Nigeri, avioni përplaset me një ndërtesë, 153 të vdekur

Jun 4, 2012 | 14:33
Avioni i rrëzuar në Nigeri

Një avion pasagj-erësh me mbi 150 persona në bord është rrëzuar mbi një ndërtesë në qytetin më të madh nigerian të dielën, me frikën e autoriteteve se nuk ka asnjë të mbijetuar. Skuadrat e shpëtimit deri tani kanë parë vetëm kufoma dhe kanë arritur të nxjerrin vetëm një trup pa jetë nga rrënojat. Shkaku i rrëzimit të avionit nuk është ende i qartë, sipas zyrës së emergjencave, në aeroportin e Lagosit. Në një deklaratë zyrtare u deklarua se me “Dana Air” të dielën po udhëtonin 153 persona, mes të cilëve gjashtë ishin anëtarë të ekuipazhit dhe të tjerët pasagjerë. Yushau Shuaib, zëdhënës për Agjencinë Nacionale të Menaxhimit të Emergjencave, tha për AP se ata ende po merreshin me manifeston zyrtare mbi këtë fluturim. Ndonjëherë fluturimet në Nigeri funksionojnë me bileta në letër dhe ata nuk i regjistrojnë në kompjuter të gjithë pasagjerët. “Nuk besoj se do të ketë të mbijetuar”, tha një prej dëshmitarëve, Praise Richard, i cili po shikonte TV kur dëgjoi një shpërthim të fuqishëm si një bombë. Ai vrapoi jashtë shtëpisë dhe pa tym dhe zjarr nga vendi i rrëzimit, rreth orës 15:45. “Dana Air” po fluturonte nga Abuja në Lagos, sipas kreut të autoritetit të Aviacionit Civil në Nigeri, Harold Denuren. Avioni kishte cekur mbi një magazinë dhe më pas u përplas në ndërtesat rezidenciale në një lagje të populluar. Turiri i avionit ishte futur në një ndërtesë trikatërshe, duke dëmtuar vetëm një pjesë të strukturës. Sipas dëshmitarëve, copa të ulëseve të avionit janë parë të shpërndara në vendin e rrëzimit. Dy zjarrfikëse dhe rreth 50 punonjës të skuadrave të shpëtimit u angazhuan menjëherë pas rrëzimit të avionit. Banorë në shtëpitë aty afër u mblodhën duke ndihmuar në shuarjen e flakëve. Hetuesit e rasteve të rrëzimit të avionëve në Nigeri mbërritën aty, si edhe Kryqi i Kuq nigerian. Një helikopter ushtarak hidhte ujë nga lart. Aeroporti ndërkombëtar “Lagos” është më i madhi i Nigerisë dhe ndër më të mëdhenjtë në Afrikën Perëndimore. Qeveria nigeriane tha se e ka të regjistruar në radar situatën, por ndonjëherë në këtë vend ka probleme me elektricitetin dhe gjeneratorët nuk funksionojnë, duke bërë që pamja në radarë shpesh të jetë vetëm një fushë e zezë.

Në Gana
Tragjedia në Lagos ndodhi vetëm pak orë pas rrëzimit të një avioni në shtetin tjetër afrikan, Gana. Ai ishte një avion mallrash, “Boeing 727” dhe u rrëzua në aeroportin ndërkombëtar të Ganës, duke shkaktuar vdekjen e dhjetë personave. Zyrtarët e aeroportit ndërkombëtar në Gana kanë kërkuar ndihmë nga hetues të huaj, sepse nuk arrijnë të kuptojnë shkaqet e rrëzimit të avionit.

© Panorama.al

Te lidhura