
Një kërkesë e pazakontë është bërë në Gjykatën e Tiranës për anulimin e një vendimi të Ministrisë së Mbrojtjes të vitit 1968, kohë kur ajo drejtohej nga Beqir Balluku, është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. I pazakontë është edhe autori i saj, i cili është nipi i Bedri Spahiut, ish-prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Xhemal Didi, ish-ushtarak i lartë, i është drejtuar Gjykatës për shkarkimin e tij nga detyra e ushtarakut për motive politike. Bëhet e ditur se pasi kishte shërbyer në ushtri për më tepër se 20 vjet, duke filluar nga 01 janari i vitit 1948, një vendim i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Beqir Balluku, që mbante datën 7 tetor 1968. Në brendësi, vendimi për nxjerrjen në rezervë nga radhët e ushtrisë përmbante motivacionin “dalje në rezervë për arsye se ishte nipi i Bedri Spahiut”. Figura e Bedri Spahiut njihet si një ndër “aktorët” kryesorë të regjimit komunist në Shqipëri. Ai kërkoi dënimin kapital me vdekje për dhjetëra intelektualë në gjyqin special të vitit 1945, ku u gjykuan 60 veta, prej të cilëve, 17 u dënuan me vdekje. Kryetar i këtij gjyqi ishte Koçi Xoxe, për të cilin Spahiu kërkoi dënim me vdekje më vonë. Spahiu ishte përfaqësues i akuzës edhe në gjyqin e deputetëve në vitin 1947. Vite më vonë, Spahiu u arrestua dhe u internua, si edhe vuajti dhjetëra vite burgim, duke lënë pas “vazhdën” e persekutimit nga regjimi për të afërmit e tij.
PADIA
Burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se padia në fjalë është depozituar më 23 nëntor në kryesekretarinë e kësaj Gjykate. Në rolin e paditësit në këtë kërkesë është Xhemal Didi, ndërsa si palë e paditur është Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Arsimit, Marrëdhënieve me Publikun dhe Informacionit. Sipas objektit të saj, paditësi Xhemal Didi kërkon shfuqizimin e urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes, që e ka përjashtuar atë nga radhët e ushtrisë në vitin 1968. Njëkohësisht, ai kërkon njohjen e vjetërsisë si oficer i forcave të armatosur nga dita e angazhimit të tij në ushtri e deri në plotësimin e moshës së pensionit. “Deklarimi i padrejtë i urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, nr. 0267, datë 07.10.1968, që përmban motivacionin ‘dalje në rezervë për arsye se ishte nipi i Bedri Spahiut’ dhe anulimi i tij. Detyrimi i ministrit të Mbrojtjes për të më njohur si vjetërsi shërbimi si oficer i Forcave të Armatosura për gjithë periudhën kohore nga data 01.01.1948 dhe deri në plotësimin e moshës së daljes në pension”, thuhej në padinë e regjistruar në Gjykatë. Kërkesa i përket llojit të çështjeve “padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ. Seanca e parë e shqyrtimit të kësaj padie është caktuar në orën 10:30, të datës 19 janar 2011. Shqyrtuesi i saj në Gjykatën e kryeqytetit do të jetë gjyqtari Artur Gaxhi.
ARMAND BAJRAMI











