Për herë të parë mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve, duke sinjalizuar se marrëveshja e arritur më 2 korrik mes dy vendeve në Bruksel po zbatohet më së miri. Siç pritej, marrëveshja ka nisur të zbatohet mëngjesin e së hënës, dhe këtë e ka konfirmuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Sipas tij, marrëveshja vlen edhe për pikat kufitare në Veri të Kosovës, por nuk po zbatohet në atë pjesë të vendit për arsye teknike (kryesisht barrikadat). “Marrëveshja vlen natyrisht edhe për Veriun e Kosovës, por në Veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”, tha Rexhepi. Njoftohet se çmimi që u duhet paguar këtyre kompanive gjatë kalimit të kufirit është nga 60 deri në 100 euro. Rexhepi tha se kjo është një zgjidhje e përkohshme deri në arritjen e memorandumit, siç është me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Qytetarët e të dyja vendeve mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim, por nëse duan të kalojnë nga Serbia në një shtet të tretë, u nevojitet pasaporta. Edhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, ka deklaruar se nuk pret probleme në zbatimin e marrëveshjes. Kalimi i kufirit për persona do të bëhet me letërnjoftim ose me anë të një “dokumenti për hyrje-dalje” me kohë të caktuar vlefshmërie. Ndërsa për automjetet me tabelat “KS” po ashtu do të vlejë “dokumenti për hyrje-dalje”, që do të thotë se kalimi është plotësisht i lirë. “Ndërsa automjetet me targa me mbishkrimin Republika e Kosovës (RKS) nuk pranohen nga ana e Serbisë. Shenja ‘KS’ ka pasur neutralitet ndaj statusit”, ka sqaruar Daçiç. Në udhëzimet e BE-së thuhet se njerëzit tani do të kenë mundësi të udhëtojnë me dokumentet e tyre të identifikimit në ose përmes territorit të palës tjetër. Në pikë kalim, ata do të marrin një dokument hyrës-dalës. Pikëkalimet fillimisht do të jenë në Jarinjë/Rudnicë, Merdarë dhe Muçibabë. Gradualisht, kjo do të fillojë së aplikuari edhe në të gjitha kalimet e tjera. BE-ja ka përsëritur nevojën për heqjen e barrikadave pa kushte dhe për të gjithë.
Deklarata e Kuper
Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper, e vlerësoi zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Serbisë dhe Kosovës më 2 korrik. “Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka filluar dialogu. Të ndihmohet në përmirësimin e jetës së njerëzve. Për më tepër, lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Europian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën europiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Europian”, tha Kuper
Shqetësime në Preshevë
Marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Prishtinës dhe Beogradit, kohë më parë ka ngjallur reagimet e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët e quajtën atë anti-civilizuese, skandaloze dhe të palogjikshme, pasi vendosja e tarifave për policat kufitare janë të papranueshme dhe të papërballueshme për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, (deputet në Parlamentin serb), theksoi se nga paraqitja e tarifave enorme dhe reciprociteti në kuadër të këtyre tarifave për policat kufitare të sigurimit shihet se nuk ka veprim konkret për ta lehtësuar lëvizjen e lirë, por përkundrazi, do të kemi një embargo të dyfishtë.











