VESEL HOXHA
Ka ardhur koha që gjeologjia, e lënë në hije vitet e fundit, të ketë jo vetëm një vlerësim më të madh në zhvillimet ekonomike të vendit, por, me studimet shkencore që realizon nëpërmjet institucioneve të saj, të ketë rol më të rëndësishëm, për të mos thënë vendimtar, në realizimin e misionit për të cilin është krijuar si shkencë, edhe në studimet për minimizimet e rreziqeve natyrore (rreziqeve gjeologjike, siç thirren rëndom në fjalorin e shkencave gjeologjike) që, jo rrallë, kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin pa mëshirë katastrofa njerëzore në shumë zona të vendit. Shpesh na ka rastisur të lexojmë nëpër faqet e shtypit të përditshëm njoftime të ndryshme që lidhen me rrëshqitje të tokës, me erozionin dhe me shumë e shumë dukuri të tjera që “flasin” apo “tërheqin vëmendjen” për paqëndrueshmëri të truallit të tokës, në zona të ndryshme të vendit tonë. Po ashtu, kemi përcjellë rëndom emisione nëpër ekranet e televizioneve të ndryshme, pa përjashtuar dhe TVSH-në, ku njerëz të kategorive dhe profesioneve të ndryshme, që nga zyrtarë të administratës shtetërore e deri te njerëz të thjeshtë, të prononcohen e të flasin para kamerave për këto dukuri të natyrës, duke komentuar dhe arsyet e ndodhjes së tyre, sigurisht me një shpjegim amator e aspak profesional. Në të tilla raste dhe në të tjera të kësaj natyre, gjithmonë kam pyetur veten: Nuk e dinë gazetarët apo autoritetet e shtetit në qendër dhe në bazë se për të përcaktuar zonat me rrezik të tokës janë gjeologët? Ata janë “doktorët e saj” në kuptimin figurativ, jo vetëm në aspektin e studimit të gjeologjisë dhe të mineralmbajtjes apo problemeve të tjera, por dhe për studime të natyrave të tilla. Janë ata dhe vetëm ata që duhet të japin versionin shkencor të shkaqeve të vërteta të ndodhjes së dukurive të tilla natyrore që lidhen me rrëshqitjet e tokës, me erozionin, me sizmicitetin dhe me dukuri të tjera, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me fatkeqësitë që i shkaktojnë popullatës, si në drejtim të dëmtimit të banesave, të ndërtimeve të tjera prodhuese etj., ashtu dhe në çarjet apo gërryerjet e shumta të sipërfaqeve të mëdha të tokës në përgjithësi dhe asaj bujqësore në veçanti.
Jo në dorë të spontanitetit….
Sigurisht që për probleme të tilla ka ligje e vendime qeverie, të tjera ligje e vendime do të dalin në të ardhmen. Eksperienca 35-vjeçare në këtë fushë më detyron të them se jo gjithmonë punët janë të parashikuara në ligje e vendime, por logjika shkencore e zgjidhjes së problemeve duhet ta thotë vazhdimisht fjalën e vet edhe kur ajo, për një arsye apo për një tjetër, nuk është e shkruar. Ajo do të shkruhet në vazhdimësinë e kërkesave të kohës dhe logjikës së zgjidhjes së problemeve që dalin, pasi përsosmëria është një asimptotë që kurba jonë i afrohet, por asnjëherë nuk e takon dot. Le të ndalemi te rrëshqitjet e tokës dhe erozioni. Të dyja këto janë dukuri gjeologjike të pastra, të lidhura drejtpërdrejt me përbërjen e truallit, ku shkaqet e ndodhjes së tyre shpjegohen nga gjeologjia me nëndisiplinat e saj, që janë në gjendje, jo vetëm të përcaktojnë të vërtetat e ndodhjes së tyre, por të orientojnë me rekomandime edhe daljen nga kjo situatë. E mira e të mirave, për rastin konkret, do të ishte që në vendin tonë të mos bëhet asnjë lloj ndërtimi, ose e thënë në mënyrë figurative, asnjë lloj gërvishtje e tokës, pa u pyetur gjeologjia, pa u identifikuar më parë rreziqet gjeologjike, pa u kryer më parë studimet gjeologo-inxhinierike, sizmologjike, hidrogjeologjike etj., të cilat janë garant që ndërtimi, i çfardo lloji qoftë ai, të jetë i sigurt në maksimumin e mundshëm, në maksimumin e asaj që varet nga njeriu. Studimet e tilla mund të kryhen nga persona apo studio private të licencuara dhe nga institucione shtetërore, por duhet të jetë e detyrueshme të bëhet oponenca e këtyre studimeve. Dhe kjo oponencë duhet, detyrimisht, të bëhet nga institucionet shtetërore përkatëse, sepse pasojat që mund të vijnë nga fenomenet e mësipërme, janë sociale dhe fatura e tyre bie në kurriz të shtetit. Këtu qëndron thelbi i problemit, në maksimumin e mundshëm që kërkohet të bëhet dhe që është në dorë të njeriut për t’u bërë, duke pasur parasysh këto studime. A duhet lejuar që kjo punë t’i lihet spontanitetit? Kurrsesi jo. Natyra të ofron, por të kufizon dhe të shkatërron kur nuk e trajton mbi bazën e ligjeve të saj, ndaj duhet planifikuar me ato që të ofron dhe kufizon ajo. Kosto që paguan individi dhe shteti në këto raste është shumë e lartë, dhe shpesh me pasoja të pariparueshme. Atëherë pse nuk veprohet në të gjitha drejtimet e mundshme që të detyrohet kërkesa për studime të tilla që të kemi sa më pak dëme nga natyra? Përse nuk i rakordojmë punët me mëmën natyrë që dhe ajo të “ndihet e vlerësuar”?!
Çfarë ndodh në vendin tonë?
Tek ne është bërë traditë që, pasi ndodh një rrëshqitje e tokës, pasi ndodh një termet, pasi ndodh një përmbytje apo pasi dëmtohet trualli, bregu i detit etj., etj., nga dukuri të mirëfillta gjeologjike, kërkohet të gjenden zyrat e institucioneve për ndihmë, për intervista, për studime emergjente etj., në lidhje me ndodhitë në fjalë(!). Unë shpesh e kam pyetur veten se ku qëndron emergjenca e këtyre dukurive gjeologjike pasi ato kanë ndodhur, kur ato e kanë thënë fjalën e tyre pasi natyra nuk na pyet kur vepron dhe, aq më tepër kur ne nuk jemi “konsultuar” më parë me të? Emergjencë tashmë është ndihma për të ndihmuar të dëmtuarit, jo studimet. Bëhet zhurmë e madhe gjithandej dhe menjëherë organizohen disa emisione televizive apo mbledhje të ndryshme të strukturave qeveritare në qendër e në bazë(!). Dhe, në shumë raste, në vend që të thirren gjeologët (po përdor fjalën me të cilën ne, profesionistët e kësaj shkence madhore të kësaj shkence dinamike e dobiprurëse për njerëzimin, në tërë kuptimin e fjalës, lidhemi dhe kuptohemi më mirë në popull) çfarë nuk thirren në ato tryeza. Njerëz që nuk kanë lidhje me njohjen shkencore të rrënjëve të dukurive që shkaktojnë fatkeqësitë në fjalë. Në vend që ta sqarojnë opinionin, e fusin në qorrsokak me lloj-lloj intervistash amatorësh. Do thotë dikush: në demokraci jemi, le të duken dhe të bëhen të gjalla e të njohura ato institucione që lidhen me problemin, le ta ngrenë zërin dhe të bëhen faktorë dhe ndihmës aktivë të kualifikuar për shoqërinë, në kapërcimin dhe në parandalimin e këtyre fatkeqësive natyrore, falë faktit të pagesës prej shtetit, prej taksapaguesve shqiptarë. Le ta ngrenë zërin aty ku duhet dhe të mos rrinë në pritje. Studime për studime nuk i duhen askujt. Studime për të mirën e vendit dhe në ndihmë të kësaj të mirë i duhen e do të kërkohen gjithmonë. Taksapaguesit shqiptarë na paguajnë qindarkë për qindarkë. Edhe kjo është një e vërtetë e madhe dhe një vërejtje që qëndron.
Shkenca ndryshon nga emergjenca. Ajo synon t’i parashikojë fatkeqësitë që krijojnë situata emergjence, që qeveritë të marrin masa zbutëse ndaj pasojave. Askush nuk mund t’i ndalojë tërmetet, cunamet, përmbytjet, rrëshqitjet etj., por studime për minimizimin e tyre duhen bërë, dhe këtë e bëjnë shkencat gjeologjike. Detyra themelore e institucioneve shkencore gjeologjike është të realizojnë projekte madhore kombëtare për ndërtime hartash gjeologjike, metalogjenike, tektonike të rrezikut gjeologjik, të hidrogjeologjisë, të rajonizimit sizmik, të radonit, të magnetometrisë etj., etj., në shërbim të vendit. Ngjarjet në Japoni na treguan se çfarë katastrofash të mëdha shkaktojnë rreziqet natyrore, ndaj nuk duhen kursyer financimet ndaj shkencave gjeologjike. Nga këtu gjykojmë se, studimet sizmologjike për ndërtimet dhe, në tërësi, ato të rrezikut gjeologjik, duhet të jenë ekskluzivitet vetëm i institucionit të shtetit. Kështu veprohet edhe në Amerikën e largët e të zhvilluar për probleme të tilla. Çdo plan urbanistik i zhvillimit të qyteteve a rajoneve të ndryshme të vendit tonë, çdo planifikim urban e qytetar duhet me domosdo të ketë në grupet e punës specialistë nga SHGJSH-ja dhe IGJEO, dhe, në përfundim të tyre, ato të mbrohen në këshillat shkencore të institucioneve.
Edhe gërvishtja nuk duhet lejuar …
Pasi ndodh fatkeqësia, pasi rrëshqet toka, pasi erozioni bën kërdinë, pasi tërmeti shkatërron shtëpitë, pasi diga në një rezervuar fillon të rrjedhë, pasi lumi del nga shtrati, pasi një pallat, në rastin më të keq, shembet, lëviz apo çahet etj., etj., nuk kanë më vlerë studimet. Ato nuk janë më studime, janë konstatime. Edhe pse të bazuara në analiza shkencore, por pa sjellë dobi për njerëzit. I gjithë problemi qëndron në faktin e parandalimit të së keqes. Edhe kur, për çdo rast që përmendëm, ka pasur studime, e sigurt është që ato nuk kanë qenë në cilësinë dhe standardet e kërkuara. Nuk mjafton që në aktin ligjor të kërkohet kryerja e studimeve gjeologjike. Kjo po e po, dhe është e para, por studimet duhet të kryhen duke zbatuar e respektuar disa standarde, të cilat garantojnë cilësinë e tyre. Nuk ka dukuri gjeologjike të paparashikuar, por ka studime me cilësi të dobët dhe, për më tepër, pa oponencë, që nuk i kanë identifikuar ato. Nuk është asnjëherë vonë për të vepruar, për të përmirësuar, për të rregulluar me ligj a akte nënligjore diçka me rëndësi për jetën e njerëzve. Gjeologët nuk merren vetëm me shkëmbinjtë dhe mineralet (sot në botë gjeologjia quhet shërbim për shoqërinë) për t’i studiuar dhe për t’i vënë në qarkullim ekonomik, në shërbim të njerëzimit. Ata kanë detyrë të bëjnë edhe studime shkencore në fushën e parandalimit të rreziqeve gjeologjike, që i kanosen territorit të shtetit, rajonit apo një zone të caktuar ose, e thënë ndryshe, zvogëlimin sa më shumë të jetë e mundur, të pasojave të natyrës ndaj këtij territori. E që të kemi sukses në këtë fushë është domosdoshmëri që të vendosen rregulla të forta e të rrepta loje për problemet e rreziqeve gjeologjike. Në jetën e përditshme, njerëzit nuk ndeshen vetëm me rrëshqitje dhe erozion. Natyra ka shumë rreziqe, që emërtohen në tërësi si rreziqe gjeologjike, për nga origjina dhe për faktin e thjeshtë se kjo shkencë merret me studimin dhe minimizimin e tyre në favor të shoqërisë njerëzore. Është e vërtetë që tërmetet nuk parashikohen, të paktën për nivelin e sotëm të shkencës, por studimet gjeologo-sizmologjike orientojnë shtetin, nëpërmjet ndërtimit të hartave të rajonizimeve sizmike në një shkallë të caktuar, që në këtë apo atë zonë duhet ndërtuar, me këtë apo atë siguri, me këtë apo atë lartësi kati etj., etj. Problemet e përmbytjeve, problemet e rrezatimit radioaktiv, të sizmicitetit, të cunameve që shkaktojnë tërmetet me epiqendër në dete e, në rastin e vendit tonë, të gërryerjeve, të rrëshqitjeve, rezervuarëve të ndryshëm, minierave të braktisura, ortekëve etj., etj., nuk duhet të jenë objekt i studimeve emergjente kur na godasin pa mëshirë, por objekt i studimeve normale të shkencave gjeologjike, që të kemi mundësi t’u shmangemi sa të jetë e mundur, në parametrat maksimalë që na lejojnë studimet e thelluara, që nesër të mos themi se nuk e kemi ditur, që nesër të mos shkojmë të numërojmë viktimat apo të dërgojmë çadrat dhe ndihmat ushqimore. Natyra nuk harron të hakmerret! Çfarëdo gërvishtje e tokës, sado e thjeshtë të jetë ajo, pa fjalën e gjeologjisë (pa fjalën e “doktorit” të saj), pa recetën e saj, do të përbënte një gabim të madh e me pasoja. Ka ardhur koha dhe, mund të themi se jemi të vonuar, që në këtë drejtim të vendosim pikat mbi “i”. Institucionet gjeologjike duhet të nisin punën për ndërtimin në mënyrë të organizuar e të detyruar nga shteti, për përgatitjen e informacionit gjeoshkencor bazë në shërbim të planifikimit të territorit, në çdo pëllëmbë të tij. Në përbërje të informacionit gjeoshkencor bazë duhet të jenë një seri hartash të specializuara e të certifikuara gjeomjedisore, si harta gjeologjike, tektonike, të mineraleve, litologjike, gjeologo-inxhinierike, të rreziqeve gjeologjike, hidrogjeologjike, të rajonizimeve sizmike, gjeomorfologjike, të venddepozitave të mbetjeve urbane, etj. Një pjesë e këtyre hartave po realizohen me sukses në format dixhital nga SHGJSH-ja, ku po punohet për të mbuluar gjithë territorin në shkallën 1:25 000. Një punë e nisur për t’u lavdëruar. Vërejtja që mund të bëjmë qëndron në faktin e mosmbajtjes nëpër arkiva por, duke i promovuar në publik, në institucionet vendore etj., si një punë kolosale e brezave të specialistëve të shkencave gjeologjike, pasi të jenë kontrolluar në detaje gjatë procesit të dixhitalizimit e deri te miratimi në këshillat shkencore. Të gjitha këto duhet të jenë dixhitale, që të jenë praktike e të shfrytëzueshme, duke filluar nga qarqet apo rrethet më problematike e në vazhdimësi deri në mbulimin e gjithë territorit të vendit, pse jo edhe në nivel komune. Si prioritare për momentin duhet ndërmarrë në mënyrë të organizuar e të detyruar nga shteti, ndërtimi i hartës se re të rrezikut gjeologjik në shkallë vendi, edhe pse një hartë e tillë është ndërtuar vite e vite më parë. Në ndërtimin e një harte të tillë duhet të angazhohen të gjitha institucionet aktuale gjeologjike të vendit, të gjitha forcat intelektuale elitare të tyre. Kjo lloj harte ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe nuk e teproj po të nënvizoj se një hartë e tillë në shkallë 1:200 000, e ndërtuar me seriozitet shkencor nga institucionet gjeologjike që ka sot Shqipëria, të qëndrojë e varur në zyrën e Kryetarit të shtetit, Kryeministrit apo në ndonjë zyrë tjetër të punës së tyre, midis hartave të tjera që mendoj se duhet të jenë të ndërtuara për çështjet e sigurisë kombëtare.
* Autori i shkrimit është anëtar i stafit akademik të Institutit të Gjeoshkencave dhe anëtar i Senatit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës.











