
Shoferë e pasagjerë e kalojnë sërish natën në Llogora.
Ngricat vijojnë të krijojnë situatë problematike në disa zona të thella dhe malore të vendit. Në Qafën e Llogorasë, reshjet kanë vijuar edhe gjatë natës së kaluar, ndërsa temperaturat e ulëta e kanë shndërruar në një terren mjaft të rrezikshëm këtë pjesë të aksit nacional. Lëvizja e mjeteve në drejtim të Vlorës apo të Sarandës realizohet vetëm me zinxhirë, ndërsa institucionet përkatëse janë vënë në gatishmëri. Por gjatë orëve të natës ka qenë e pamundur edhe me zinxhirë, pasi ishte acar dhe akull. Drejtuesit e mjeteve të bllokuara janë detyruar ta kalojnë natën në hotelet e Llogorasë. Ndërkaq, në rrethin e Shkodrës, problematike paraqitet situata në zonën e Dukagjinit, ku në malin e Shoshit rruga Shkodër-Dukagjin është e bllokuar. Në Pukë, trashësia e borës arrin në 15 cm dhe kalueshmëria e mjeteve bëhet me zinxhirë. Ndërsa në rrethin e Malësisë së Madhe në aksin rrugor Bogë-Theth, në vendin e quajtur Qafë-Thore, si dhe në segmentet Tamarë- Vermosh dhe në Qafën e Bordolecit akset janë të pakalueshme. Edhe në Dibër, në të paktën 10 komuna ka probleme në rrugë, pasi ato janë të pushtuara nga akulli dhe bora. Në njësitë vendore Ostren, Trebisht e Martanesh të Bulqizës, Macukull e Xibër në Mat dhe Kala e Dodës, Lurë, Arras, Luzni e Selishtë në Dibër janë evidentuar probleme dhe shtabet e emergjencave civile vijojnë punën për përballimin e tyre. Për sa i përket rrugës nacionale, më problematike gjendja paraqitet në Maqellarë, Fushë-Bulqizë e Qafa e Buallit për shkak të akullit, ndërsa nga Bulqiza e deri në Milot ka shqetësime pasi ka rrëshqitje të gurëve në trase. Probleme me motin janë shënuar dje edhe në qarkun e Korçës, ku reshjet e borës kanë qenë me intensitet. Në fshatin turistik të Dardhës, pjesa fundore e rrugës që të çon drejt tij, ka qenë e bllokuar. Vështirësi në qarkullim u paraqitën edhe në Qafë-Thanë, Qafë-Plloçë, por edhe Qafa e Qarrit. Shtabet e emergjencave po punojnë për të evituar aksidente të mundshme nëpër akse. Edhe në qarkun e Elbasanit, qarkullimi i mjeteve, kryesisht në Qafë-Krrabë ka hasur në probleme. Megjithatë, të gjitha akset nacionale, të cilat një natë më parë u bllokuan nga dëbora, janë të kalueshme, ndonëse me vështirësi. Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, tha se: “Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, mes tyre edhe Qafë-Krraba e Qafë-Thana. Që në orët e para të mëngjesit, punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë hedhur skorie dhe kripë në rrugë, dhe mjetet tashmë qarkullojnë normalisht dhe pa zinxhir”.
Zonat problematike
VLORE
Qafa e Llogorasë
ELBASAN
Qafë-Krraba
KORÇE
Fshati Dardhë
Qafë-Thanë
Qafë-Plloçë
Qafa e Qarrit
SHKODER
Bogë-Theth
Tamarë-Vermosh
DIBER
Maqellarë
Fushë-Bulqizë
Qafa e Buallit
Probleme edhe në Gjirokastër
Shembet ura, bllokohen 4 fshatra në Tepelenë
GJIROKASTER- Moti i keq në 24 orët e fundit është shoqëruar me probleme kryesisht në infrastrukturën rrugore. Banorët e komunës Buz në rrethin e Tepelenës janë izoluar plotësisht si pasojë e shembjes së urës që lidh këtë zonë me pjesën tjetër. Të katër fshatrat e kësaj komune janë bllokuar dhe nuk kanë mundësi tjetër lëvizjeje. Nxënësit e shkollave në këtë zonë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollën e Ballabanit. Banorët e këtyre fshatrave kanë apeluar për zgjidhjen e kësaj situate, ndërkohë që nga ana e saj Drejtoria e Rrugëve Rurale në qarkun e Gjirokastrës ka qenë inekzistente. Koha e keqe ka mbizotëruar në pothuajse gjithë rajonin jugor, ku reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë shkaktuar anomali. Rreth 15 cm dëborë ka rënë në fshatrat malore të komunave të Kurveleshit dhe të Buzit në rrethin e Tepelenës, duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Rreth 10 cm dëborë ka rënë në fshatrat e komunave të Frashërit në Përmet dhe Zagorie e Golem në Gjirokastër, megjithatë situata është në kushtet e normales, pasi vetë banorët nga ana e tyre kanë ndërhyrë për të eliminuar në maksimum bllokimet e hasura. Edhe në qytetin e Gjirokastrës, në orët e para të ditës së djeshme, për rreth 10 minuta u shfaqën reshje dëborë, por më pas ato u shoqëruan me shi të dendur. Disa prej banesave karakteristike në zonën muzeale të qytetit kanë shfaqur probleme sidomos në kulmet e çative, si rrjedhojë e reshjeve intensive të shiut. Në rast të uljes së temperaturave, pritet që në mjaft zona dëbora të kthehet në ngricë duke e agravuar më tej situatën problematike të bllokimit të akseve rurale. p.n











