Nishani: S’rrezikojmë vizat, të fundit në rajon për azil

Dec 20, 2011 | 13:08

Komisioni i Integrimit

“Në nëntor numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u ul 3.6 herë”.

Shqipëria nuk rrezikon bllokimin e procesit të lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” prej rritjes së numrit të azilkërk-uesve në Bashkimin Europian. Ky fakt është pohuar dje nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku saktësoi se nuk do të këtë asnjë ndëshkim kolektiv për vendet e rajonit. “Problematika e shfaqur kohët e fundit në kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë drejt vendeve të BE-së nuk ka ndikim te procesi i liberalizimit të vizave dhe konsiderohet nga vendet anëtare si një çështje e ndarë nga ky proces”, pohoi ministri Nishani. Ai i ka siguruar deputetët se vendi ynë ka numrin më të ulët të azilkërkuesve në rajon dhe se rritja e kërkesave në muajin tetor është një rast kriminal që po hetohet nga Prokuroria. ”Në informacionet zyrtare të përcjella nga autoritetet belge rezulton se për muajin nëntor janë regjistruar 96 kërkesa për azil, ndërsa për muajin tetor ishin regjistruar 342 kërkesa të tilla, pra ka një rënie me më shumë se 3.6 herë krahasuar me muajin tetor 2011. Në 11-ditëshin e parë të dhjetorit janë regjistruar vetëm 18 kërkesa për azil”, deklaroi Nishani.
Debatet
Mbledhja e Komisionit është shoqëruar me debate lidhur me sigurinë e dokumenteve të identifikimit. Sipas deputetit Taulant Balla, në Shqipëri elementë kriminalë janë të pajisur me dokumente biometrike dhe sipas tij, është thyer siguria e sistemit. Por, sipas ministrit, këto deklarime nuk janë të vërteta. Nishani paralajmëroi dhe një masë të re që do të aplikohet nga kompania “Sagem” për sigurinë e dokumenteve biometrike.

500 mije
shtetas shqiptarë kanë lëvizur për herë të parë në hapësirën “Shengen” gjatë një viti. Nga kjo shifër, sipas të dhënave të Ministrisë, rezulton se 16 633 shtetas janë kthyer në kufij.

Debati ne komision
Ditmir Bushati:
Zoti ministër, më vjen mirë që iu referuat raportit të “Frontex”. Kam krahasimin e Shqipërisë me të gjitha vendet e tjera të botës. Nuk më vjen mirë që Shqipëria renditet e dyta në rajon në raportin e shtatorit 2011, pas Ukrainës, për shtetasit që përdorin dokumente të falsifikuara identiteti për udhëtime. Një çështjen e tillë është evidentuar dhe në raportin e dytë të KE-së më 9 dhjetor të këtij viti.
Bujar Nishani: Raporti i “Frontex” që cituat nuk u referohet qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë nga Shqipëria, por u referohet qytetarëve shqiptarë që kanë jetuar vite me radhë në vende të ndryshme dhe që udhëtojnë nga këto vende. Një shembull: një qytetar shqiptar ka jetuar në Greqi për 10-20 vjet dhe për shkak të mungesës se dokumenteve, merr një dokumente grek të falsifikuar dhe udhëton në vendet e tjera të Europës.
Gramoz Ruçi: Lidhur me problemin e azilkërkuesve, pavarësisht se me vendet e tjera jemi më mirë, megjithatë nuk duhet të kënaqemi me këto shifra, sepse mund të kapërcehen në një hark kohor. Çështja është që të gjithë të bëhemi barrikadë e këtij fenomeni. Ne si forca politike duhet ta njohim dhe ta përballojmë dhe si shtet duhet t’i japin zgjidhje problemit të azilkërkuesve.
Tautant Balla: Mjafton të merrni në evidencë raportin e Policisë së Shtetit për një krim në Tiranë, ku humbi jetën një argjendar. Personit të arrestuar, i shoqëruar në polici, iu gjendën 7 karta identiteti. Ky është raporti i Policisë së Shtetit dhe i Policisë së Tiranës, dhe personi nuk është shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Bujar Nishani: Personi që u kap dhe që akuzohet si person i mundshëm i vrasjes kishte disa letërnjoftime identiteti, por të shtetit të Kosovës dhe një të Shqipërisë, sepse ishte shtetas shqiptar. Ne në standardin e përgjegjshmërisë nuk mund të akuzojmë sistemin tonë dhe shoqërinë tonë për atë që nuk ekziston. Nuk kemi pse prodhojmë ngjarje që nxisin perceptimin e gabuar për shqiptarët. Nuk duhet t’i shesim në këtë formë.

Kryepolici inspekton pikën kufitare të Kapshticës
Burgaj: Shqipëria nuk u rikthehet vizave, u ul numri i azilkërkuesve

KORÇE – Shqipëria nuk do t’i rikthehet regjimit të vizave falë uljes së numrit të azilkërkuesve shqiptarë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i ndalur në Kapshticë, një prej pikave doganore më të rëndësishme në vend, mes të tjerash ka shprehur edhe dëshirën e mirë për vendin tonë në mënyrë që për gjithë qytetarët të vazhdojë lëvizja e lirë. Gjatë një inspektimi në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku Burgaj është takuar me homologët grekë, ai ka vlerësuar uljen e shifrave të azilkërkuesve, gjë që sipas tij, është në favor të vendit tonë. “Ndryshe nga ç’ndodhi në fillim, tashmë është ulur ndjeshëm shifra e azilkërkuesve shqiptarë dhe ky duhet marrë si një ogur i mirë për ne. Mendoj se ulja e kësaj shifre do të bëjë të mundur që të mos rivendosen vizat për ne”, u shpreh Burgaj. Kreu i Policisë së Shtetit ka shprehur gjithashtu dëshirën për një bashkëpunim më të mirë me homologët grekë për të mundësuar lëvizjen pa probleme të qytetarëve shqiptarë drejt shtetit helen, sidomos në prag të festave të fundvitit. dh.d

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura