Ngërçi shqiptar

Jan 10, 2012 | 9:30

GRID RROJI

Shumëkujt përkufizimi i Shqipërisë në ngërç mund t’i duket i tepruar e deri edhe fatalist. Mirëpo pikërisht në kushtet e sotme kur përplasja politike për jetë a vdekje duket e tejkaluar me një marrëveshje nën dorë kur Sali Berisha e ka përherë e më solide aleancën me klanin e Metës dhe ndoshta do ta zgjerojë atë me demokristianë pa komplekse,  kur Edi Rama po përpiqet të rikrijojë me një operacion shembullor mediatik imazhin e “të veçantit jashtëpolitik” (krah për krah “politikanëve të rinj” Ruçi e Gjinushi dhe “intelektualëve” Doshi e Sterkaj),  si dhe ka rizbuluar dashurinë e hershme për fundshpinën, jemi në ngërç. Edhe pse qeveria mëton të na bindë se ashtu sikur shekullin e kaluar edhe tani Shqipëria është fanar ndriçues zhvillimi vis-à-vis Europës në krizë të thellë, edhe pse opozita po aq e krimbur moralisht dhe e etur për pushtet guxon e krahason veten me rilindësit, Shqipëria është vërtet në ngërç!
Pra, përtej zhurmës mediatike, deklarimeve të Kryeministrit për suksese e realizime planesh, cicërimave të kryeopozitarit “artist”, urisë së pangishme të partijëzave-klan dhe sivëllezërve të tyre të të gjitha ngjyrave për të vjedhur edhe copën e fundit të mbetur të shtetit nën petkun e integrimit, ngërçi shqiptar është i prekshëm në të gjitha sferat e jetës publike.
Ka ngërç ekonomia e ndërtuar mbi monopolet ku lidhja simbiotike pushtet-biznes i madh mbetet fulkrumi i pushtetit të qeverive të çdo ngjyre, ndërsa të gjithë tentojnë të na bindin për paevitueshmërinë dhe dobinë e këtij mekanizmi pervers. Ka ngërç politika e ndërtuar mbi strukturën autokratike të sistemit komunist, e cila lejon kontrollin e pushtetit nga grupe familjare e tarafe, sistem që na e la peshqesh Ramiz Alia, të cilit Berisha pa u ndier shumë i bëri nderime shtetërore (ah, protokolli!), ndërsa kryesocialisti “artist” e bëri përkohësisht kurban të imazhit deri në pesë majin e ardhshëm. Ka ngërç edhe shtresa intelektuale e shoqërisë shqiptare të kriminalizuar deri në kulm, e cila tashmë aq e mësuar me luksin vegimtar të mirëqenies materiale që vjen nga vendosja i dijes në shërbim të politikanit padron të radhës, shpeshherë rreket të mbulojë qorrsokakun moral ku ka hyrë me imitime banale të “perëndimores”. Madje inteligjencia duket e kënaqur me ndasitë false që ushqejnë dialogun publik, sepse në këtë mënyrë ka më shumë mundësi për të gjetur padron politik. Është në ngërç edhe shtypi i dominuar (në pjesën më të madhe) nga interesaxhinj të zotë e të pazotë, gjithologë profesionistë, ndërkombëtaristë nostalgjikë për Tiranën e viteve tetëdhjetë, e sahanlëpirës të të gjitha ngjyrave, të cilët mbajnë frymën gjallë me gjithfarësoj spërdredhjesh. Zërat e paktë të arsyeshëm ose injorohen si jashtë kohe, ose u mbyllen hapësirat. Më në fund është e kapluar nga ngërçi edhe e ashtuquajtura shoqëri civile, e cila është në pjesën më të madhe një vazhdim i krahëve politikë të palëve.
E gjitha kjo në emër të një sistemi, i cili për arsye ende të paartikuluara qartë duhet me patjetër të mbetet në thelb i njëjtë që nga koha kur Ramiz Alia kërkoi të përdorte lëvizjen studentore për të garantuar vazhdimësinë e klaneve të bllokut, objektiv ky i fundit që duket se e ka arritur me sukses. I vetmi shpjegim i pranueshëm për këtë paradoks shqiptar mund të gjendet tek shprehja: pushteti mbi të gjitha.
Dikush mund të argumentojë se gjendja nuk është aspak kaq e zymtë, duke përmendur sukseset që kemi përjetuar këta 20 vjet, lirinë e fituar të shprehjes, hyrjen në NATO, demokracinë funksionale (edhe pse me ndonjë “revolucion me armë në dorë” herë të arrirë e herë jo), ngritjen e dukshme të standardit të jetesës në krahasim me standardin koreano-verior të ‘90-s, e së fundmi edhe ndërtimin e infrastrukturës dhe forcimin e përkohshëm të disa strukturave shtetërore, të cilat kanë dhënë disa rezultate. Nuk mund të mohohet për shembull që anëtarësimi në NATO dhe rruga e Kosovës kanë rëndësi strategjike, që ndërtimi i një infrastrukture moderne (kur të përfundojë dhe të krijohet një model i qëndrueshëm për mirëmbajtjen e tij) përbën një hop cilësor, si dhe që nga 2003-shi e këtej kemi pasur imazhin e një stabiliteti ekonomiko-politik. Ndonjë i tejzellshëm mund të vërë në dukje edhe se gjatë këtyre viteve ka pasur një lloj rinovimi të elitave me daljen në skenë të Bashave e Bregajve në njërën anë, e të Ballave e Veliajve në krahun tjetër.
Mirëpo qëndrueshmëria e këtyre arritjeve dhe çmimi me të cilin janë paguar, janë faktorë që nuk mund të injorohen. Me gjithë kollotumbat retorike të politikanëv,e problemi i mungesës së shtetit apo të diçkaje që t’i përngjajë një morali normal shoqëror, është sot më i mprehtë se kurrë. Një shoqëri, e cila nuk i vendos vetes caqe morale e norma të gjithpranuara të sjelljes është një shoqëri e rrezikuar. Askush nuk mund të ketë përgjigje racionale për shthurjen e përgjithshme që ka përfshirë shoqërinë, për ekonominë pa kahje e të dominuar nga monopolet, mungesën e një koncepti të qartë strategjik të palëve për zhvillimin ekonomiko- politik dhe rolin e Shqipërisë si shtet i të gjithë shqiptarëve, mungesën e një vizioni afatmesëm (për të mos folur për afatgjatin) me objektiva përkatës, por edhe shterpësinë dhe padijen që mbartin parrullat për integrim euroatlantik.
Askush “nuk kujtohet”  të përmendë rolin dominues të prurjeve të emigracionit në zhvillimin që kemi përjetuar,  si dhe legjitimimin e hajdutllëkut të publikes nga politika (disa preferojnë eufemizmin korrupsion) që ka mbizotëruar qeverisjen dhe po mbyt shoqërinë, pavarësisht ndërrimit të ngjyrave në të gjitha pushtetet. Më tej, modeli i xhambazit korruptues e të korruptuar, pa kurrfarë skrupulli moral e me lidhje politike të cilat as tentojnë të paraqiten si me rrënjë ideologjike, është tashmë modeli i emulueshëm i suksesit për një gjeneratë të re, e cila po humbet ndjesinë e të moralshmes. Më në fund por jo nga rëndësia, anipse pozitiv, krahasimi me gjendjen përtej mjerimit në të cilën gjendeshim në ‘90-n nuk mund të përbëjë standard në asnjë shoqëri që ka minimumin e respektit për veten. Prandaj edhe besoj se jemi “a frontae precipitium a tergo lupi”.
Kësisoj, të gjitha deklaratat mbi përparimin gjatë këtyre njëzet vjetëve apo “politikën e re” janë flluska për të mbuluar të vërtetën e madhe, të cilën të gjithë e dinë po nuk duan a kanë frikë ta shprehin: viktimat e këtij sistemi oligarkik në shërbim të familjeve kontrolluese të politikës kanë qenë e mbeten shqiptarët dhe ndërtimi i një shteti të qëndrueshëm e të besueshëm, i cili të mos i shërbejë kryeministrit të radhës dhe klaneve që e mbështesin, po t’i bëhet pengesë cilitdo që kërkon ta personalizojë pushtetin. Forcimi i shtetit nuk i ka interesuar dhe me gjasë nuk u intereson aktorëve të tanishëm të politikës, sepse ajo do të sillte me vete zvogëlimin apo edhe humbjen e privilegjeve që kanë marrë nga pushteti. Është më e thjeshtë që lufta të përqendrohet tek thela e pushtetit, herë nëpërmjet operacioneve manipuluese të imazhit si ky i fundit i Ramës, e herë duke kooptuar, blerë e fashitur çdo zë opozitar, siç e ka perfeksionuar tashmë Berisha. Zgjedhjet vijnë e shkojnë, decibelët retorikë ngrihen e ulen, por thelbi mbetet i pandryshueshëm. Siç thotë shprehja frënge “plus ça change, plus c’est la même chose”.
E pra, kjo është gjendja aktuale, dhe nuk ka retorikë për sukses ekonomiko-politik, cicërima për rilindje, zhvillim dyshifror, impenjim integrues euroatlantik, makijazh mediatik e art fundshpinor që e mbulon dot. Përditë e më tepër po duket se, me gjithë burimet e pashtershme njerëzore, Shqipëria nuk arrin të garantojë mjedisin e duhur për lëvizje të mirëfilltë shtetformuese nga brenda. Shpresa mbetet për një ripërtëritje me shkëndijë nga jashtë, po askush nuk mund ta parashikojë nëse kjo do të materializohet apo do të mbetet thjesht material për muhabet në tryeza diskutimi të fundjavës.

© Panorama.al

Te lidhura