Nishani inspekton Stacionin Kufitar të Kakavijës

Dec 16, 2011 | 18:55

KAKAVIJE- Falë liberalizimit të vizave është ulur afër zeros numri i trafiqeve të qenieve njerëzore-u shpreh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë inspektimit njëorësh në Stacionin Kufitar të Kakavijes.

Sipas Nishanit, Policia Kufitare tashmë është profesionalizuar, gjë që ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen integrale të kufirit ndërkohë që nuk ka folur aspak rreth sasirave disa tonëshe të marijuanës që kalojnë drejt Greqisë dhe që kapen prej forcave policore greke.

Ministri Nishani, theksoi se gjatë vitit aktual, është shtuar numri i shtetasve të huaj, të tentojnë të hyjnë në Shqipëri në mënyrë ilegale. Sipas Nishanit, Policia Kufitare ka marrë të gjitha masat për të parandaluar këtë fenomen.

Qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtë me autoritetet greke dhe turke, që të gjithë emigrantët arabë dhe afrikanë të kthehen në vendlindje, pohoi Nishani.

Gjatë vizitës së tij njëditore, ministri i brendshëm Bujar Nishani i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe nga prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo, kryen një vizitë ngushëllimi në familjen e ish shefit të Rendit në Komisariatin e Përmetit, Nuri Kërcani, i cili katër ditë më parë humbi jetën aksidentalisht, së bashku me oficerin e krimit, Petrit Lata, teksa po ktheheshin nga shërbimi.

Ministri Nishani gjendej në Gjirokastër, për analizën vjetore të Drejtorisë Rajonale të Policisë.

Piro Nase

 

© Panorama.al

Te lidhura