Cila është gruaja e magjepsur pas artit të rrallë? Kukulla të realizuara me dorë, vepra të veçanta në miniaturë dhe një duzinë krijimesh që e kalon shifrën e 100-ës. Nimfa Jaço është e vetmja artiste “pa diplomë” që mundi t’i japë emër dhuntisë vetjake, çka e bën lehtësisht të dallueshme nga shumë të tjerë syresh.
Fati i saj është i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin. Ka diçka speciale që e dallon Nimfa Jaçon nga bashkëmoshataret e saj. Nuk janë as thinjat, as profesioni i realizuar apo jeta familjare ku ndihet më shumë se e plotësuar. Janë pikërisht ata “miqtë” besnikë dhe pa fjalë që ia bëjnë jetën më të bukur. Dhe nuk janë frymorë, as qenie të zakonshme…, janë kukulla në miniaturë që 72-vjeçarja i formëson me aq mjeshtëri. U ka besuar atyre shpirtin artistik, ndërsa ato në heshtje dëshmojnë e mbartin gjithfarësoj emrash, historish interesante dhe kujtime që të shpien diku. Autorja rrëfen për këtë marrëdhënie gati të pacenueshme, të cilën e jeton plot dëshirë, deri në kukullën e fundit.
Në apartamentin e saj bashkëjeton me kukullat. Ndërsa bashkëshorti është personi i parë që sodit nga afër punët e së shoqes, i komenton dhe e shoqëron gjatë gjithë procesit të krijimit. Dy fëmijët e Nimfës, që jetojnë prej vitesh larg Shqipërisë, japin vlerësimet e tyre përmes teknikave virtuale. Kaq i mjafton për të marrë notën vlerësuese, ashtu si dikur ajo vendoste në fletoret e nxënësve të klasës “Shumë mirë” apo “Të lumtë dora e vogël!” Më shumë se 100 karaktere të krijuara me dorë, janë pasion për një 72-vjeçare si ajo. Kukulla nga më të çuditshmet dhe secila me një histori të vetën. Dëshira nuk vërtitet vetëm në soditje, po aq sa është e ethshme nevoja për t’i prekur një nga një, për të pyetur rreth historikut të tyre dhe mënyrës së materializmit. Vendin e pikturave në mur e kanë zënë kukullat e vendosura në kornizë.
Ornamentet e tjera zbukuruese nuk kanë vend në këndet e shtëpisë, sepse çdo hapësirë është zaptuar bindshëm nga “mysafiret” speciale, të cilat për Nimfën kanë absolutisht vendin e nderit. Pasioni i saj do të ngrinte krye krejt rastësisht, aq as do të tingëllonte si një zgjim pas gjumit të gjatë letargjik. Shumë vite pas ëndjeve fëminore me piktura të vogla në copa letrash, me lodrat modeste që herë plotësonin kuadrin e argëtimit të moshës dhe herë jo, Nimfa i besoi dhuntisë dhe pasionit që i kish falur natyra. Krijoi me duart e saj kukullën e parë. E quajti thjesht Hirushja. Dhe, për ta realizuar, nuk iu deshën veçse dy degë të thara druri dhe disa copëra të veshjeve personale të harruara në dollap. Kombinim ngjyrash, pak fantazi dhe një durim prej murgu… Vetëm kaq iu nevojit Nimfës për të pasur ndër duar “dëshminë” e gjallë, se ajo mund të bënte “çudira”. “Ishte viti 2000, kur isha e angazhuar në një projekt për shoqatën kristiane “Në Dobi të Gruas Shqiptare”. Duhet t’i dhuronim çerdhes “Cicërimat” 50 kukulla të ndryshme nga njëra-tjetra. Këto kukulla kanë më tepër impakt tek fëmijët, sesa ato të kauçukut industrial që kushtojnë para. Të gjithë sytë u drejtuan nga unë dhe drejtoresha e projektit ma besoi mua këtë mundësi, pasi kish dëgjuar për talentin tim. I krijova dhe i realizova të gjitha këto kukulla, të cilat gjenden edhe sot në këtë çerdhe. Paskëtaj, kjo dhunti u shndërrua në dëshirë, në nevojë për të krijuar sërish e sërish. E konsiderova më pas si art dhe u përfshiva e gjitha. Në Shqipëri jam e vetmja që e praktikoj këtë zhanër, ndërsa në botë ka shkolla të posaçme, literaturë për të studiuar mbi këtë lloj arti, që njihet si “skulptura e butë”. E shijoj pa fund, dhe më pëlqen krijimtaria ime”, thekson 72-vjeçarja. Ajo nuk mund të rrijë dot pa prekur me mollëzat e gishtërinjve fijet e perit me të cilat punon, materialet dhe copërat e ndryshme që kanë zënë ndonjë cep të shtëpisë ose që mikeshat e saj ia dhurojnë pa kushte. Zhvillon shpirtin artistik dhe fantazinë, mundet që të krijojë kukulla e personazhe të spikatur, aq sa e gjithë kjo ngjan si një ngasje drejt një horizonti që e ka bërë për vete prej 11 vitesh. Rrugëtimi nëpër këtë gjetje do të ishte pikërisht ai i dëshiruari. Të gjitha krijimet e punuara me dorë janë pjesë e pandarë e shpirtit të Nimfës. Rrëmben nga koha e saj e lirë çdo sekondë, vetëm për t’iu dedikuar këtij arti… Ndodh që edhe të “ngujohet” brenda shtëpisë ose të harrohet pa dashje, sepse puna që ka ndër duar e ka rrëmbyer pa kushte. “Të bërit e kukullave më ka ndihmuar shumë në komunikimin me njerëzit. I prezantoj tek të gjithë, dhuroj shumë sidomos në qendrat e burgimit, në fondacione për fëmijët e gratë në nevojë dhe, duke i shfaqur ato, kam mundësi të takoj nga afër shtresa të ndryshme individësh. Të lidh kontakte me ta, t’u rrëfej gjithçka mbi krijimet e mia dhe, kësisoj zgjeroj rrethin e njohjeve e miqve të mi që pasurohen dita-ditës”. Duke pasur një lidhje kaq të ngushtë me “produktet” që dalin nga dora e saj, kënaqësia shpirtërore dhe ajo estetike që merr në këmbim është e pamasë. Por, 72-vjeçarja nuk komunikon dhe as bisedon gjatë me to. I sheh si punë të sajat që i mbushin emocionalisht ditët. “Jetën time e kam të rrethuar nga shumë njerëz, miq të ngushtë me të cilët takohem dhe ndaj biseda nga më të larmishmet. Kukullat e mia nuk janë aty, sepse ndihem e vetmuar, janë aty sepse përmes tyre zhvilloj aftësinë time artistike, mbaj gjallë pasionin për punën, krijimtarinë dhe për më tepër zgjeroj rrethin e miqësive të mia”, përfundon ajo. Nimfa tashmë e di që kukullat e saj janë gjithmonë aty… Flenë dhe zgjohen me të, janë pjesë e përditshmërisë së jetës dhe dëshmi e asaj se çfarë është në gjendje të bëjë një 72-vjeçare, jo fort e zakonshme.
Dhurata për nipërit
Pas koleksionit të parë të kukullave prej 50 copësh, një tjetër do të pasonte, për t’iu dedikuar tërësisht nipërve të Nimfës që jetojnë në Kanada. “Realizova plot 32 kukulla të tjera për nipin dhe mbesën që jetojnë larg. Frymëzimin e mora nëpër personazhe fëmijësh, nëpër libra apo filma vizatimorë… kisha fantazinë e lirë si “armën” më të fortë, vullnetin për të bërë gjëra të bukura dhe, materialet që m’u nevojitën, ishin copa krejt të panevojshme, komça të shkëputura nga veshje të ndryshme, rruaza, qese plastike etj. Janë materiale jo të kushtueshme, thjesht duhet të jenë gjetjet e duhura që të hyjnë në punë për një kukull të caktuar. Koleksioni doli vërtet i bukur. Kam marrë telefonata nga nipërit për të më falënderuar për çka kisha realizuar thuajse çdo ditë”, vijon Nimfa.
Materialet
Kukullat e saj nuk kanë asgjë të ngjashme me ato plastiket që qarkullojnë rëndom. Në vend të flokëve, ajo zgjedh fije mëndafshi, për veshjet përdor dantella shumëngjyrëshe ose copa të punuara me dorë. Ndërsa këpucët nuk janë ato të zakonshmet, plastike, por këpucë të qëndisura me dorë ose me fije të thurura. “Copat e përdorura luajnë rol tepër të rëndësishëm. Ato duhet t’i përshtaten katërcipërisht personazhit të krijuar. Materialet që përdor janë të gjitha origjinale. Kur bëj kukullën shqiptare, përdor cohën e punuar në vegjë, cohën e punuar në tezgjah. Sepse dhe coha duhet të ketë vërtetësinë brenda”, pohon ajo. Së fundi po punon për një projekt sensibilizues për mbrojtjen e planetit Tokë. Në këtë rast po përdor materiale të riciklueshme si qeset prej plastmase, letre etj.
Emrat
Një personazh e ka quajtur Xhixhile, nisur nga kontakti që ka pasur me njerëzit romë, për kukullën indiane ka zgjedhur emrin Pokahontas, ndërsa për greken, Dimitrula. Një tjetër kukull e ka emërtuar Ljubovcka, nisur nga gjuha ruse që ajo dikur mësonte në shkollë dhe në librat e Pushkinit. Por, në punët e saj ndihet mjaftueshëm edhe fryma allashqiptare. “Më pëlqen folklori, eposi dhe lirikja e tyre. Pastaj, kostumografia e femrave dhe meshkujve të zonave të Veriut të Shqipërisë është e mrekullueshme dhe e pandikuara nga kulturat që kanë prekur në tërë këto vite vendin tonë. Kam realizuar disa kukulla me kësi veshjesh”, thekson Jaço.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











