Nik Xhelilaj, në festival me kostumet “houte couture” të Joni Peçit

Dec 17, 2011 | 14:02

Do të shfaqet në skenë në stilin “high class” dhe në atë sportiv. Gjithçka që aktori i njohur Nik Xhelilaj do të veshë në katër netët e festivalit të 50-të të Këngës në RTSH, do të ideohet nga stilisti Joni Peçi, i cili është drejtor imazhi i festivalit. Vetëm pak javë më parë, Joni Peçi lançoi markën e tij me veshje që kanë dalë në shitje në një dyqan që është hapur në Tiranë, të dizenjuar vetëm në ngjyrat bardhë e zi. Do të dominojnë këto ngjyra dhe në veshjet e Nik Xhelilajt, ndërsa thuhet se do ta shohim të shfaqet në skenë me një look krejt ndryshe si rrallë ndonjëherë. Kjo është hera e parë që Nik Xhelilaj prezanton një festival, ndërsa këto ditë ka lënë në mes xhirimet e një filmi në Londër. Ai do të jetë mashkulli i skenës, ndërsa do të ketë në krah Hygerta Sakon dhe Enkeleda Zekon. Edhe për prezantueset thuhet se Joni Peçi ka menduar veshje klas dhe të ndryshmne për katër netët, ku veçohet nata e tretë, që do të jetë natë gala me 28 këngët fituese në 50 vite histori festivali. Një ide të veshjeve të tyre mund ta shohim dhe pas disa modeleve të tij të prezantuara pas spektaklit “Supermodel of Albania 2011 – Tirana Fashion Week”, që u prezantua nga Bledi Strakosha dhe një modele 17-vjeçare. Joni ka futur tashmë në treg markën e tij me veshje couture, ku për imazh ka zgjedhur Inva Mulën dhe Bledi Strakoshën.

© Panorama.al

Te lidhura