatorit. Familja e Sadah ka folur për një reporter të “Associated Press” në shtëpinë e tyre në Ib, një qytet malor agrokulturor. Ata thanë se Sadah ishte 17 vjeçe kur u martua. Komunikimi i familjes me të ishte shumë i limituar, vetëm me mesazhe korrierësh. Familja e saj, tha se Sadah ishte e thjeshtë, por me shumë kurajo. Babai i Sadah, një punëtor i thjeshtë, tha se ajo gjithnjë kishte pasur dëshirë “të njihej në histori”, sipas kushërirës së saj, Valed Hashem Abdel-Fatah al-Sadah.
Mblesëria
Një klerik në Kabul i quajtur Rashed Mohamed Saed, i cili kishte kontakte radikale islamike, paraqiti kërkesën për martesën me Bin Ladenin. Xhaxhai i Sadahës, Hashem i kishte thënë asaj se ai e njihte, se Bin Laden ishte nga “një familje e respektuar” në Arabinë Saudite, edhe pse nuk e dinte se ai kërkohej nga amerikanët për bombardimet e 1998-s në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani. “zgjedhja është e jotja. Është e ardhmja jote”, i kishte thënë xhaxhai. Dhe përgjigja ishte: “Ky është fati im nga Zoti dhe unë e pranoj atë”.
Takimi i parë
Disa javë pas propozimit, një prikë prej 5,000 dollarësh ishte dërguar nga Bin Ladeni. Pas dy festash dasme, Sadah ishte larguar nga Jemeni. E shoqëruar nga ndërmjetës, ajo ka udhëtuar nga Dubai dhe Pakistani për të takuar për herë të parë bashkëshortin e saj. Kur familja kishte mësuar nga një korrier se ajo kishte lindur vajzë, një grup të afërmish kishin udhëtuar nga Pakistani në Afganistan, e kishin qëndruar një muaj. Në ditën e fundit të vizitës së familjarëve, Bin ladeni i kishte thënë asaj: Ti mund të qëndrosh me mua në Afganistan, ose të kthehesh me familjen tënde në shtëpi. “Unë dua të martirizohem me ty dhe nuk do të të lë për sa kohë je gjallë”, e citoi kushërira e saj. Kur Bin Laden kishte insistuar duke i thënë, se ai mund të vritej nga çasti në çast, Sadah i ishte përgjigjur prerë: “E kam marrë vendimin tim”.
Kujtimet e xhaxhait
Xhaxhai i Sadahës tregonte se Bin ladeni i kishte thënë se arabët dhe shërbimet sekrete amerikane, kishin bërë shumë herë përpjekje për ta vrarë. Ai shtoi se Bin Laden i kishte thënë familjes gjatë vizitës në Afganistan mbi “një ngjarje të madhe që do të ndodhë në botë”. Më pas, kur xhaxhai dhe babai i Sadahës kishin dëgjuar sulmet e 11 shtatorit, nuk kishin dyshime. “Osama bin Laden e ka bërë këtë”, kishte thënë i ati.
Familja me avokat
Ndërkohë, familja e Osama bin Ladenit ka punësuar një avokat nga Roshdeil, në përpjekje për të detyruar Shtetet e Bashkuara që t’u tregojnë atyre fotot e kufomës së të atit pas aksionit në kompleksin e tij në Abutabad, Pakistan. Amjad Malik, 40 vjeç tha se “kjo është një kërkesë e arsyeshme. Ata kërkojnë të qartësohen mbi pyetjet e tyre dhe arsyet pse ai nuk u arrestua”. Punësimi i avokatit ndodhi vetëm një ditë pasi u botuan lajme se djali i katërt i Osamës, Omar bin laden, ka deklaruar se mund të hedhë në gjyq SHBA-të për vrasjen e të atit”, pasi ata kanë shkelur ligjet ndërkombëtare.
Bin Laden planifikonte një 11 shtator të ri
Osama bin Laden kishte një ditar të shkruar me dorë të mbushur me ide dhe planifikime, si dhe detaje operacionesh kundër Shteteve të Bashkuara.Ditari i tij ishte marrë nga forcat amerikane gjatë aksionit që e vrau atë në vilën në Abutabad, Pakistan. Bashkë me të u morën edhe 100 flesh drajvera dhe pesë kompjutera. Osama bin Laden kishte llogaritur sesa shumë amerikanë do të vriste për të detyruar SHBA-në të tërhiqej nga Lindja e Mesme, sipas të dhënave në shkrimet e tij. Lideri i Al Kaedës ishte i bindur se vetëm një vrasje masive si ajo e 11 shtatorit 2001 do të ishte një faktor mjaftueshëm shokues, sa do të ndikonte në ndryshimin e politikës amerikane në rajon. Ai u thoshte pasuesve të tij se një sulm i përmasave më të vogla nuk do ta kishte efektin e dëshiruar. Oficerët e inteligjencës amerikane që po deshifrojnë të dhënat, thanë për “Associated Press” se informacioni i marrë ishte një tregues shumë i fortë i aktiviteti të fuqishëm të Bin Ladenit, edhe pse ai vetë nuk mund të kishte kontakt të drejtpërdrejtë me luftëtarët e Al kaedës. Zyrtarët thanë se kanë zbuluar planet për një komplot të madh, përfshirë edhe ato që ishin planifikuar në Europë gjatë vitit të kaluar. Shënjestra e tij ishin qytetet e mëdha, veçanërisht Nju Jorku dhe Los Anxhelosi.
© Panorama.al











