TIRANË- Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka deklaruar sot gjatë takimit me Raporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, se vendi ynë e meriton statusin kandidat për në BE dhe se do të bëhet gjithçka për plotësimin e kritereve të mbetura.
Kreu i shtetit duke vlerësuar ligjet dhe reformat kryesore të arritura me konsensus vuri në dukje se në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve janë shënuar hapa shumë të rëndësishëm pozitivë në përmbushjen e detyrimeve dhe realizimin e standardeve të kërkuara.
Ai e siguroi eurodeputetin Chountis se institucionet dhe shoqëria shqiptare janë të angazhuara maksimalisht për përmbushjen në kohë të prioriteteve kyçe dhe në këtë kuadër theksoi se strukturat shtetërore dhe shoqëria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë, ndihma e të cilëve vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme.
“Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe ky vlerësim duhet të bazohet në meritë. Dhënia e statusit do të ndikojë pozitivisht në rritjen e standardeve për zbatimin e ligjit nga ana e institucioneve shqiptare dhe shoqëria shqiptare në tërësi”- tha NIshani.
Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis pasi vlerësoi shpjegimet e hapura të Presidentit Nishani u shpreh se ka konstatuar hapa seriozë sa i përket realizimit jo vetëm të kritereve, por edhe standardeve të kërkuara. Europarlamentari Chountis e garantoi Presidentin e Republikës se do të vazhdojë të luajë rolin e tij inkurajues në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
© Panorama.al











