Nis ngujimi i dytë i minatorëve

Sep 20, 2011 | 12:04
Një nga minatorët e Bulqizës në grevën e urisë

Rinis greva e urisë e minatorëve të Bulqizës në qarkun e Dibrës.10 minatorë janë ngujuar dje pa gdhirë dita në një lokal të marrë me qira, fare pranë zyrave të ACR-së në qytetin e Bulqizës. Këshilli sindikal i minatorëve dhe komisioni i grevës ka diskutuar gjatë në lidhje me vendin ku mund të zhvillohej greva. Minatorët kanë studiuar me vëmendje mundësinë e ngujimit të tyre në minierë, aty ku u ngujuan dhe muajin e kaluar për 26 ditë me radhë. Mirëpo forca të shumta policie, ato të komisariateve Mat, Bulqizë, Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bllokuar prej ditësh hyrjen në pusin nr.1, si dhe mjediset e minierës. Të tjerë minatorë janë shprehur se greva duhet të zhvillohej në zyrën e Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve Bulqizë, mirëpo ajo nuk mjaftonte për 10 veta. Pak orë pas mesnatës, këshilli sindikal ka negociuar me pronarin e një lokali, ngjitur me zyrat e ACR-së dhe kanë siguruar lokalin me qira për një kohë të pacaktuar. Taf Koleci, president i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Dilaver Përkoxha, kryetar i këshillit sindikal të minatorëve, e shumë mbështetës të tyre, rreth orës 03:00 kanë lënë qytetin dhe janë ngjitur pranë ACR-së, aty ku 10 nga minatorët vendosën të hyjnë në grevë urie. “Megjithëse policia dhe punonjësit e administratës na survejonin në çdo lëvizje që bënim, ne arritëm të rifillojmë grevën e urisë”, tha për “Panoramën” Taf Koleci. Greva ka nisur rreth orës 04:00, kohë kur minatorët kishin siguruar batanije apo rroba, pasi dje moti në këtë qytet ka ndryshuar. “Nata është e ftohtë në qytetin e Bulqizës. Fillimisht siguruam disa batanije dhe porositëm minatorët të marrin me vete rroba të trasha”, tregon Koleci. Rreth orës 06:30, lajmi se minatorët rinisën grevën e urisë, është përhapur me shpejtësi në të gjithë qytetin. Gjysmë ore më vonë, lokali ku janë ngujuar minatorët është mbushur me njerëz, të cilët dukeshin më optimistë se ditë më parë. Mes të ngujuarve janë Sali Alliu, nënkryetari i këshillit sindikal të minatorëve, Kujtim Bushi, Fiqiri Shkina e kolegë të tyre. Pas grumbullimit të minatorëve dhe familjarëve të tyre, Koleci ka kërkuar që qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Punës të kthejnë sytë nga Bulqiza, pasi ata janë lënë në harresë. “Kjo është greva e dytë që zhvillojmë për të njëjtin qëllim. ACR nuk është aspak firmë evropiane, por një firmë fantazmë që vazhdon të luajë me ndjenjat e 700 minatorëve të Bulqizës. Që nga data 10 shtator 2011, kjo kompani ka ndërprerë çdo lidhje me minatorët e Bulqizës. Shkaku që qeveria dhe dikasteret heshtin, është korrupsioni galopant me minierat e Bulqizës”, nënvizoi ai. Ai deklaroi se gjithçka ka ngecur te largimi i drejtorit të minierës, Medat Zogu, i cili sipas Kolecit është njeriu kyç që mban gjallë korrupsionin në minierat e Bulqizës. “Këtu janë të lidhur shumë interesa. Drejtori dhe zyrtarë të administratës së ACR-së janë të lidhur me politikanë, njerëz të Drejtësisë dhe të mafies.

Bllokojnë rrugën e ACR-së, përplasen me policinë
Rreth orës 09:30, policia është përplasur me minatorët. Disa prej këtyre të fundit kishin vendosur pengesa në rrugë, për të mos lejuar lëvizjen e makinave drejt zyrave të ACR-së. Sapo është njoftuar, policia, ka ndërhyrë duke larguar gurët nga rruga, si dhe minatorët që ishin shtrirë në mes të saj. Fillimisht, minatorët kanë kundërshtuar dhe ka pasur konfrontime fizike. Ndërkohë, më pas është vendosur paqja mes tyre. Drejtuesit sindikalistë kanë pasur një takim me autoritetet e policisë dhe u kanë kërkuar atyre të mos provokohen minatorët dhe forcat të mbahen larg vendit ku janë ngujuar minatorët. “Ne kemi dënuar dhunën e përdorur nga policia mbi minatorët e uritur e të sëmurë dhe kemi kërkuar që forcat e policisë të largohen nga vendi ku ka nisur greva e urisë”, tha Dilaver Përkoxha, kryetar i këshillit sindikal të minatorëve. Sipas tij, ACR tenton të përdorë teorinë e lodhjes së minatorëve, gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë. Nga mëngjesi i djeshëm, pranë lokalit ku ka nisur greva e urisë, minatorët kanë organizuar shërbim të vazhdueshëm.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura