
Krahas familjarëve, kolegëve e studentëve, i dhanë lamtumirën e fundit edhe politikanë.
Edhe dje ajo qëndroi në mes të atij holli, përmes të cilit kaloi për gati 60 vjet me radhë, ku adhuruesit i shtrëngonin dorën dhe e uronin për rolet e mrekullueshme. Dhe buzëqeshja e saj farfuriste në të gjithë hapësirën. Por dje, vendin e arieve e kishte zënë muzika funebre. Ishte takimi i fundit. Dje, nga ora 11:00-12:00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u zhvilluan homazhet pranë trupit të pajetë të sopranos me origjinë ruse, Nina Mula, e cila u nda nga jeta mëngjesin e së enjtes në moshën 80-vjeçare. Ashtu si 60 vite të jetës së saj, pranë i rrinte bashkëshorti, baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, i cili ndonëse përpiqet të përmbajë lotët, e ka të vështirë. Në krah të tij prisnin ngushëllimet vajzat Adelina dhe sopranoja e madhe Inva Mula, më tej i nipi Antony, që tashmë ia ka kaluar së ëmës në gjatësi e të tjerë të afërm. Rreth trupit të pajetë kaluan në rresht, ashtu si dikur kur ishin studentë, të gjithë këngëtarët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e shumë të tjerë, që kanë kaluar nga duart e zysh Ninës. E ndoshta pa të, as ata nuk do të ishin ata që janë. U përkulën përpara trupit të saj veç personaliteteve të artit edhe shumë politikanë, të majtë e të djathtë. I shoqëruar nga bashkëshortja, mori pjesë në homazh Presidenti i Republikës, Bamir

Topi. “Sot përcjellim për në parajsë një figurë të ndritur të artit skenik, lirik, operistik shqiptar, një zë brilant, sikurse ishte zëri i Nina Mulës. Unë do të specifikoja jo vetëm individualitetin e lartë artistik, por edhe kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Mula, sepse të gjithë së bashku; e ndjera Nina Mula, bashkëshorti Avni Mula, por edhe produkti i tyre, Inva Mula, i kanë dhënë një emër të veçantë Shqipërisë jo vetëm në artin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar”, tha Presidenti Topi, duke shprehur ngushëllimet e tij për këtë humbje, jo vetëm familjes, por edhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo la trashëgimi dhjetëra role. Nuk mund të mungonte ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, nënkryetari i Kuvendit Ardian Turku, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, deputetja Arta Dade, Valentina Leskaj, apo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. “Sot ndahemi me artisten e madhe shqiptare Nina Mula, por nuk ndahemi me artin e saj frymëzues, për një brez të tërë dhe as me trashëgiminë e saj, që do të frymëzojë në mënyrë të mrekullueshme breza të tërë artdashësish”, tha kryebashkiaku Basha. Pas një orë homazhesh, i paraprirë nga kurora e tufa lulesh pafund, ashtu si dikur kur ngjitej në skenë, trupi i pajetë i sopranos Nina Mula u shoqërua jashtë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mes duartrokitjesh të shumta. Më pas, kortezhi i përmortshëm u drejtua për në Varrezat e Sharrës, ku do të jetë banesa e fundit e sopranos.
ALMA MILE
© Panorama.al











