
“Enver Hoxha, më thoshte Maqo Çomoja, vazhdimisht i përsëriste Hrushovit: Ti je babai ynë”
Vizita e udhëheqësit sovjetik në Shqipëri, Nikita Hrushov, u prit në mënyra të ndryshme nga qarqe të ndryshme. Udhëheqësit më të lartë, i pari ndër të cilët Enver Hoxha, kishte frikë për fatin e tij, ndërsa përpiqej t’i bënte të gjitha nderet Hrushovit. Frikë që përcillej edhe te “Rrethi i parë”, që rrethonte diktatorin shqiptar. Rrethi i dytë, ai i intelektualëve, më kot shpresonin liberalizimin e politikës staliniane në Shqipëri. Ndërsa populli i thjeshtë shfaqte një gëzim histerik të pakuptimtë. Avokat Spartak Ngjela në kujtimet e tij, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”, tregon pikërisht për këtë ngjarje të bujshme.
Kishte disa kohë që emri i Hrushovit propagandohej me të madhe në Shqipëri, sepse ai ndërkohë ishte bërë simbol i Bashkimit Sovjetik dhe i socializmit, aq shumë të përfolur, sidomos nëpër shkolla, e ndërsa e pashë, sikur u ndjeva edhe më i sigurt. Në të vërtetë, pavarësisht nga mosha, deri atëherë kisha dëgjuar më shumë nga më të mëdhenjtë për raportin që ekzistonte midis Hoxhës dhe Hrushovit. Prandaj kur i pashë bashkë, në të gjitha rastet e vizitës i kundroja natyrshëm, me atë dyshim permanent që ka përherë fëmija. E ndieja që Hoxha ishte i trembur dhe disi fals, dhe kjo ndoshta mund të jetë një ndjesi e përjetuar prej meje në ato ditë, por e menduar edhe më pas, në një kohë kur duhet thënë që tani se unë po jetoja në një brez, i cili gjatë gjithë jetës do të vuante armiqësinë midis Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit. Kjo ishte, pa dyshim, një dramë absurde, por ishte dramë ama. Ky, në fakt, ishte vetë pushteti ideologjik që vinte nga Moska dhe që ishte i transmetuar nga Stalini. Që të dy, edhe Hoxha, edhe Hrushovi, e kishin pushtetin me të njëjtën origjinë, nga Stalini, por, ndërsa njëri e godiste atë për ta siguruar jetëgjatësinë e vet politike dhe të shpëtonte diçka për elitën e vendit të tij, ky tjetri, Enver Hoxha, donte ta ruante të paprekur, sepse pa të e ndiente veten të humbur. Të dy kishin bërë krime, por nëse Hrushovi i kishte kryer krimet për pushtetin e Stalinit, Hoxha i kishte kryer ato për pushtetin e vet. Dhe në të njëjtën kohë, ndërsa njëri, Hrushovi, e kishte të qartë se terrori shtetëror ishte zhvleftësuar nga koha, Hoxha, përkundrazi, nuk mund të pranonte asnjë lloj rruge tjetër. Kjo në fakt ishte drama, a do të rrëzohej Enver Hoxha nga Shefi i Madh i komunizmit botëror? Por, gjithsesi, vetëkuptohet se perimetri që mbështjell të gjithë këtë çështje, është shumë i madh dhe mendoj se, që ta përmbledhim të gjithë këtë histori të trishtë, duhet ta shohim me vëmendje gjatë gjithë këtyre kujtimeve. Por, le ta analizojmë: nga se ka ardhur gjithë ajo vrazhdësi e një njeriu të marrë si Enver Hoxha, që ishte në pushtet si kryetari i një kryengritjeje dhe ndenji në krye të atij pushteti duke përdoruar të gjitha mjetet më mizore të mundshme. Dhe, a nuk është pikërisht dëshira hrushoviane e sovjetike për të rrëzuar këtë njeri nga pushteti në Shqipëri, që e solli në rritje terrorin komunist në vendin tonë dhe që solli gjithashtu një izolim tërësor të Shqipërisë nga e gjithë bota? Ky të ketë qenë shkaku i gjithë atij tmerri të zgjatur që përjetuan shqiptarët, nga viti 1960 e deri në vitin 1991? Mos vallë vërtet që, fati i njeriut na qenka një absurd pushteti dhe marrëzie? Dhe, a mos vallë, pikërisht kjo ka qenë edhe natyra e vërtetë e të gjithë totalitarizmave të shekullit të XX?
I lexoja me vëmendje axhansat ato ditë dhe, mu si tani, më kujtohet se, në një nga agjencitë e lajmeve, Rojteri më duket, bënte një analizë të gjatë për këtë vizitë. Analisti theksonte se një qëndrim dyjavor në Shqipëri i kryeministrit sovjetik ishte një gjë krejt e pazakontë, por megjithatë, pikërisht pse ishte kaq e çuditshme, tregonte se kryeministri sovjetik ka shkuar në Tiranë për të rrëzuar Enver Hoxhën. Në të vërtetë, këtë po priste edhe Rrethi i Dytë. Në anën tjetër, ama, të gjithë shpresonin se Enver Hoxha do të bënte lëshime për të zbutur dhe liberalizuar situatën. Më vonë arrita të kuptoja se, që atëherë, gjithçka kishte hyrë në luftë për të çarë një membranë frike e represioni që ndodhte në Shqipëri. E kujtova këtë më pas si një përpjekje që po bëhej në atë kohë dhe që i përkiste vetëm vitit 1959 dhe që në të vërtetë kishte qenë pjesë e luftës shekullore mes Lindjes dhe Perëndimit, që bëhej brenda shoqërisë shqiptare. Megjithatë, ajo që duhet shtruar në këtë rast është çështja, nëse ishte që atëherë Enver Hoxha një sundues absolut në Shqipëri… Pa as më të voglën mëdyshje, gjithkush do ta quante Enver Hoxhën një satrap lindor, aziatik e asgjë më shumë. Unë vetë më pas e ndjeva atë njeri si një peshë të rëndë, që më ishte bërë barrë e më dhunonte në çdo çast lirinë time, prandaj, vetëm atëherë, kur rashë edhe vetë në të njëjtat pozita, e kuptova tamam përse ishin aq të irrituar ata intelektualë të Rrethit të Dytë e mezi ç’prisnin të rrëzonin Enver Hoxhën. Sikur të kthehem edhe tani mbrapa, në atë vit e në atë moshë që kisha, duke parë përreth meje intelektualë në rrethet e ulëta të regjimit, të cilët kuptohej se ishin në hall, dhe po ashtu, ta vendos edhe veten time në radhë me ta, ashtu siç e përjetoja gjendjen në vitin 1975, menjëherë dallohet se të gjithë ata intelektualë të viteve 1956-1959, ishin saktësisht në gjendjen time të viteve 1970-1975. Kështu pra, e gjithë Shqipëria ishte në festë në atë qershor të vitit 1959 dhe propaganda gjëmonte për prestigjin e Shqipërisë. Ndërsa Hrushovi nuk linte rast pa përmendur se “Shqipërinë do ta bënin një kopsht të lulëzuar”. Njerëzit gëzonin, kurse në rrethet e afërta të Enver Hoxhës rrinin të mendueshëm. Sidomos Hysni Kapoja, sepse siç duket ai dinte diçka më shumë se të tjerët. Megjithatë, Liri Belishova shkëlqente. Ajo dukej sikur e kishte ftuar Hrushovin në shtëpinë e saj. Në pozicionin më qesharak dukej Enver Hoxha. Ai qante, e takonte dhe e puthte Hrushovin sikur të kishin qenë të njohur të afërt që koha i kishte ndarë e tani qafoheshin si të lodhur nga malli i madh që kishin pasur për njëri-tjetrin. Por nga brenda dukej se shpresat për të çoroditur Hrushovin dhe vetë politikën sovjetike, Hoxha i kishte mbështetur te Liri Belishova. “Gjithçka që do t’i kërkohej Hrushovit në ato ditë – më thoshte në Burgun e Burrelit Maqo Çomo, i shoqi i Belishovës, tek bisedoja me të përgjatë viteve ‘80- do të kalonte nëpërmjet Lirisë”. Hoxha i lutej Lirisë dhe kjo ia plotësonte, sepse, siç duket, garantonte Hrushovin politikisht se Hoxha as që mund të mendohej se mund të ishte kundër politikës së re që Bashkimi Sovjetik kishte hapur nëpërmjet vijës së re që drejtonte Nikita Hrushovi. Kurse Enver Hoxha, më thoshte Maqo Çomoja, vazhdimisht i përsëriste Hrushovit të njëjtën gjë: “Ti je babai ynë”, i thoshte ai, përherë me lot në sy.
Edhe Shehu kishte qenë i mërzitur në ato ditë, madje për të u tha se Hrushovi, që në krye të herës, qëkurse ishin takuar në makinë apo në aeroport, i kishte thënë: “Për ju shoku Shehu thonë se jeni shumë i ashpër… dhe nga sytë kështu dukesh”. Menjëherë pas kësaj, gjithçka ishte ngrirë në marrëdhëniet e tij me politikën e lartë sovjetike. Me një fjalë, Hrushovi kishte ardhur për të vendosur një lidhje me fatin e Enver Hoxhës dhe ta shihte nga afër udhëheqjen e lartë shqiptare. Por, siç u shpreh ai dy vjet më vonë, pritja madhështore dhe uniteti që kishte gjetur në udhëheqjen e lartë të Tiranës, e kishin stepur dhe e kishin detyruar të kthente rrugë, edhe pse e dinte deri diku që me Enver Hoxhën as që mund të shpresohej se mund të implementohej ndonjëherë politikë liberale në Shqipëri. Bashkë me Hrushovin, në këtë vizitë ishte edhe ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, mareshali Malinovski. Një njeri i rreptë dhe figurë e njohur e Luftës së Dytë Botërore. E pra, përse i duhej një mareshal aq i fuqishëm Hrushovit që ta kishte me vete në Shqipëri; për të trembur Hoxhën? Për të provokuar Perëndimin apo për të treguar se ardhja e tij në Shqipëri kishte interesa dhe qëllime ushtarake?
Gjërat nuk mund të dihen se si janë përcaktuar në kohën që kanë ndodhur, por kjo vizitë e Hrushovit në Shqipëri ka qenë një nga pikat më të rrahura prej të gjithë atyre që përjetuan terrorin brenda vetë Partisë Komuniste në Shqipëri, sepse, nga sjellja e Hrushovit, dukej se Hoxha ishte pranuar prej tij. Por, çdokush nga ne që jetonim atëherë afër rrethit që mbështillte pushtetin e Enver Hoxhës, e shihte dhe e dëgjonte që akuzat e ngritura kundër Stalinit ishin thuajse të papranueshme. Enver Hoxha mund të qëndronte në pushtet vetëm me metoda staliniane, kurse Bashkimi Sovjetik e kishte ndërruar kursin stalinian. Vetë Hrushovi ndërkohë e dinte mirë kush ishte Enver Hoxha, ai e njihte nga të dhënat e shërbimeve dhe e kuptonte mirë. Hrushovi ishte përballë një njeriu që nuk kishte asgjë të përbashkët me komunizmin, por që kishte shtënë në dorë Partinë Komuniste me anë të jugosllavëve. Pastaj qe shkëputur nga ata, sepse nuk kishte besim se mund të rrinte në pushtet, kurse, më pas, ishte po ky që ishte treguar lakeu më i madh i udhëheqjes sovjetike. Por jugosllavët, për të cilët Hrushovi kishte nevojë, sidomos vetë Titoja, e kishte vënë Hoxhën si kusht në përmirësimin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Beogradit. Ky, pra, ishte dueli midis të madhit të fuqishëm dhe lakeut që po priste rastin për separatizëm. Prandaj, dhe ngjarja ishte aq e gjatë në kohë dhe Hrushovi kishte ardhur me aq e aq premtime të bujshme. Antistalinizmi kishte hyrë ndërkaq në kështjellën e Enver Hoxhës dhe ky e ndiente rëndë këtë. Askush nuk mund ta shpjegojë qartë gjendjen e brendshme të një njeriu aq të fshehtë sa Enver Hoxha, por gjithsesi ai kishte zgjedhur vetëm një rrugë: gjendjen stacionare, për të pritur që konservatorët sovjetikë, ose garda staliniane, më mirë, vetë ushtria të rrëzonte Hrushovin. Gjithë shpresa e Hoxhës ishte rikthimi stalinian në Moskë dhe këtë e shprehte hapur nëpër shtëpitë e Rrethit të Parë. Ndërkaq, përpara tij kishte atë që pat nisur procesin e destalinizimit. Hrushovi, në fakt ishte një figurë kozmiko-historike, për të cilën do të fliste e do të flasë gjithmonë historia, kurse Hoxha ishte një hiç, që mezi e kalon dhe historinë e Shqipërisë. Në fakt në Moskë, me lëvizjen hrushoviane kishte nisur një epokë e re për komunizmin, duke shpresuar te liberalizmi, epokë kjo e cila, të paktën e zbuti shumë gjendjen e terrorit. Kjo ishte e gjitha, sepse përballë ishin në fakt jo dy doktrina të ndryshme, por dy interesa të ndryshëm, që vinin e rreshtoheshin pro ose kundër Stalinit, ndonëse në një mënyrë apo në një tjetër, që të dy këta pushtetarë kishin ardhur në pushtet me anë të Josif Stalinit. Po të mos kishte qenë fenomeni stalinian ne botë, që të dy këta do të kishin qenë njerëz të parëndësishëm në vendet e tyre.
SPARTAK NGJELA
© Panorama.al











