
Një ekspozitë me fotografi nga ngjarjet e 11 shtatorit 2011 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkon Presidentin Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Amerikane, krerët e shtetit ishin pranë njëri-tjetrit. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha gjatë kësaj ceremonie, se “10 vjet më parë, 3 mijë njerëz nga shumë vende të botës humbën jetën nga sulmet terroriste te Kullat Binjake. Kjo është një ekspozitë ku më shumë se fjalët flasin fotografitë e shkrepura nga 793 kontribuues, amatorë e profesionistë atë ditë shtatori në Nju Jork”. Sipas tij, “dhjetë vjet më parë, dje, rreth tre mijë persona humbën jetën e tyre. Njerëzit nga çdo cep të botës qëndruan në solidaritet me ne, përmes qirinjve dhe luleve të vendosura në ambasadat tona në mbarë botën. 10 vjet më vonë, miqtë tanë në Shqipëri dhe ata në botë, qëndrojnë të patundur në mbështetjen e tyre dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Ne nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën, por duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht t’i përkujtojmë. Të shtojmë forcat e të luftojmë terrorizmin”.
Nga ana e tij, Presidenti Topi u shpreh: “Sot, Al Kaeda ka marrë një goditje mjaft të rëndë. Goditja është kundër kësaj filozofie të errët, por edhe kundër instrumenteve të saj. Më duhet t’ju them që lufta kundër terrorizmit, qoftë edhe në rastet sporadike, është e përditshme. Një rast të tillë, populli shqiptar, shteti shqiptar, sistemi gjyqësor e ndeshën vetëm dy ditë më parë, kur një punonjës i nderuar i shtetit, i ligjit, mori goditjen në mënyrën më spektakolare dhe barbare në mes të Vlorës. Kështu që ne duhet të punojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, së bashku, në mënyrë që ta bëjmë botën më të qetë e më të paqtë”. Ndërsa Kryeministri Berisha tha se ata që shkaktuan 11 shtatorin morën përgjigjen e merituar.











