Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri dje me dije se janë ngritur 66 KZAZ-të në mbarë vendin pas emërimit të 33 anëtarëve dhe 33 sekretarëve me konkurs. KZAZ-të do të nisin punën për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore në të gjithë qarqet e vendit. Ende Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk ka dërguar në KQZ emrat e anëtarëve të KZAZ-ve që i kalojnë opozitës. Sipas Kodit Zgjedhor, në 33 KZAZ, shumicën e ka opozita, ndërsa në 33 të tjera shumicën e ka maxhoranca. KQZ, në mënyrë të përsëritur me shkresën nr.211, Prot, datë 20.01.2011 dhe me shkresën nr 522/523 Prot, datë 02.02.2011, i ka kërkuar Partisë Socialiste dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të përmbushin detyrimin ligjor dhe të sjellin propozimet për anëtar dhe sekretar të KZAZ-ve. Këtë detyrim, këto parti nuk e kanë plotësuar ende dhe në këto kushte KZAZ nr. nuk ka kuorumin e nevojshëm anëtar/sekretar për të funksionuar normalisht. Neni 28 i Kodit Zgjedhor përcakton që jo më vonë se 90 ditë nga data e zgjedhjeve, KQZ-ja merr vendim për ngritjen e KZAZ-ve.











